Ndërlidhjet

ÇFARË DUHET TË PËRMBAJË DEKLARATA E PAVARËSISË?


Arton Konushevci

Deklarata e pavarësisë së Kosovës duhet të shprehë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës dhe duhet të përmbajë përcaktimin për sovranitetin territorial të saj. Kështu thonë ekspertët ligjorë kosovarë. Avdullah Robaj, ekspert për çështje kushtetuese, thotë, veç tjerash, se deklarata duhet të shprehë vullnetin e Kosovës për pavarësi dhe të respektojë kufijtë territorialë të shteteve fqinje me Kosovën. ”Deklarata duhet të shprehë vullnetin politik të popullit të Kosovës. Por, nëse nisemi edhe nga deklaratat më përpara, për shembull deklarata kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, nëse bëjmë një krahasim, aty shihet se deklarata ka qenë shumë e shkurtër. Dhe, në rastin konkret, deklarata nuk duhet të jetë e madhe, nuk duhet të përfshijë çështje të përgjithshme, por duhet që në mënyrë parimore të shprehë vullnetin politik të Kosovës, përkatësisht qytetarëve, për shtet sovran dhe të pavarur. Brenda deklaratës të shprehet dhe të përcaktohet territori, përkatësisht sovraniteti territorial i Kosovës dhe perspektiva e Kosovës për të ardhmen, përkatësisht që t’i respektojë shtetet fqinje, territorin e tyre dhe sovranitetin, që do t’i afirmojë dhe avancojë vlerat demokratike dhe në mënyrë të veçantë do t’i respektojë të drejtat e pakicave kombëtare, si shtet që pretendon të aderojë në strukturat evropiane”, tha Robaj. Kurse, eksperti tjetër ligjor, Riza Smaka, vlerëson se në hyrje të deklaratës duhet përmendur faktet historike, siç thotë ai, aneksimi me dhunë i Kosovës nga regjimi serb, që nga viti 1912. ”Preambula do të duhej të nisej nga akti i aneksimit të Kosovës me dhunë; edhe në dokumentet serbe është aneksimi i Kosovës. Dhe, populli i Kosovës nuk e ka pranuar asnjëherë atë prej vitit 1912-1913 deri në vitin 1999. Në përshtatje me kohën iu ka kundërvënë; duhet të mbroheshin të gjitha, duke përfshirë edhe rezistencën aktive dhe pasive, më pastaj rezolutën e Bojanit, ku ndër deputetët e Kosovës kanë qenë edhe shtatë sllavë që kanë votuar për Kosovën e pavarur dhe bashkimin me Shqipërinë. Më pastaj, do ishte dashur edhe deklarata kushtetuese, edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Kaçanik, më 1990, edhe referendumi për pavarësinë, edhe lufta e armatosur e popullit kundër regjimit hegjemonist”, vlerësoi Smaka. Sipas tij, në preambulë duhet theksuar rezistenca pasive dhe aktive e shqiptarëve, si dhe të gjitha dokumentet e miratuara në frymë të krijimit të shtetit të Kosovës, nga viti 1912 deri më 1999. Ngjashëm, edhe Avdullah Robaj thekson se deklarata e pavarësisë së Kosovës duhet të shpjegojë se si Kosova ka arritur deri te ajo ditë, edhe në aspektin historik të saj. “Në aspektin historik, duhet të niset nga e kaluara e Kosovës, se si ka ardhur Kosova deri këtu dhe ku mbështet në fakt vullnetin politik të kësaj deklarate. Pra, duhet të përmendet e kaluara historike e popullit të Kosovës që nga viti 1912 dhe në mënyrë të veçantë lufta e UÇK-së dhe e popullit të Kosovës, si dhe bombardimet e NATO-s më 1999. Pra, këtu duhet të jetë bazamenti, apo themeli, apo e drejta e Kosovës. Duke u bazuar në këto vlera, Kosova ka të drejtë ta shprehë vullnetin. Pastaj, duhet të bazohet edhe në deklaratën universale të OKB-së, për lirinë dhe të drejtat e njeriut dhe për të drejtën për vetëvendosje; edhe në atë të vitit 1948, patjetër që duhet të mbështetet kjo deklaratë. Dhe, të gjitha këto të përmblidhen në një faqe, ku Kosova, përkatësisht Kuvendi i Kosovës duhet ta shpallë pastaj dhe në mënyrë unanime të votohet për këtë deklaratë”, tha Robaj. Sido që të jetë, zyrtarët kosovarë thonë se deklarata e pavarësisë me gjasë do të miratohet në koordinim me komunitetin ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG