Ndërlidhjet

logo-print

MOSKË


Presidenti i Rusisë Vladimir Putin e ka kundërshtuar në mënyrë kategorike pavarësinë e Kosovës. Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin dhe kryeministrin e Serbisë, Boris Tadiq e Vojisllav Koshtunica.
"Gjatë shkëmbimit të pikëpamjeve, ne riafirmuam se Rusia kategorikisht e kundërshton shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, e cila seriozisht mund ta dëmtojë tërë sistemin legal ndërkombëtar, dhe mund të ketë pasoja negative për Ballkanin dhe gjithë botën", tha Putin. Ai tha se qëndrimi i Rusisë për Kosovën tash fiton mbështetje edhe te politikanët në Evropë, të cilët përkundër presioneve politike brenda strukturës së NATO-s, kanë demonstruar pavarësi të gjykimit.
Tadiq ndërkaq falenderoi Rusinë për mbështetjen dhënë Beogradit rreth Kosovës. "Serbia shumë e respekton qëndrimin e Rusisë rreth Kosovës. Pa këtë qëndrim, Serbia do ta kishte shumë vështirë t'i mbrojë interesat e saj në Kosovë", tha Tadiq.
Kryeministri Vojisllav Koshtunica tha se Rusia dhe Serbia po i mbrojnë themelet e rendit botëror dhe së drejtës ndërkombëtare.
Putin dhe Tadiq morën pjesë në nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe në fushën energjetike. Marrëveshjet në vlerë prej disa miliarda dollarësh parashohin kalimin e gazsjellësit nga Serbia dhe shitjen kompanisë shtetërore energjetike serbe. Putin tha se "populli serb duhet ta dijë se Serbia ka te Rusia një mik dhe partner të sigurtë".
XS
SM
MD
LG