Ndërlidhjet

KUÇI: VENDIMI PËR DËRGIMIN E MISIONIT TË BE-SË NË MUAJIN SHKURT


Albana Isufi

Kosovarët janë skeptikë se në takimin e sotëm të ministrave të jashtëm evropianë do të arrihet ndonjë vendim për dërgimin e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë. Megjithatë, zyrtarët kosovarë janë të bindur se ky mision shumë shpejt do të zbarkohet, por situata e ndjeshme politike në rajon ka bërë që vendimi të shtyhet edhe për një kohë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se tanimë po rritet uniteti në mesin e vendeve të BE-së për implementimin e vendimit për dërgimin e misionit evropian në Kosovë. “Unë mendoj se BE-ja tashmë e ka të qartë raportin me Kosovën. Mendoj se shkalla e unitetit është rritur dhe besoj se vetëm pritet vendimi për implementimin teknik të atij vendimi që është marrë më herët. Me siguri se BE-ja në kohën e duhur do ta marrë vendimin e tillë”, tha Kuçi. Ai beson se vendimi do të merret në muajin shkurt. “Besoj se fillimi i shkurtit do të jetë kohë e vendimmarrjeve dhe e implementimit të vendimeve të mëdha dhe të mira për Kosovën”, theksoi Kuçi. Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Serbi, sipas qeveritarëve, ka bërë që të shtyhet vendimi për misionin e BE-së. Megjithatë, kosovarët janë të bindur se herët a vonë misioni i BE-së do të zbarkohet në Kosovë. Një mendim të tillë ka edhe njohësi i çështjeve evropiane, Shenoll Muharremi. “Duhet të kemi parasysh se jemi duke kaluar në një momentum tepër të ndjeshëm. Kjo ka të bëjë me zgjedhjet në Serbi; kjo e zbeh marrjen e vendimit të menjëhershëm. Sido që të jetë, për Kosovën është me rëndësi që ky mision do të ndodhë në Kosovë. Por, tash jemi duke shikuar ndjeshmërinë e rajonit , për t’u siguruar se nëse sot merret ndonjë vendim, të mos ketë kundër-efekt në ndonjë vend fqinj të Kosovës”, tha Muharremi. Ministrat e jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, sot, diskutojnë mundësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit me Serbinë. Është thënë se do të diskutohet edhe për Kosovën, por jo edhe të merren vendime. Zëvendëskryeministri Kuçi konsideron se vendosja e misionit të BE-së në Kosovë do të bëhet pas pavarësisë. “Është çështje e vendimit politik. Por, unë mendoj se gjithsesi ai mund të vijë në kuptimin e rrjedhojës logjike e juridike pas pavarësisë”, tha Kuçi. Misioni i BE-së, i përbërë nga 1800 persona, që do të dërgohen në Kosovë si përforcim për sundimin e ligjit, pritet që të zëvendësojë administratën e UNMIK-ut. Analistë të ndryshëm thonë se Rezoluta 1244 nuk e pengon ardhjen e këtij misioni, përderisa një deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, do të mund të ishte e mjaftueshme për zbarkimin e këtij misioni. Por, mediat ndërkombëtare raportojnë se Ban Ki Moon është duke hezituar që të nënshkruajë një deklaratë të tillë.

XS
SM
MD
LG