Ndërlidhjet

SHPK-ja e gatshme të sigurojë jetën e qytetarëve dhe objektet e kultit




Situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe stabile, kanë bërë të ditur zyrtarët e Shërbimit Policor të Kosovës. Ata thonë se analizat e fundit javore të Shërbimit Policor të Kosovës dhe të policisë së UNMIK-ut, tregojnë se situata është normale, edhe pse Kosova, sipas tyre, është në prag të zgjidhjes së statusit final të saj.

Reshat Maliqi, asistent i komisarit të policisë së Kosovës për operativë, thotë se policia e ka përgatitur planin ‘Statusi’ dhe se plani tjetër ‘Ec dhe bisedo’ është duke u zbatuar. “Ka kohë që kemi përgatitur planin tonë operativ ‘Statusi’. Shtimi i patrullave në këmbë nëpër të gjitha pjesët e territorit të Kosovës, në bashkëpunim me kuvendet komunale, me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me TMK-në, me KFOR-in dhe të gjithë qytetarët. Ne, tani, veç kemi filluar ta implementojmë një plan operativ, i cili quhet ‘Ec dhe bisedo’, që përmes tij të ngremë ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe të ndalemi të bisedojmë me ta, t’i pyesim rreth halleve, sigurisë, se sa ndihen ata të sigurt”, tha Maliqi.

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se nëse shpallet pavarësia e Kosovës, mund të ketë kërcënime të ndryshme. Ai thotë se kërcënimet mund të vijnë nga strukturat paralele serbe, që, sipas tij, veprojnë në Kosovë. “Kërcënimet mund të vijnë nga strukturat paralele, të cilat kanë qenë të organizuara që tetë vjet e më aty, qofshin në formë të policëve të MUP-it serb, qofshin nga e ashtuquajtura ish-mbrojtja territoriale, e ndoshta edhe të një pjese të SHPK-së, pjesëtarët serbë që do ta braktisnin SHPK-në”, tha Qehaja.

Por, Reshat Maliqi, nga SHPK-ja, tha se në bashkëpunim me pjesëtarët e komunitetit serb, që janë pjesë përbërëse e policisë së Kosovës, do të veprojnë në kohë, për të ruajtur sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve. “Shtrirja e planit është në tërë territorin e Kosovës, edhe në vendbanimet ku kemi qind për qind popullatë të nacionaliteti serb. Është plan i përbashkët, është plan policor në mes të policisë së UNMIK-ut dhe SHPK-së. E dini që shërbimi ynë është shërbim multietnik, ka edhe pjesëtarë të nacionalitetit serb, dhe ata së bashku me policinë e UNMIK-ut, do të kujdesen për mbajtjen e rendit dhe të qetësisë në zonat e caktuara, ku ata punojnë dhe veprojnë”, tha Maliqi. Ai ka shtuar se plani i tyre për siguri parasheh edhe ruajtjen e objekteve të ndryshme fetare e kulturore.

Ndryshe, Departamenti për Menaxhim të Emergjencave i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në dy ditët në vijim të kësaj jave, ka paraparë një trajnim për SHPK-në, TMK-në, Shërbimin e Zjarrfikësve, Ministrinë e Drejtësisë etj. me temën ‘Struktura kombëtare për menaxhim të krizës’. Besim Zyrapi, drejtor i këtij departamenti, thotë se ky trajnim bëhet për t’i përgatitur të gjitha strukturat për çfarëdo situate të mundshme. “Këtë e kemi bërë për arsye se çdoherë kur bëhen zgjedhjet e reja, ndryshohen edhe strukturat, si në nivelin qeveritar, ashtu edhe në atë komunal. Duhet të jemi të gatshëm, të përgatitemi për të shpjeguar se si menaxhohen emergjencat në Kosovë”, ka thënë Zyrapi.

Sido që të jetë, kohë më parë, zyrtarët e Shërbimit Policor të Kosovës, ata të UNMIK-ut dhe të KFOR-it kanë thënë se kanë plane të ndryshme për situata të ndryshme.
XS
SM
MD
LG