Ndërlidhjet

Vështirësitë e pensionistëve për 75 euro në muaj


Për shkak të procedurave të ndërlikuara për grumbullimin e dokumenteve për të aplikuar për rritje të pensionit dhe për shkak të mosmiratimit të buxhetit të konsoliduar të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, pensionistët kontribut-dhënës vetëm pas muajit mars do të mund të fillojnë t’i marrin pensionet nga 75 euro, thonë përfaqësues të pensionistëve.

Ndryshe, vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka ndarë 16 milionë euro për pensionistët e Kosovës, me çka 35 mijë pensionistë që kanë kontribuar në sistemin e vjetër pensional, nga 1 janari i këtij viti do të kenë pension prej 75 eurosh, ndërkaq kategoritë tjera do të vazhdojnë t’i marrin nga 40 euro në muaj.

Shaban Kajtazi, sekretar në Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës, tha se procedurat për aplikim janë shumë të vështira për t’u realizuar. Përveç kërkesës që pensionistët duhet të dëshmojnë se kanë 15 vjet përvojë pune dhe kanë mbi 65 vjet, Kajtazi tha se nevojiten edhe procedura tjera. “Ka vështirësi, pasi shumë ndërmarrje kanë humbur dokumentacionin. Ndërsa administrata e pensioneve e disponon materialin për secilin pensionit dhe punëtor, por ka vështirësi se ato duhet të kërkohen, janë shumë lëndë, duhet kohë. Shumë pensionistë ankohen në këto procedura që janë paksa të ndërlikuara”, tha Kajtazi.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë pohojnë se këto rregulla janë konform udhëzimeve administrative dhe konform ligjit. Gjergj Dedaj, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se pavarësisht vështirësive, këto procedura duhet patjetër të respektohen, për shkak të keqpërdorimeve të mundshme. “Ka raste të keqpërdorimit, kur një qytetar merr 2-3 pensione të ndryshme, ose jeton në botën e jashtme e merr pension në Kosovë. Kështu që ne do të mundohemi t’i japim fund këtyre keqpërdorimeve dhe kjo që kërkohet prej aplikuesve të rinj, është konform udhëzimeve administrative dhe konform ligjeve”, theksoi Dedaj.

Fatmir Fehmiu, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, tha se për grumbullimin e dokumenteve duhet të angazhohen edhe institucionet vendore. “Është e vërtetë se Fondi i Sigurimit Pensional i Serbisë disponon me të gjitha shënimet. Por, edhe këtu duhet që institucionet ku kanë punuar njerëzit, byroja e punës, të hulumtojnë se ku gjenden shënimet e njerëzve, se ata kanë librezat e punës, kanë vendimet e tyre për marrëdhënie pune. Prandaj, në këtë duhet të angazhohen ministria me shërbimet që i ka”, u shpreh Fehmiu.

Problem tjetër për pensionistët është edhe zyra e administratës pensionale, e cila është jashtë kryeqytetit, ndërkaq numri i punëtorëve administrativë është shumë i vogël. Fatmir Fehmiu, kryetar i Sindikatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, thotë se pensionistët përkundër moshës se shtyrë dhe sëmundjeve të ndryshme, duhet të presin deri në tri orë në radhët e gjata. Ai thotë se po në këtë zyrë, një pensionist ka gjetur vdekjen, duke pritur në radhë për të dorëzuar aplikacionin për rritje të pensionit. Ndryshe, përfaqësuesit e pensionistëve, për këtë çështje tashmë kanë reaguar disa herë edhe tek organet qeveritare. “Objektet që kanë ndërtuar me paratë e pensionistëve, janë të uzurpuara apo po uzurpohen nga organet që janë të obliguara të respektojnë ligjin. Është dërguar zyra në Matiçan, ku kushtet janë minimale, ku ka ndodhur vdekja e një pensionisti, duke dorëzuar fletë-aplikacionin për këtë rritjen e pensioneve në 75 euro”, tha Fehmiu.

Gjergj Dedaj, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pohon se tashmë janë duke shikuar mundësitë për gjetjen e një objekti më të përshtatshëm për pensionistë, në mënyrë që të lehtësohet puna e tyre. “Shpresoj se shumë shpejt ajo zyrë do të mbyllet, sepse nuk i plotëson kushtet e nevojshme; është larg qytetit, është pa kushte elementare. Për këtë, shumë shpejt kabineti i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe stafi i saj do të marrin masa paraprake”, tha Dedaj.

Sidoqoftë, në Kosovë gjenden mbi 100 mijë pensionistë, të cilët marrin nga 40 euro në muaj, pavarësisht punës dhe kontributit që kanë dhënë. I vetmi kriter për të gëzuar këtë shumë të mjeteve është që ata t’i mbushin 65 vjet.

XS
SM
MD
LG