Ndërlidhjet

logo-print

NAIMARK:“RUSIA E PËLQEN KONFLIKTIN NË BASHKIMIN EVROPIAN”


Norman NAIMARK, Instituti Hoover

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Naimark, autoritetet në Kosovë pohojnë se shpallja e pavarësisë është çështje ditësh tani. A mendoni se ka ardhur koha për ta bërë një shpallje të këtillë?

NORMAN NAIMARK
Koha për një gjë të këtillë ka ardhur që moti. Unë jam i mendimit se Kosova është dashur të jetë tashmë e pavarur. Në këtë kuptim, në parim, koha për pavarësinë ka kaluar që moti. Në praktikë, duhet kuptuar se Qeveria e Kosovës duhet të punojë bashkërisht me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Prandaj, shpresoj se kur ata thonë se është çështje ditësh, atëherë kjo nënkupton se ata i kanë bërë detyrat e shtëpisë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe se tash të gjithë jani gati për deklaratën e koordinuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, është thënë se ekziston rreziku i jostabilitetit. Një prej shqetësimeve kryesore është reagimi i serbëve të Kosovës që jetojnë në veri. Si e shihni ju këtë çështje?

NORMAN NAIMARK
Mendimi im në këtë drejtim është se serbët e Kosovës që jetojnë në veri dhe serbët në përgjithësi do të mësohen shpejt me pavarësinë e Kosovës. Është në interesin e secilit që të hiqet ky gjemb nga siguria në Ballkan. Ka të atillë që thonë se pavarësia e Kosovës do të jetë faktor jostabiliteti, por sipas mendimit tim se pa pavarësinë, Kosova është faktor jostabiliteti. Prandaj, e vlen të rrezikohet me ndoshta jostabilitetin në veri dhe që ky proces të marrë fund. Siç e thashë edhe më parë, kjo çështje vazhdon të jetë si një gjemb në sigurinë e rajonit dhe ka ardhur koha që të hiqet ky gjemb.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa sfiduese mendoni se do të jetë tërheqja e këtij gjembi?

NORMAN NAIMARK
Nuk do të jetë e lehtë, sigurisht. Por, sipas planit të Ahtisaarit, e unë mendoj se pavarësia do të shpallet në kontekstin e këtij plani, parashihet një numër masash konkrete të cilat Qeveria e Kosovës do të jetë e obliguar t’i ndërmarrë, për të garantuar një formë të caktuar të autonomisë kulturore dhe politike për serbët. Nëse kjo bëhet dhe njëkohësisht i kushtohet kujdes sigurisë, me ardhjen e misionit të Bashkimit Evropian, atëherë e gjitha kjo mund të bëhet pa shumë dhimbje apo gjakderdhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështja e deklaratës së pavarësisë aktualisht është në pritje të një qëndrimi të përbashkët të Bashkimit Evropian. A mendoni se evropianët do të pajtohen me njëri-tjetrin në këtë drejtim?

NORMAN NAIMARK
Unë nuk i di diskutimet e brendshme të Bashkimit Evropian mbi këtë çështje. Por, është e qartë se ka disa vende brenda BE-së, si Qiproja, Greqia e ndoshta edhe Rumania, të cilat kundërshtojnë deklaratën e pavarësisë dhe pavarësinë e Kosovës në përgjithësi, duke mbështetur pozicionin e serbëve. Megjithatë, mendoj dhe shpresoj se vendet më të mëdha evropiane, jo Rusia natyrisht, por Italia, Franca, Gjermania dhe Britania, do ta njohin Kosovën, bazuar në planin e Ahtisaarit dhe të tjerët në fund do ta bëjnë të njejtën gjë. Me fjalë të tjera, ata që janë ngritur në këmbë dhe thonë “jo”, në fund do ta njohin Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke i marrë parasyshë këto zhvillime, a mendoni se ekziston rreziku i shtyrjeve të mëtutjeshme në raport me përcaktimin e statusit?

NORMAN NAIMARK
Edhe më parë kam pasur shpresa të mëdha, por është e vështirë të jesh 100 përqind optimist se gjithëçka do të shkojë ashtu siç do të donim në javët dhe muajt e ardhshëm. Por, në këtë moment, mendoj se secili e kupton, të paktën vendet e fuqishme në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, se sa më shumë që të ketë vonesa, as më e ëvshtirë do të jetë. Prandaj, me përfundimin e zgjedhjeve në Serbi, Qeveria në Kosovë, në harmoni me pesëshen do ta shpallë pavarësinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo “betejë ndërkombëtare”, nëse mund ta quaj ashtu, filloi me qëndrimin e palëkundur të Moskës kundër pavarësisë së Kosovës pa pajtimin e Beogradit. Cilat janë interesat e Rusisë në këtë drejtim?

NORMAN NAIMARK
Ka një numër interesash, të cilat mendoj se do të zhduken pasi të jetësohet pavarësia e vërtetë për Kosovën. Një pjesë e këtyre interesave kanë të bëjnë me ndarjen e Bashkimit Evropian, Rusia e pëlqen konfliktin brenda Bashkimit Evropian. Një pjesë tjetër e interesave ka natyrë anti-amerikane. Siç e dini, Rusia është në anën tjetër të shumë çështjeve këto ditë në krahasim me Shtetet e Bashkuara. Pjesa tjetër e interesave kanë të bëjnë me mbështetjen për aleatin tradicional, në këtë rast Serbinë. Mendoj se historikisht, Rusia ka sakrifikuar serbët po aq sa edhe i ka mbështetur ata, por kjo nuk është e diskutueshme. Ata e portretizojnë vetveten si aleatë, miq, kushërinj të mëdhenj të serbëve. Interesat tjera kanë të bëjnë me përhapjen e ndikimit në Serbi dhe Ballkan, me fjalë të tjera, duke e mbajtur Serbinë jashtë Bashkimit Evropian. Por, të gjitha këto do të zhduken pasi Kosova ta ketë shpallur pavarësinë e saj. Dhe nëse Serbia është mjaft e marrë që të përqafojë aleancën me Rusinë dhe të mbetet jashtë Bashkimit Evropian, atëherë kjo do të jetë përgjegjësi e vetë serbëve. Por, unë nuk mendoj se do të jetë kështu, mendoj se serbët e kuptojnë se e ardhmja dhe interesat e tyre janë në kuadër të Bashkimit Evropian, duke ruajtur njëkohësisht sa më mirë që të munden raporte të mira me Rusinë. Edhe Bullgaria, si aleate tradicionale e Rusisë, ka hyrë në Bashkimin Evropian dhe njëkohësisht përpiqet të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë. Mendoj se një të ardhme të këtillë do ta ketë edhe Rusia.

INTERVISTOI ARBANA VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG