Ndërlidhjet

BUSH NËNVIZON ARRITJET NË FJALIMIN VJETOR


Presidenti amerikan ka mbajtur fjalimin e tij vjetor para kombit, i fundit ky për George Bushin në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Ekonomia ka qenë tema kryesore e debatit në Uashington gjatë muajve të fundit dhe kësaj teme nuk i ka ikuar as presidenti amerikan. Bush i kushtoi ekonomisë një pjesë të konsiderueshme të fjalimit të tij, që u mbajt në një sesion të përbashkët të Senatit dhe Dhomës së Ulët të Kongresit.
Bushi kërkoi nga Kongresi të miratojë paketën e masave që synojnë mëkëmbjen ekonomike të vendit, duke i bërë thirrje demokratëve që kanë shumicën në Kongres, por dhe republikanëve të mos ta ndryshojnë paketën e hartuar nga Shtëpia e Bardhë pasi kjo do shkaktonte vonesa.
Gjatë fjalimit vjetor të këtij viti presidenti Bush një pjesë të madhe ia kushtoi problemeve të brendshme si politikat fiskale, nismat në fushën e arsimit dhe reformën legjislative.
Por nuk mbeti pas dore as politika e jashtme.
Bush jo pa krenari foli për mbështetjen që administrata e tij i ka dhënë lëvizjeve demokratike në ish vendet komuniste dhe disa vende me shumicë myslimane.
"Gjatë 7 viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë të momenteve kyce në historinë e lirisë. Kemi parë qytetarët në Gjeorgji dhe Ukrainë të ngrihen në këmbë për të drejtën e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kemi parë se si libanezët mbushën rrugët për të kërkuar pavarësinë. Kemi parë se si afganët, të cliruar nga tirania e talibanëve, zgjodhën parlamentin dhe presidentin. Kemi parë irakianët triumfues të ngrejnë dy gishtat lart duke festuar lirinë. Këto imazhe të lirisë na kanë frymëzuar", tha Bush.
Më tej ai foli më gjerësisht për Irakun duke theksuar faktin se 80 mijë irakianë kanë marrë armët dhe i janë bashkuar forcave amerikane në kuftën kundër Al Kaidës dhe kryengritësve.
Duke theksuar rënien e ndjeshme të dhunës në Irak gjatë vitit 2007, ai theksoi se askush nuk do ta kishte menduar një gjë të tillë një vit më parë.
Megjithëse armiqtë e Irakut janë goditur rëndë ata nuk janë mundur, shtoi presideeti amerikan. Për 2008 qëllimi i administratës Bush në Irak është forcimi i strukturave irakiane të sigurisë dhe rritja e fitoreve në këtë front, në mënyrë që trupat amerikane të fillojnë të kthehen në shtëpi.
"Trupat amerikane po lëvizin nga drejtimi i operacioneve drejt partneritetit me forcat irakiane, e më pas do kenë vetëm mision mbikëqyrjeje", tha presidenti amerikan, duke shtuar se tërheqja e tashme e trupave nga Iraku do të ishte me pasoja të rënda. Një hap i tillë do t'i lejonte armiqve të rikthenin gjakderdhjen.
Edhe Irani nuk mbeti pa u përmendur. Bushi çmoi lart vlerat e popullit iranian dhe respektin që ka Amerika për historinë e tyre të gjatë. SHBA-të mezi presin ditën që Irani të përjetojë lirinë, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë. Ai theksoi se i takon udhëheqësve të Iranit që të heqin dorë nga programet bërthamore.
Qëndriemt e presidentit Bush në politikën e jashtme nuk janë pranuar nga demokratët. Në emër të tyre foli guvernatorja e Kansasit Kethlin Sebelius.
Ajo theksoi se ka ardhur koha për një fund të shpejtë të luftës në Irak, derisa amerikanët janë të gatshëm t'i bashkohen aleatëve në luftën globale kundër terrorizmit.
"Pesë vitet e fundit na kanë kushtuar humbje në jetë njerëzish, mijëra ushtarë të palgosur, jeta e të cilëve nuk do jetë më njësoj. E ardhmja e këtyre ushtarëve është në pikëpyetje pasi burimet tona janë fokusuar në drejtime të tjera", tha Sebelius.
Guvernatorja e Kansasit kërkoi që republikanët të punonin së bashku me demokratët në mënyrë që Amerika të rifitonte vendin e saj në botë dhe të mos prisnin që kjo të ndodhë vetëm pas një viti me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të presidentit të ri.

Andrew Tully - Uashington
XS
SM
MD
LG