Ndërlidhjet

NDËRKOMBËTARËT DHE VENDORËT ME PLAN PREVENTIV PËR KOHËN E STATUSIT


Zijadin Gashi

Administrata e UNMIK-ut, forca ushtarake e KFOR-it dhe qeveria e Kosovës po i harmonizojnë planet e tyre për javët dhe muajt në vijim, në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në një takim trepalësh të zhvilluar sot ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker dhe komandantin e KFOR-it, Xavier de Marnhac u tha se strukturat vendore dhe ato ndërkombëtare kanë plan të përbashkët veprimi, përfshi edhe planin preventiv, në rast të përshkallëzimit eventual të gjendjes së sigurisë në kohën e marrjes së vendimit për statusin. Kryeministri Thaçi tha se masat që autoritetet e Kosovës po i ndërmarrin me ndërkombëtarët kanë si synim ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës dhe stabilitetit të saj të brendshëm.
“Tanimë Kosova ka planin e vet preventiv bashkë me autoritetet e UNMIK-ut dhe NATO-s. I gjithë ky përkushtim është në drejtim të asaj që të respektohet, të garantohet integriteti territorial i Kosovës, të jetë i pacenueshëm dhe secili të merr përgjegjësitë që i takojnë edhe për ditën e vendimit, edhe pas ditës së vendimit për statusin që të kemi Kosovë të qetë e stabile”, tha Hashim Thaçi. Ndërkohë, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker tha se javët dhe muajt e ardhshëm duhet menaxhuar me kujdes, pasi që dihet se gjatë asaj periudhe do të merren vendime të rëndësishme. “Ne së bashku do të punojmë që të sigurohemi se javët dhe muajt e ardhshëm të jenë muaj e javë të paqes e stabilitetit”, tha Ruecker. Sipas tij, këto masa preventive kanë të bëjnë me parandalimin e çdo të papriture në këtë proces, edhe pse ai shfaqi besimin se qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar rëndësinë e ruajtjes së paqes në Kosovë. Në anën tjetër, komandanti i KFOR-it, gjenerali Xavier de Marnhac tha se i garantonte qytetarët se kufijtë e Kosovës nuk do të preken në kohën e marrjes së vendimit për statusin. “KFOR-i e konsideron gjithmonë Kosovën si të tërë dhe kështu trajtohet edhe nga Grupi i Kontaktit dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtar”, tha gjenerali Marhac. Plani i përbashkët preventiv i kosovarëve dhe ndërkombëtarëve u tha se nuk orientohet në indikacionet se rreziku vjen nga ky apo ai vend fqinjë e as nga ndonjë grupacion politik apo etnik. Por, sidoqoftë, krerët e pranisë civile e ushtarake ndërkombëtare dhe kryeministri i Kosovës thanë se e shohin si të rëndësishëm këtë plan që Kosova të mos befasohet në çdo rast apo ndaj çdo lloj provokimi të mundshëm.
XS
SM
MD
LG