Ndërlidhjet

PETTIFER:"PAKOJA E MOSKËS – TEKNIKË SHANTAZHI"


James PETTIFER, Instituti Mbretëror për Marrëdhënie me Jashtë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pettifer, ndërkohë që autoritetet në Kosovë janë duke bërë përgatitjet për shpalljen e pavarësisë, Bashkimi Evropian ende është duke bërë përpjekje për të dalë me një përgjigje të përbashkët në këtë drejtim. Si e shihni ju këtë çështje?

JAMES PETTIFER
Mendoj se në këtë kuadër ka pasur përparime. Shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian tani janë të gatshme të ndjekin rrugën e Brukselit, të paktën në kuptimin formal. Megjithatë, duhet të presim dhe të shohim se çfarë po ndodhë në terren, ka vende si Rumania dhe Bullgaria, të cilat nuk janë edhe aq të lumtura me kahjen që kanë marrë zhvillimet. Ato mund të bëjnë përpjekje të krijojnë pengesa burokratike për Kosovën, por pasi të jetë shpallur pavarësia. Një prej problemeve që do të shfaqet menjëherë mendoj se do të jenë pasaportat. Serbët do të dalin me një model të ri pasaportash, që do të thotë se të gjitha pasaportat e vjetra jugosllave nuk do të vlejnë më. Dhe çuditërisht, një numër i konsiderueshëm i njerëzve në Kosovë vazhdon t'i ketë këto pasaporta.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se Bashkimi Evropian duhet të ketë konsensus të plotë mbi këtë çështje në mënyrë që pavarësia të jetë efektive?

JAMES PETTIFER
Jo dhe mendoj se me kohë, njerëzit fillojnë ta pranojnë realitetin pavarësisht nga fakti se mund të mos u pëlqejë. Madje edhe Serbia do ta bëjë këtë, megjithëse do të marrë pak kohë. Në këtë kuadër, e vlerësoj si të rëndësishme atë që ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, para Krishtlindjeve, se nëse ka probleme rreth kufijve apo transportit, ai do t'i hapë rrugët dhe limanet në Shqipëri për shfrytëzim nga Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke marrë parasysh kundërshtimet e fuqishme që vijnë nga Beogradi mbi deklaratën e pavarësisë, ka shqetësime se siguria brenda në Kosovë mund të përkeqësohet. Mendoni se do të ketë dhunë?

JAMES PETTIFER
Mendoj se do të ketë probleme, po. Por, gjithashtu mendoj dhe shpresoj se serbët më të arsyeshëm që jetojnë në Kosovë do të kuptojnë se nëse duan të kenë një të ardhme më afatgjatë, këtë do të mund ta arrijnë si pakicë kombëtare në Kosovë dhe jo si pjesë e një klase që shikon prapa drejt një bote ëndërrimtare jugosllave. Tani mendoj se në rradhët e serbëve të Kosovës ka liderë më të arsyeshëm, por në veçanti, në Mitrovicë mund të ketë probleme, sepse disa njerëz do të bëjnë përpjekje të dëshmojnë se e kaluara është ende e pranishme. Por, në fund, do të jetë e kuptueshme se kjo nuk mund të bëhet në jetën reale.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke marrë parasysh zhvillimet në bllokun evropian për të cilat folëm pak më parë, pastaj kundërshtimet e Moskës dhe të Beogradit, a mendoni se ka rrezik të shtyrjes së mëtutjeshme të përcaktimit të statusit?

JAMES PETTIFER
Jo për ndonjë shtyrje serioze, jo nuk mendoj, sepse që prej fundit të vjeshtës, ky proces ka marrë një dinamikë të cilën do të jetë e vështirë për ta ndalur për interesin e kujtdo. Mendoj se tani të gjithë e dinë se nuk do të ketë rezolutë të Këshillit të Sigurimit mbi këtë çështje dhe se ky proces duhet të vazhdojë sa më mirë që mundet pa këtë rezolutë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pettifer, Rusia ka deklaruar se ka një pako masash që do t'i ndërmarrë pasi Kosova ta shpallë pavarësinë. Çfarë mendoni për të; cilat mund të jenë rreziqet e kësaj pakoje?

JAMES PETTIFER
Aktualisht nuk e dimë, por nuk mendoj se dikush duhet të merret me shantazhistë. Kjo është pikërisht një teknikë që e shfrytëzojnë shantazhistët. Rusia është një shtet sovran, duhet të shikojë vetveten dhe jo të ndërhyje në punët e një shteti tjetër sovran. Nëse ata e bëjnë një gjë të këtillë, kjo nuk do të pranohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej çështjeve që vazhdon të shihet si një prej sfidave më të mëdha pas shpalljes së pavarësisë është veriu i Kosovës. Mendoni se idetë për ndarjen e veriut janë ende "gjallë" apo shihni integrim?

JAMES PETTIFER
Pajtohem me ju se kjo çështje do të jetë shumë sfiduese. Në fakt, tashmë ekziston një ndarje de-facto ekonomike në veri. Atje vazhdon të shfrytëzohet valuta serbe, lidhjet e transportit dhe të infrastrukturës janë të gjitha të ndërlidhura me Beogradin dhe kjo gjendje, kam frikë se do të mbetet e tillë për një kohë të gjatë. Megjithatë, mendoj se në veri, serbët do të ishin të marrë për ta shkëputur këtë pjesë. Përveç faktit se një gjë e këtillë do të ishte e paligjshme, ata gjithashtu do t'i humbnin të gjitha përfitimet ekonomike që i kanë si pakicë në Kosovë dhe gjithë ndihmën e atyre njerëzve që përpiqen ta ndihmojnë këtë pakicë të integrohet dhe të ketë një jetë të dinjitetshme. Në rast të ndarjes, e gjithë kjo sasi parash dhe e gjithë kjo ndihmë, do të ndalej menjëherë. Dhe kjo është ajo për të cilën ata duhet të mendojnë, sepse në aspektin ekonomik, tani është më mirë të jesh një serb në Kosovë se sa një serb, i cili jeton në një fshat të varfër në jug të Serbisë, për të cilin s'ka dëgjuar njeri.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pettifer, bazuar në agjendën ndërkombëtare të zhvillimeve, kur mendoni se Kosova do të bëhet e pavarur?

JAMES PETTIFER
Mendoj se nga pikëpamja e sigurisë, gjë që natyrisht e intereson secilin, veçanërisht NATO-n, ekziston një mundësi e madhe për një vendim të shpejtë menjëherë pas rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në Serbi. Kjo për faktin se çdo vonesë tjetër, do të sjellë vetëm jostabilitet dhe kjo është gjëja e fundit e cila duhet të ndodhë.
Prandaj, kam shpresa se vendim do të merret shumë shpejtë, pasi të jenë bërë të ditura rezultatet e zgjedhjeve në Serbi.

INTERVISTOI ARBANA VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG