Ndërlidhjet

MT: Prapësia ballkanike e Putinit


Moscow Times

Rusia përsëri ka marrë vrull. Këtë herë Kremlini i ka futur gishtat në sy Perëndimit rreth përpjekjeve për t'i sjellë Kosovës pavarësinë formale. Për dallim nga zhurma rreth mburojës raketore amerikane në Evropë, ky konflikt nuk tregon shenja të zbutjes dhe kërcënohet t'i prishë edhe më tej marrëdhëniet e ngurta ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit.
Në çdo pikë Rusia i ka sfiduar përpjekjet e Perëndimit që të përshpejtojë pavarësinë e Kosovës. Pas një viti negociatash mes Serbisë dhe Kosovës, Kremlini i presidentit Vladimir Putin e hodhi poshtë raportin e ndërmjetësuesit të Kombeve të Bashkuara për pavarësi të mbikqyrur, duke parandaluar që ky raport të miratohet nga Këshilli i Sigurimit. Rusia insistoi në tre muaj shtesë të negociatave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, megjithëse kompromisi u bë i pamundur. Tre javë më parë në Këshillin e Sigurimit, Rusia përsëri insistoi se çdo marrëveshje duhet të ketë pëlqimin e Serbisë dhe Kosovës, dhe se nevoiten negociata të mëtejme. Rusia e di se bisedimet e tilla do të ishin të padobishme, por beson se një apel i tillë për bisedime, i cili duket pa sherr, mund ta prishë unitetin e Bashkimit Evropian, që duket se është qëllim jetik i Putinit. Shtyrja e mëtejme gjithashtu mund të nxiste dhunë në Kosovë dhe të minonte përjekjet ndërkombëtare për pavarësi.
Kundërshtimin e Putinit e nxit urrejtja e tij ndaj marrëdhënieve "të nënshtruara" të Rusisë me Perëndimin në kohën e Boris Jelcinit. Por vonesat e Perëndimit në zgjidhjen e statusit të Kosovës lejuan që ky kundërshtim të marrë hov. Në fakt, Perëndimi vazhdimisht në mënyrë të gabuar i ka lexuar qëllimet e Rusisë rreth Kosovës, dhe shumica pohonin se Kremlini po e shtyn të pashmangshmen, por më në fund nuk do ta bllokojë pavarësinë. Tash Rusia i mbetet besnike pozicionit obstrukcionist, dhe zgjedhjet presidenciale në mars edhe më shumë do t'i forcojnë qëndrimet anti-perëndimore.
Por, çfarë do bëjë Putini kur Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të BE-së do ta njohin Kosovën e pavarur në muajt e ardhshëm pa bekimin e Kombeve të Bashkuara, siç po planifikojnë tani?
Nuk ka mundësi që Kremlini të përpiqet për ndonjë ndërhyrje tjetër ushtarake në Kosovë, si në vitin 1999 kur pësoi fiasko me zbarkimin e trupave në aeroportin e Prishtinës. Por Kremlini tash ka mundësi tjera, dhe me efektivitet e mbështet intrasigjencën nacionaliste të Serbisë rreth Kosovës. Rusia është thënë se nuk nuk do t'i japë Serbisë çekun e bardhë, por me gjasë do t'i mbështesë përpjekjet e qeverisë serbe për ta izoluar dhe destabilizuar Kosovën e pavarur.
Përderisa Serbia i ka rezistuar ndarjes së Kosovës, Rusia gjithashtu mund ta mbështesë propozimin serb për ndarjen e pjesës veriore të banuar me serbë, një përpjekje që do të hapte kutinë e Pandorës me ndarje të mundshme të Serbisë, Bosnjes dhe Maqedonisë. Një propozim i tillë mund të fitonte pak mbështetje në Evropë dhe gjetkë si një kompromis i duhur, madje nëse përsëri do të destabilizonte Ballkanin.
Rusia gjithsesi do t'i vazhdojë përpjekjet e saj diplomatike për të bindur botën se negociatat janë rruga e vetme për të zgjidhur problemin, dhe se ai njuk mund të zgjidhet jashtë Kombeve të Bashkuara. Kjo do tërheqë mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, përfshirë dhe ata që kanë pakica të mëdha etnike të pakënaqura.
Rusia gjithashtu mund të reagojë përtej Ballkanit, me gjasë në Kaukaz, duke njohur rajonet që kërkojnë shkëputje në Gjeorgji. Deklarata e pavarësisë së Kosovës me siguri mund të sjellë një deklaratë të ngjashme në Abkhazi, të cilën Rusia mund ta njohë. Nëse Gjeorgjia ndërmerr hapa ushtarakë për ta parandaluar, ushtria ruse me siguri do të reagonte me forcë, duke krijuar një situatë që mund të dalë nga kontrolli.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk duan t'i përkeqësojnë marrëdhëniet me Rusinë, por ato nuk mund të zbrapsen para kokëfortësisë ruse, sepse në lojë është siguria e Evropës. Por ata gjithashtu duhet të përpiqen që të parandalojnë konfrontimin me Rusinë në të gjitha frontet.
Perëndimi duhet t'ia bëjë të qartë Serbisë se do të reagojë energjikisht kundër çdo përpjekjeje për të promovuar dhunën apo ndarjen e Kosovës. Dërgimi i trupave shtesë të NATO-s, bashkë me misionin e planifikuar të Bashkimit Evropian për të mbikqyrur pavarësinë e Kosovës, do të ishte shumë i dobishëm.
Rusia e Putinit, e cila i kushton pak kujdes sundimit të ligjit, i ka mbuluar përpjekjet e saj diplomatike me petkun e të drejtës ndërkombëtare, veçanërisht me rezolutën 1244, e cila i dha fund luftës në Kosovë. Tash nevojitet ofenzivë e gjatë diplomatike për t'i kundërshtuar argumentet e Rusisë, si dhe bota të përkujtohet se çfarë ka ndodhur në Kosovë.
Rezoluta 1244 nuk thekson se Kosova duhet të mbetet nën sovranitetin serb, siç insistojnë Rusia dhe Serbia, dhe as që ajo e përjashton pavarësinë. Me të vërtetë, çdo lexim i arsyeshëm i rezolutës, lë të kuptohet se pavarësia do t'i kënaqte synimet e këtij dokumenti dhe qëllimet e mbikqyrjes së vazhdueshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë në tetë vitet e fundit.
Në rastin e Abkhazisë, Perëndimi duhet ta ripërsërisë natyrën sui generis të Kosovës dhe t'i nënvizojë përpjekjet e mëdha që janë ndërmarrë atje prej vitit 1999. Bota gjithashtu duhet ta bëjë të qartë se ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Abkhazi është e papranueshme, ndërsa qeveria e Gjeorgjisë duhet të përmbahet të reagojë ushtarakisht ndaj çfarëdo provokimi.
Mënyra se si do të reagojë Rusia ndaj mbështetjes së Perëndimit për pavarësinë e ardhshme të Kosovës, do të jetë test që do të tregojë se sa ka përparuar ajo që nga koha e Luftës së Ftohtë. Përmes menaxhimit të kujdesshëm të procesit të pavarësimit të Kosovës dhe vëmendjes për t'i shfrytëzuar rastet për t'i përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë, Perëndimi mund t'i zbutë pasojat më të rënda të këtij konfrontimi.
Por, pavarësisht nga kjo, Lufta e Ftohtë e re mund të jetë pak më e ftohtë.

Morton Abramovitz, ish ndihmës Sekretar i Shtetit
XS
SM
MD
LG