Ndërlidhjet

logo-print

NGRIHET TERMOCENTRALI “KOSOVA C” PËR NJË VIT!


Nadie Ahmeti

Fituesi i kompanisë për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova C’ nuk do të shpallet në fillim të këtij viti, siç është paralajmëruar deri më tash, por do të shpallet në fund të vitit, thonë zyrtarë qeveritar. Ky hap ka pasuar vendimin e qeverisë së re të rishikojë edhe njëherë projektin dhe për të bërë ndryshime aty, ku, sipas zyrtarëve, janë të arsyeshme. Projekti ‘Kosova C’ është projekti më i madh kapital deri më tani në Kosovë. Por, në kohën kur kanë filluar përgatitjet për këtë projekt, Ministria e Energjisë dhe Minierave është udhëhequr nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, e cila në zgjedhjet e vitit të kaluar ka marrë shumicën e votave, ka qenë në opozitë. Blerim Rexha, zëvendësministër i Energjisë dhe Minierave, tha se ky proces tashmë është ngrirë, që të analizohet edhe njëherë puna e bërë deri më tash. “Momentalisht ne e kemi ngrirë këtë proces, derisa ne, si ministri, ta analizojmë projektin, t’i kuptojmë pak gjërat si kanë shkuar deri më tash. Kjo nuk do të thotë se nuk do të vazhdohet dhe as që do të ripërsëritet, por derisa ne ta kuptojmë punën si është, sepse ne kemi përgjegjësi”, u shpreh Rexha. Zvarritja e këtij procesi është hap i gabuar, thotë ndërkaq ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ai thotë se projekti nuk duhet të humbë në kohë, për shkak të zhvillimeve ekonomike që po ndodhin në tregun rajonal. Çeku thotë se projekti është i përgatitur në mënyrë transparente me të gjitha institucionet politike, kështu që, sipas tij, nuk ka hapësirë për ndryshime. “Nuk besoj se edhe kjo qeveri do t’i pengojë investimet, mbi 4 miliardë euro investime në Kosovë. Do të jetë qëndrim krejtësisht i gabuar që t’i vonojë apo t’i pengojë investimet prej 4 miliardë eurosh në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë, duke ditur se energjia tashmë është bërë një mundësi e madhe zhvillimore për Kosovën”, tha Çeku. Ai pohon se ngrirja e mundshme e procesit të termocentralit ‘Kosova C’ është ngrirje e zhvillimit ekonomik, blerje e energjisë me çmime të larta dhe shpenzime brenda ditës mbi 400 mijë euro për të blerë energji. Dhe, kjo zvarritje, sipas tij, do të jetë vetëm në favor të kompanive rajonale, që Kosova të varet edhe më tutje nga Serbia dhe tregu i jashtëm. Për këtë arsye, Çeku nuk beson se Qeveria e re e Kosovës do të bjerë ndesh me progresin e zhvillimit ekonomik. “Çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të bëhet, e që unë nuk e besoj, do t’i sjellë shumë dëme zhvillimit dhe buxhetit të Kosovës, sepse ne jemi të detyruar që të blejmë energji nga vendet e ndryshme të rajonit. Prandaj, unë e shoh si diçka jo të qëndrueshme, jo të arsyeshme”, tha Çeku. Por, zëvendësministri i Energjisë, Blerim Rexha, pohon se rishikimi i projektit do të ndodhë me të vetmen arsye, pasi, siç thotë ai, Qeveria e Kosovës duhet të mbajë përgjegjësi për punën dhe veprimet e bëra. “Ne do ta rishikojmë me të vetmen arsye, sepse ne jemi ata që më vonë do të përgjigjemi për veprimet që i bëjmë në mandatin tonë. Me të vërtetë, kjo kërkon analizë të thellë të shumë akterëve, duke filluar prej qytetarëve, mjedisit, zhvillimit ekonomik; nuk ka të bëjë thjesht vetëm me krijimin e një prodhuesi të madh të energjisë, por ka të bëjë me ekonominë e Kosovës”, theksoi Rexha. Ndryshe, ndërtimi i termocentralit ‘Kosova C’, me kapacitet instalues 2100 megavat, është projekti më i madh kapital deri më tani në Kosovë, që kap shifrën deri në 3.5 miliardë dollarë. Ky projekt parasheh edhe zhvillimin e një miniere të re të linjitit për furnizimin e njësive gjeneruese në Sibovc dhe rehabilitimin e disa njësive të termocentralit ekzistues ‘Kosova A’. Sipas strategjisë, ky projekt është dashur të fillojë të zbatohet në fillim të vitit 2009 dhe të mbarojë në vitin 2013.
XS
SM
MD
LG