Ndërlidhjet

ANALISTËT: ZGJEDHJET PRESIDENCIALE NË SERBI NDIKOJNË NË KOSOVË


Arton Konushevci

Kosova i ka institucionet e veta vendimmarrëse dhe nuk do të duhej që zgjedhjet presidenciale në Serbi të kenë ndikim në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, thonë analistët. Analisti Driton Lajçi thotë se Kosova i ka organet e veta që marrin vendime dhe nuk do të duhej që zgjedhjet në Serbi të kenë një ndikim të madh, aq më pak në kohën kur në Kosovë është prezente bashkësia ndërkombëtare. “Në parim, nuk do të duhej të kishte, sepse Kosova i ka institucionet e veta, ka Qeverinë e vet, ka organet vendimmarrëse, është prezente edhe bashkësia ndërkombëtare. Mirëpo, në njëfarë mënyre, ka ndikim, sepse bashkësia ndërkombëtare është duke përkëdhelur, duke ledhatuar Serbinë dhe ngjarjet në Serbi. Ngjarjet në Serbi është duke i vrojtuar me shumë kujdes dhe në njëfarë mënyre po përpiqet që ta gjejë momentin më të favorshëm, për ta përkrahur zgjidhjen finale të statusit politik të Kosovës”, tha Lajçi. Ai shtoi më tutje se zgjidhja e statusit të Kosovës, vazhdimisht po lidhet me zhvillimet në Serbi. Prandaj, sipas Lajçit, edhe kësaj radhe po pritet rezultati i zgjedhjeve presidenciale, për t’u marrë më pas vendimet e rëndësishme rreth statusit në Kosovë. “Po, lidhet me datën e shpalljes së pavarësisë së mbikëqyrur dhe të koordinuar të Kosovës. Janë duke u marrë parasysh zhvillimet në Serbi, për t’u ndërmarrë hapa vendimtarë në Kosovë”, u shpreh Lajçi. Kurse analisti tjetër, Baton Haxhiu, thotë se zgjedhjet në Serbi po ndikojnë edhe në Kosovë. Ai konsideron se nëse fiton, më 3 shkurt, Tomisllav Nikoliq, nga Partia Radikale Serbe, Kosova menjëherë do të duhej ta shpallte pavarësinë. “Dhimbja për Kosovën është kushdo që fiton, qoftë Tadiqi, qoftë Nikoliqi. Ndryshe, nëse Nikoliqi fiton, data 3, ose në orën nëntë në mbrëmje, për mua data 4 është vonë, do të duhej të shpallej pavarësia, menjëherë. Kjo është ajo që e dallon procesin politik në Serbi me pavarësinë e Kosovës”, tha Haxhiu. Por, sipas tij, nëse fiton Boris Tadiq, nga Partia Demokratike, atëherë do të duhej që të bëhej një koordinim me Bashkësinë Evropiane dhe SHBA-të, për arsye të mbajtjes së një balanci politik regjional, thotë Haxhiu, për të vazhduar se askush nuk do të hynte në betejën e shpalljes së pavarësisë para datës së raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi. “Absolutisht, asnjë njeri politikisht korrekt nuk do të hynte në betejë për shpalljen e pavarësisë para datës 3, sepse ajo do të ndikonte drejtpërdrejt në zgjedhjet në Serbi dhe fitorja e Nikoliqit do të ishte e sigurt. Nëse fitorja e Nikoliqit do të ishte e sigurt, atëherë po them se nuk do të thotë që data 4 sjell një rehati, por data katër sjell një vendim. Më datën 4 do të duhej të shpallej pavarësia menjëherë”, tha Haxhiu. Sipas analistëve, dallimet midis dy kandidatëve kryesorë në raport me statusin e Kosovës janë shumë të vogla.

XS
SM
MD
LG