Ndërlidhjet

PRISHTINË: MASAT RUSE S’E NDALIN MBËSHTETJEN E SHBA-VE DHE BE-SË PËR PAVARËSINË


Zijadin Gashi

Pavarësia e Kosovës është një çështje e kryer dhe procesi nuk mund të ndalet e as të kthehet më prapa, thonë zyrtarë të lartë të Qeverisë, në lidhje me deklaratat e ambasadorit rus, Aleksander Botcan Kharchenko, për masat që Moska do t’i përdorë në kundërshtim të pavarësimit të Kosovës. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha sot se bota perëndimore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e mbështesin tashmë Kosovën e pavarur dhe se deri të bërja e shtetit të Kosovës, sipas tij, kanë mbetur të përfillen vetëm edhe disa çështje procedurale. “Rusia ka qenë edhe më herët e involvuar pozitivisht në procesin e Kosovës dhe mendojmë se edhe në të ardhmen do ta bëjë një gjë të tillë. Momentalisht, besoj se përkushtimi i botës perëndimore, në radhë të parë SHBA-ve dhe BE-së, është shumë pozitiv dhe i papërballueshëm për forcat që mendojnë të ketë regres në rajon”, tha Kuçi. Ndryshe, Aleksander Botcan Kharchenko ka thënë se Rusia ka përgatitur një pako masash në rast se Kosova shpall pavarësinë dhe ajo njihet nga vendet perëndimore. Por, ai nuk ka qartësuar se për çfarë masash bëhet fjalë. Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb, thotë se nuk e ka të qartë nëse Rusia po flet këtu për masa preventive apo masa që do të ndërmarrë pas shpalljes së pavarësisë. Sidoqoftë, ai thotë se Rusia po përdorë mjete diplomatike për të kundërshtuar Kosovën e pavarur. “Mendoj se ky është një paralajmërim, që edhe njëherë të mendohet para se të merret ky vendim katastrofal, për shpalljen e pavarësisë. Këto masa të Moskës, me siguri se nuk do të jenë të tipit të dhunës, por masa diplomatike”, thotë Joviq. Sipas tij, jo vetëm Rusia, por është edhe Serbia ajo që e kundërshton ashpër Kosovën e pavarur. Ndërsa Moska zyrtare përpiqet ta bindë BE-në dhe vendet tjera mbështetëse të pavarësisë së Kosovës që t’i vazhdojnë negociatat dhe të mos nxitohet me njohjen e Kosovës së pavarur, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se procesi më nuk mund të ndalet e as të kthehet prapa. Sipas tij, kur bëhet fjalë për krijimin e shteteve të reja, gjithmonë dikush mund të jetë i rezervuar apo edhe të përpiqet ta kundërshtojë formimin e këtyre shteteve. “Vendimi për pavarësinë tanimë është i pjekur. Mendoj se mbështetja politike është në kulmin e saj dhe vetëm kërkohen disa procedura. Gjithmonë mund të kemi dikë që pajtohet apo nuk pajtohet, por ata që pajtohen janë në anën e demokracisë, liberalizmit dhe mbi të gjitha në anën e fuqisë, do të thotë, edhe juridike, por edhe morale”, theksoi Kuçi. Sidoqoftë, autoritetet më të larta të Kosovës tashmë janë duke biseduar me përfaqësuesit e pranisë civile e ushtarake ndërkombëtare për ditën e shpalljes së pavarësisë. UNMIK-u, KFOR-i dhe autoritetet e Kosovës kanë hartuar edhe plane të përbashkëta preventive, për të menaxhuar gjendjen në terren, sikurse edhe plane tjera në rast të bllokadave që Serbia do të mund t’ia bënte Kosovës në aspektin ekonomik. Në Prishtinë, vazhdimisht përsëritet se SHBA-të dhe BE-ja konsiderojnë se nuk ka më vend për negociata e bisedime dhe se plani i Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur me prani civile dhe ushtarake ndërkombëtare, shihet si zgjidhja më e mirë e mundshme.


XS
SM
MD
LG