Ndërlidhjet

logo-print

BISERKO:“SERBIA, ROB I SË KALUARËS”


Sonja BISERKO, kryetare e Komitetit të Helsinkit për Të Drejtat e Njeriut

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Biserko, Serbia tani gjendet përballë zgjedhjeve të cilat tash njihen si referendum mbi kahjen që do të marrë, drejt lindjes apo perëndimit. Çfarë pritjesh keni ju?

SONJA BISERKO
Dilema e Serbisë se në cilin drejtim do të shkojë është duke zgjatur më shumë, me siguri ka 20 vjetë, që prej se ka filluar drama e shpërbërjes së Jugosllavisë, e mbase edhe më herët që në shekullin e 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Sidoqoftë, kjo është një kthesë e rëndësishme për një formë të përcaktimit për opsionin evropian, e cila për fat të keq nuk është edhe aq e qartë duke marrë parasyshë raportin e forcave, për shkak të përkrahjes së madhe që ka fituar kandidati radikal për president të Serbisë, Tomislav Nikoliq. Natyrisht, as kandidati tjetër, Boris Tadiq, nuk është sjellur në mënyrë adeakuate, madje ai vetë personalisht dhe partia e tij, i kanë kontribuuar thelbësisht kësaj gjendjeje në Serbi, duke mos pasur guximin të dalin përpara dhe të përballen me të kaluarën. Natyrisht, është e rëndësishme të thuhet se atmosfera e përgjithshme shkon në favor të Nikoliqit, sepse qarqet e caktuara, si ato akademike, kishtare, pjesërisht ushtarake dhe policore, kryesisht e përkrahin atë për disa arsye të caktuara. Tomislav Nikoliqi si kandidat presidencial është shqetësues për mbarë rajonin, jo vetëm për Serbinë, megjithëse asnjëri nga të dy kandidatët nuk ka dhënë përgjigje mbi atë se çfarë e pret Serbinë. Madje, në raport me Kosovën dhe çështjen e statusit, që të gjithë kanë pasur pozicionet e njejta, përveç përfaqësuesit të liberalëve, Çedomir Jovanoviq. Pra, Serbia, në këtë fushatë zgjedhore, ka dëshmuar se nuk është e aftë që të distancohet nga ato tema të cilat e mbajnë rob të së kaluarës. Pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve të së dielës, para vetes Serbia ka një rrugë të gjatë për të kaluar për të qenë sinqerisht e angazhuar dhe e obliguar drejt një orientimi evropian. Madje, edhe nëse për president e zgjedhë Boris Tadiqin, rruga përpara është shumë e gjatë deri tek ato standarde që do ta kualifikonin Serbinë si partner në rajon. Natyrisht, na pret edhe zgjidhja e statusit të Kosovës, e cila me fitoren e Nikoliqit padyshim do të zgjidhet më shpejtë dhe më thjeshtë, në krahasim me fitoren e Boris Tadiqit. Edhe pse nuk ka më kurrfarë arsyesh për të pritur dhe kjo çështje duhet të zgjidhet. Mendoj se këto kanë qenë zgjedhjet e fundit në të cilat shteti ka pasur rol të rëndësishëm mbi këtë çështje, meqë asnjëri kandidat nuk e ka pasur vendosmërinë për të dalë një hap përpara në raport me Kosovën dhe pavarësinë e saj në javët që do të vijnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë më herët se për tri dekada rresht politika shtetërore e Serbisë për
Kosovën ka qenë ndarja e saj. Ende mendoni kështu?

SONJA BISERKO
Fatkeqësisht po. Kjo ide është diçka qe është duke u recikluar në 30 vitet e fundit, qoftë në kornizat e propozimeve të Dobrica Qosiqit apo të Kërstiqit, mbi ndarjen e Kosovës, por tash në atë mënyrë që pjesët e banuara me serbë t’i kontrollojë Beogradi, kurse kjo pjesa tjetër të ketë pavarësi të mbikqyrur nga Bashkimi Evropian. Madje, as në këto momente dramatike, ata që janë në pushtet nuk heqin dorë nga ajo strategjia e tyre që gjithmonë ka qenë për ndarjen e Kosovës. Dhe tani, kur po i afrohemi përmbylljes, përkatësisht kur po afrohet shthurrja e nyjes së Kosovës, ata nuk heqin dorë nga kjo ofertë e tyre, e madje edhe përfaqësuesi rus në Grupin e Kontaktit tani ka dalë me këtë ide. Unë mendoj se gjatë gjithë kësaj kohe ata kanë pritur momentin kur edhe vetë Rusia do të hyjë dhe të përkrahë këtë opsion. Natyrisht, ky hap është planifikuar për një kohë të gjatë në Beograd dhe kësaj natyrisht i ka kontribuuar edhe roli i fundit i Rusisë në vitin e fundit, duke mbështetur qëndrimin e Beogradit në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Do të jetë interesante të shihet se si do të përfundojë ky lëmsh pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi tashmë ka paralajmëruar një sërë masash që do të ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj shpalljes së pavarësisë. Sa serioze mund të jenë këto paralajmërime?

SONJA BISERKO
Mua me duket se kjo çështje nuk mund të jetë shumë serioze, edhe pse në fakt, iracionaliteti i politikës në Beograd nuk mund të interpretohet në mënyrë racionale. Me aq sa kam kuptuar unë, ky mbase do të jetë më shumë një reagim emotiv apo një reagim që i përshtatet mënyrës se si janë sjellur autoritetet në muajt e fundit. Megjithatë, Beogradi në këtë drejtim nuk ka shumë hapësirë për veprime. Nuk jam e sigurtë nëse “Plani Aksional”, për të cilin nuk dimë gjë, meqë është i fshehtë, do të zbatohet fare, edhe pse unë mendoj se nuk përmban ndonjë masë të rëndësishme. Mbase do t’i referohen në ditët e para pas pavarësisë. Të gjitha partitë kryesore kanë qëndrim të përbashkët mbi Kosovën, sepse askush s’ka dashur të lejojë që njëra anë ta kapitalizojë atë çështje, duke mos e përmendur fare Kosovën. Prandaj, edhe në këtë garë zgjedhore, çështja e Kosovës ka qenë e përmendur dhe e adresuar në mënyrë të njejtë dhe me të njejtin ton. Unë madje mendoj se ky ka qenë edhe rasti i fundit kur Kosova ka qenë temë e fushatës. Deri në një masë të madhe, kjo çështje e ka ngadalësuar Tadiqin në cilësinë e kandidatit, sepse opsionin e vet evropian e ka ndërlidhur me Kosovën në Serbi. Në këtë mënyrë, qytetarët e Kosovës kanë mbetur pa përgjigje pikërisht në atë pjesën ku është pritur më së shumti, duke marrë parasyshë të gjitha ofertat të cilat i kemi pasur këto ditë nga Bashkimi Evropian. Prandaj mendoj se kandidati që njihet si evropian ka qenë edhe peng i strategjisë së përbashkët të tri partive kryesore politike në Serbi mbi Kosovën, të cilën natyrisht e ka imponuar kryeministri Vojisllav Koshtunica. Me imponimin e Kosovës si temë në zgjedhjet presidenciale, ai ia ka lidhur duart Boris Tadiqit dhe e ka pamundësuar eksponimin e ti më thelbësor si kandidat evropian, në kuptimin e një Serbie evropiane.

INTERVISTOI ARBANA VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG