Ndërlidhjet

Përgjigje të ndryshme në kritikat e Amnesty International



Reagimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe vendorë në Kosovë rreth hartimit të raportit më të ri të organizatës Amnesty International, janë nga më të ndryshmet. Nekibe Kelmendi, ministre e Ministrisë së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, thotë se qëndron fakti se sistemi gjyqësor kosovar nuk është marrë me veprat penale që kanë të bëjnë me krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

“Kemi rast që nga burgi i Mitrovicës kanë ikur mbi 53 persona të akuzuar për krime lufte dhe Serbia asnjëherë nuk i ka dorëzuar ata persona. Natyrisht, kjo adresohet si dobësi e sistemit gjyqësor kosovar që nuk ka mundur të bëjë asgjë në këtë drejtim, sepse ju e dini se gjyqësori edhe tani e tutje është e drejtë e rezervuar e PSSP-së. Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë nuk merret me çështje të gjyqësorit, por merret vetëm me çështjet e burgjeve, shtëpive korrektuese”, tha ministrja Kelmendi.

Nga ana tjetër, Kujtim Kërveshi, ekspert i së drejtës ndërkombëtare, thotë se përfaqësuesit e organizatës Amnesty International nuk kanë konsultuar të gjithë faktorët që merren me drejtësi në Kosovë dhe, sipas tij, raporti i kësaj organizate është negativ për Kosovën.

“Raporti kryesisht është negativ, por nuk do të përmendja shumë terminologji të rëndë. Unë mendoj që ka mundur të jetë edhe më shumë sugjerues. Më është krijuar përshtypja kur lexoj raporte të tilla që punohen në zyrat jashtë Kosovës, që kontaktohet vetëm me individë në Kosovës, se janë raporte të tipit ‘copy-paste’, sepse të njëjtat probleme që janë në rajon, janë pasqyruar edhe në problemin e Kosovës. Disa nga problemet që janë kryekëput probleme të drejtësisë në Kosovë, raporti nuk është thelluar në ato probleme. Sikur të ishte thelluar në ato probleme, raporti do të ishte edhe më shumë negativ”, tha Kërveshi.

Ai ka vlerësuar se misioni i OKB-së në Kosovë ka mundësuar që sistemi i drejtësisë kosovare të fshihet pas sistemit ndërkombëtar, duke mos dashur që institucionet e drejtësisë në Kosovë t’i kryejnë detyrat e veta. “...prandaj, jemi në një situatë të tillë, kur për shumicën e problemeve, lëndët kryesore, institucionet tona vendore nuk janë përgjegjëse, sepse edhe nuk duan të jenë përgjegjëse dhe farën e atij problemi e hedhin nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, nga Kombet e Bashkuara. Kombet e Bashkuara s’kanë mundur si të sillen ndryshe, por të jenë vetë përgjegjëse, t’i marrin ato kompetenca në duart e tyre”, u shpreh Kërveshi.

Kurse, Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, thotë se vlerësimet e raportit Amnesty International janë reale.

“Ne edhe më parë kemi pasur vërejtje në sistemin e gjyqësisë, që ka qenë i menaxhuar dhe i kontrolluar nga UNMIK-u. Ju e dini se në Kosovë, gjatë luftës kanë qenë të vrarë afërsisht 12 mijë persona, kryesisht civilë. Ndërkaq, thuajse askush nuk është përgjigjur për krimet që janë bërë në Kosovë. Gjithashtu edhe pas luftës ka pasur krime që mund të quhen si krime të motivuara etnikisht dhe krime me motive politike, e të cilat në asnjë rast nuk janë zbardhur dhe nuk janë dënuar”, tha Shala.

Ai shtoi se Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Kosovë ka kërkuar disa herë që sistemi gjyqësor në Kosovë të jetë më i fuqishëm, kur bëhet fjalë për krimet e luftës. “Nëse nuk ndërmerret diçka, këto krime mund të përsëriten. Sidomos tash mund të ketë krime të motivuara etnikisht, mirëpo edhe krime të motivuara politikisht”, theksoi Shala.

Ndryshe, Aleksander Ivanko, zyrtar për informim në UNMIK, thotë se janë të njoftuar me raportin e organizatës Amnesty International, por nuk e komentojnë përmbajtjen e tij. “Ne jemi njoftuar me raportin e organizatës Amnesty International, njësoj siç informohemi me të gjitha raportet që merren me Kosovën. Megjithatë, politika jonë është që të mos komentojmë përmbajtjen e raporteve të lëshuara nga OJQ-të”, tha Ivanko.

Në raportin më të ri të organizatës Amnesty International thuhet se mungesa e sistemit të fuqishëm të drejtësisë në Kosovë do të thotë se krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit mund të mbesin të pandëshkuara. Amnesty International kritikon Kombet e Bashkuara dhe i sugjeron ato që të mos ndërmarrin ‘eksperimente të dështuara’, të ngjashme në drejtësinë ndërkombëtare, para se t'i shqyrtojnë mangësitë në sistemin që e ndërtuan në Kosovë, thuhet, mes tjerash, në këtë raport.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG