Ndërlidhjet

logo-print

PACK: PAVARËSIA E KOSOVËS BRENDA DISA JAVËSH


Doris Pack, shefe e delegacionit për Ballkanin në PE

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pack, pavarësia e Kosovës është cështje ditësh bazuar në deklaratat e udhëheqësve kosovarë dhe mediave. A është ky momenti, nuk ka për të pasur më vonesa...

DORIS PACK
Nuk mendoj se do të ndodhë tani, shpallja bëhet për disa javë. Por do të shpallet. Nuk do ketë vonesa, pasi negociatat nuk dhanë asnjë rezultat. Tashmë të gjithë e dinë se pavarësia do të vijë dhe statusi do zgjidhet ashtu sic parashihet në planin e Marti Ahtisarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë blloku i 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk duket i bashkuar rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës. Cfarë tregon kjo për politikën e jashtme evropiane?

DORIS PACK
Duhet të presim e të shohim. Pranverën e vitit të kaluar ka qenë një mbështetje unanime e të gjitha vendeve për planin e Ahtisarit. Tani jemi në pikën kur vendet individuale po pyesin veten nëse do ta njohin pavarësinë menjëherë, apo më vonë. Nuk kemi mosmarrëveshje në këtë cështje dhe thuajse pak a shumë të gjithë e pranojnë këtë qasje. Është e vërtetë se disa vende kanë probleme. Qiproja psh ka probleme me pavarësinë e Kosovës, por Qiproja nuk duhet ta harrojë që dhe ne kemi probleme me Qipron dhe nuk duhet t'i shtojë problemet që ne kemi me të. Prandaj është më mirë që Qiproja të mos na pengojë tashmë edhe në zgjidhjen e cështjes së Kosovës, pasi Kosova është në zemër të Bashkimit Evropian.
Ne po e zgjidhim cështjen e Kosovës sipas mënyrës më të mirë dhe kjo mënyrë nuk është më e mira vetëm për shqiptarët në Kosovë, por edhe për vetë serbët në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa e rëndësishme është njohja e shpejtë apo e menjëhershme e pavarësisë së Kosovës nga shumica e vendeve evropiane? A është koha element kyc?

DORIS PACK
Jo, nuk është e rëndësishme. Vendet më të rëndësishme evropiane do ta njohin shpejt, apo ndoshta dhe menjëherë pavarësinë e Kosovës. Disa vende të tjera mbase pak më vonë.
E rëndësishme është se ne do dërgojmë misionin tonë atje, pakicat do jenë të mbrojtura dhe do të fillojë procesi i decentralizimit.
Kjo është ajo që duhet të bejmë derisa data e njohjes së pavarësisë nuk është më e rëndësishmja.

RADIO EVROPA E LIRË
Shqetësimi kryesor për Kosovën e pavarur mbetet pjesa veriore. Cilat janë gjasat që veriu i Kosovës me ndihmën e Beogradit do kthehet në një qendër trazirash...

DORIS PACK
Problemi është se nuk mund ta parashohim reagimin e Beogradit. Por NATO-ja është e përgatitur të kujdeset edhe për veriun e Kosovës. Nuk mendoj që do kemi trazira ushtarake, por do shohim protesta, demonstrata. Nuk besoj se do ketë dicka më shumë se kaq.


RADIO EVROPA E LIRË
Rusia ka bërë të ditur se ka hartuar një plan veprimi në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas mediave ky plan parasheh dhe prani ushtarake ruse e serbe në komunat e Kosovës me shumicë serbe. Sa shqetësoheni nga deklarata të tilla?

DORIS PACK
Harrojeni... NATO-ja është në Kosovë dhe nuk do ketë prani tjetër ushtarake.
Nuk duhet t'i japim kaq shumë rëndësi këtyre thashethemeve, por ajo që duhet bërë është të merremi me situatën në terren që aktualisht është shumë e rëndë. Ne duhet të ndihmojmë rajonin të shohë drejt së ardhmes, pasi për momentin të gjithë i kanë sytë nga e shkuara.
Personalisht jam shumë e pakënaqur me gjendjen në rajon, vecanërisht për të rinjtë të cilët nuk kanë të ardhme nëse gjendja vazhdon sic është.
Shpresoj shumë që cdokush në rajon të jetë i ndërgjegjsghëm se fati i tyre është në Bashkimin Evropian dhe të mos shqetësohen shumë se si duken kufijtë. Ju them me siguri se problemi më i madh i mundshëm do të ishte mbetja e Kosovës nën Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Është dëgjuar shpesh se misioni i BE-së për rend dhe ligj do marrë veprime të ashpra ndaj krimit dhe korrupsionit pasi të vendoset në Kosovë. Dicka më shumë...

DORIS PACK
Padyshim që do jetë kështu. Nuk po i dërgojmë për asgjë. Ky mision është shumë i kushtueshëm dhe ata janë aty në emrin tonë. Ne do bëjmë maksimumin që Qeveria të krijojë të gjitha instrumentat e nevojshme dhe t'i përdorë ato kundër korrupsionit dhe cdo lloj vepre kriminale. Është synimi ynë që të jemi të dobishëm për qytetarët në Kosovë dhe më gjerë, në Serbi e Mal të Zi gjithashtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Amensty International ka përsëritur sërish këto ditë se shumë nga ata që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë nuk kanë dalë para drejtësisë. Cfarë mendoni për shkallën e vënjes së drejtësisë në Ballkanin e pas luftërave, kur kemi parasysh se dhe gjykimi i Millshevicit nuk mbaroi kurrë.

DORIS PACK
Është një situatë e paqartë, vecanërisht në Kosovë me statusin e papërcaktuar. Kjo situatë lë shumë hapësirë për krime dhe për kriminelë të etnive të ndryshme. Tani po vjen koha që do kemi shumë më tepër rend dhe ligj, cfarë do të thotë se kriminelët do dalin para drejtësisë në gjykatat vendore, por jo vetëm.
Mlladici është ende në liri dhe kjo paraqet problem të madh për gjithë rajonin. Dihet se Mlladici është fajtor për ngjarjet më të rënda në Bosnjë Hercegovinë, por fatkeqësisht nuk është ende në Hagë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër si e vlerësoni qëndrimin e Hollandës, e cila po bllokon marrëveshjen e Asocim Stabilizimit me Serbinë për shkak të mosbashkëpunimit me Hagën?

DORIS PACK
Duhet ta kuptoni se Hollanda në të shkuarën ka kaluar momente të vështira për shkak të Mlladicit. Një qeveri u rrëzua dhe ushtarët hollandezë janë fajësuar që nuk kanë ndërhyrë gjatë masakrës së Srebrenicës. Kjo mbetet një plagë e madhe në shpirtin e Hollandës.
Mendoj se bashkëpunimi i plotë me Gjykatën e Hagës është i nevojshëm. Personalisht nuk kam qenë në favor të kushtëzimit me Hagën për nënshkrimin e Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit
E ndoqëm një politikë të tillë me Kroacinë vetëm para bisedimeve për anëtarësim. Mendoj se Marrëveshja e Asocim Stabilizimit është plotësisht teknike, ndaj Haga nuk duhet të jetë kusht. Komisioni Evropian dështoi që e vuri këtë kusht për Serbinë, ndaj tani duhet të përballemi me situatën.
Kam kërkuar që të hiqet si kusht për Serbinë tani, por të vihet kur të hapen bisedimet për anëtarësim.

RADIO EVROPA E LIRË
A është Bashkimi Evropian i përgatitur nëse Tomisllav Nikoliqi fiton zgjedhjet presidenciale në Serbi?

DORIS PACK
Na duhet të pranojmë gjithcka për të cilën votojnë njerëzit. Mendoj se po të jenë paksa të arsyeshëm njerëzit duhet të mendojnë nëse ia vlen të votohet për dikë, kryetari i partisë së të cilit po gjykohet në Hagë.
Shpresoj që rezultati të jetë si në zgjedhjet e kaluara presidenciale. Nëse jo ne do punojmë me të gjithë, por do jetë shumë e vështirë. E keni parasysh fjalorin e Nikoliqit dhe të shkruarën e tij që nuk është shumë evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
A e mendoni dot të uleni me Nikoliqin?

DORIS PACK
Me shumë vështirësi...


Intervistoi: Ilirjana A. BAJO

XS
SM
MD
LG