Ndërlidhjet

logo-print

Në Kosovë, mbi 40% e popullsisë e papunë


Pamje nga Kosova

Pamje nga Kosova

Mbi 25 mijë të papunë brenda një viti hyjnë në tregun e punës, ndërkaq mbi 335 mijë të papunë janë të regjistruar në zyrat e punësimit në mbarë Kosovën, që në llogaritje tjetër del se mbi 40 për qind e popullsisë në Kosovë është e papunë, thonë zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë për çështje ekonomike. Megjithatë, sipas tyre, edhe ky numër mund të jetë edhe më i lartë, sepse jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit.
Gjeneza e rritjes së papunësisë rezulton në vitet e 90-ta, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga puna nga sistemi i atëhershëm serb, ndërkaq pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, shumë ndërmarrje u shkatërruan, thonë ekspertë të ekonomisë dhe zyrtarë të institucioneve vendore. Hafiz Leka, kryesues i Divizonit të Punësimit në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se numri më i madh i të regjistruarve është i personave të pakualifikuar dhe i vajzave të reja. Ai thotë se problem në këtë kuadër është se pjesa më e madhe e të papunëve janë të rinj. Sipas tij, prej moshës 16-24 vjeç, të papunë janë 22 për qind. Ndërkaq, prej moshës 25 deri 39 vjeç, papunësia është në 51 për qind. Kur bëhet kombinimi i këtyre dy grupmoshave prej 16 deri 39 vjeç, Leka thotë se deri në 72 për qind e të papunëve janë të rinj. Ai pohon se papunësia në Kosovë është një sfidë e madhe, pasi numri i rritjes së të papunëve ka filluar dy dekada më herët.
“Papunësia në Kosovë ka qenë akoma më e theksuar, respektivisht ka qenë sfidë edhe në kohën e regjimit të ish-Jugosllavisë. Mirëpo, në vitet e 80-ta, 90-ta, kemi një vërsulje të shkatërrimit total të sistemit industrial të Kosovës dhe daljes së njerëzve nga puna. Madje, nuk ka pasur investime dhe në asnjë mënyrë nuk ka pasur trende pozitive zhvillimore ekonomike, por vetëm rënie dhe ka rezultuar me një, me dy dekada”, thotë Leka.
Pas përfundimit të konfliktit, në Kosovë ka pasur shumë pak rritje ekonomike, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Muhamet Mustafa, udhëheqës i Institutit për Hulumtime Zhvillimore ‘RIINVEST’, pohon se rritja ekonomike në Kosovë ka qenë e vogël, prej 1 deri në 3 për qind, përqindje kjo që ka prodhuar vetëm të papunë. “Ne nuk kemi pasur rritje ekonomike reale në Kosovë, brenda këtyre viteve. Dhe, mungon një aktivitet investues. Kosova ka trashëguar probleme shumë të rënda nga konflikti dhe lufta. Ka përjetuar një periudhë të gjatë dezinvestimi. Kështu që sektori privat, përkundër faktit se është mjaft i rëndësishëm, ka një zhvillim pozitiv, por nuk ka mundur të absorbojë fuqinë punëtore që hyn në tregun e punës”, tha Mustafa. Ndërkaq, Hafiz Leka përmend faktorë të tjerë, të cilët kanë ndikuar në rritjen e trendit të papunësisë.
“Faktorë kryesorë do t’i kisha numëruar ngecjet në zhvillimin ekonomik, mungesën e investimeve, mungesën e infrastrukturës ligjore, ekzistimin e dokumenteve relevante strategjike edhe mungesën e bashkëpunimit të mirëfilltë në nivel qendror dhe lokal, sa i përket politikave të punësimit, politikave fiskale jo të mirëfillta, joracionale, joadekuate, për ta stimuluar zhvillimin e biznesit dhe të ekonomisë”, u shpreh Leka. Megjithatë, edhe ekspertët edhe përfaqësuesit e institucioneve vendore shpresojnë se ulja e shkallës së papunësisë do të ndodhë vetëm pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Eksperti Muhamet Mustafa thotë se me një qasje më serioze në krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm për investime pas definimit të statusit, gjasat për zvogëlimin e papunësisë ekzistojnë. “Mund të rritet norma e zhvillimit ekonomik mbi 7 për qind, që do të mundësonte absorbimin e këtij kontingjenti dhe dalëngadalë edhe uljen e numrit të të papunëve”, thotë Mustafa. Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, do të lidhin marrëveshje me vendet evropiane, që personat e regjistruar në zyrat e punësimit si të papunë, t’i dërgojnë për punësim sezonal.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG