Ndërlidhjet

SHQIPTARËT DHE SERBËT ME PIKËPAMJE TË NDRYSHME PËR SHPALLJEN E PAVARËSISË


Zijadin Gashi

Përfaqësuesit shqiptarë dhe ata serbë janë paraqitur sot me pikëpamje krejtësisht të ndryshme në lidhje me aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe zhvillimeve politike që mund të pasojnë këtë vendim. Në një konferencë të mbajtur sot në Çagllavicë, përfaqësuesit shqiptarë thanë se janë të gatshëm t’i marrin të gjitha përgjegjësitë për aktin e pavarësisë së Kosovës, përderisa serbët kanë parashikuar pasoja të rënda të këtij vendimi. Kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi, tha se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, pjesa veriore e Mitrovicës dhe veriu i Kosovës në përgjithësi nuk do të mbetet jashtë territorit të Kosovës. Ai tha se beson në faktorin ndërkombëtar për të parandaluar ndarjen e pjesës veriore të Kosovës, siç kanë ambicie disa struktura serbe dhe vetë Beogradi zyrtar. “Realisht, në bazë edhe të parimeve të Grupit të Kontaktit dhe në përgjithësi edhe të Rezolutës 1244, Kosova është një dhe e pandashme në kufijtë e vet administrativë. Ka pasur paralajmërime se në rast të shpalljes së pavarësisë nga Parlamenti i Kosovës, do të ketë edhe shpallje të tillë edhe në pjesën veriore. Mirëpo, sa më afër që jemi ditës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mendoj se është krijuar një realitet tjetër. Unë nuk besoj se ata do ta bëjnë një gjë të tillë, për arsye se edhe qëndrimet e komunitetit serb në veri dhe në pjesët e tjera nuk janë të njëjta”, tha Rexhepi. Në anën tjetër, liderët lokalë serbë thanë se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës dhe se do të vazhdojnë të punojnë sipas udhëzimeve që marrin nga Beogradi zyrtar. Sllavisha Petkoviq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe, tha se bashkësia serbe në asnjë mënyrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. “Tash, automatikisht, shtrohet pyetja se si do të na shtyni që ta pranojmë këtë situatë, me dhunë, me burgosje, vrasje, shpërngulje, nuk e di. Tani, kush do ta shpallë pavarësinë njëanshëm, ai edhe do t’i bart përgjegjësitë për të gjitha ato që do të mund të ndodhin pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë, nga ata që do ta shpallin e deri te ata që do ta përkrahin”, tha Petkoviq. Përderisa Nenad Joviq, kryetar i Këshillit Nacional Serb, tha se nëse shpallet pavarësia e Kosovës, veriu i Kosovës asnjëherë nuk do të jetë pjesë e pavarësisë së Kosovës. “Nuk them se do të bëjmë ndonjë problem apo incident, por flas vetëm për një realitet. Por, unë jam i sigurt se nëse kjo ndodh, më së shumti do të humbë populli serb, por asgjë më pak nuk do të humbë edhe populli shqiptar, sepse ky do të jetë një çmim i lartë, nëse dikush lëshohet në këto aventura”, tha Joviq. Duke iu përgjigjur bashkëbiseduesve serbë në këtë konferencë, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, tha se institucionet e Kosovës duhet dhe do t’i marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe do ta shpallin pavarësinë e Kosovës. “Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar t’i bartim të gjitha përgjegjësitë pavarësisht asaj ose atyre kërcënimeve që mund të vijnë. Parlamenti i Kosovës, qytetarët e Kosovës janë të gatshëm me përgjegjësinë më të madhe që t’i bartin të gjitha pasojat për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe kjo do të ndodhë”, tha Makolli. Autoritetet në Prishtinë paralajmërojnë një shpallje të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, duke paralajmëruar se vendimi është çështje ditësh. Ndërkohë që reagimi i serbëve në pjesën veriore të Kosovës ka qenë dhe mbetet një dilemë si për lidershipin kosovar, ashtu edhe për praninë ndërkombëtare në Kosovë.
XS
SM
MD
LG