Ndërlidhjet

FREIZER: STRATEGJISË SERBE QË KËRCËNONTE ME FITOREN E RADIKALËVE I ERDHI FUNDI


Sabine Freizer, drejtore për Evropën pranë ICG-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Freiser, Boris Tadic është fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Serbi. A sjell ky rezultat një lloj lehtësimi apo në të vërtetë nuk përfaqëson ndonjë ndryshim?

SABINE FREIZER
Mendoj se kemi pak nga të dyja. Nga njëra anë është një ndjesi lehtësimi të shohim se presidenti Tadic fitoi ndaj Tomisllav Nikoliqit. Nga ana tjetër presidenti Tadic ka qenë në këtë post, cfarë na bën të mos presim ndryshime të mëdha në Serbi pas këtyre zgjedhjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur zëra se Serbia po luan me kartën e frikës nga fitorja e radikalëve për të siguruar përfitime ekonomike dhe politike nga bashkësia ndërkombëtare, vecanërisht nga Bashkimi Evropian. Duke ditur se radikalët kanë shumicën në Parlament, cfarë do të thoshit...

SABINE FREIZER
Kjo është një strategji e përdorur prej vitesh, kryesisht nga kryeministri Koshtunica. Kjo lloj strategjie në një farë mënyre ishte kërcënim ndaj bashkësisë ndërkombëtare se nëse nuk i bëhen koncensione Serbisë atëherë radikalët do vijnë në pushtet.
Edhe këto zgjedhje presidenciale dëshmojnë se radikalët kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetje dhe ndikim të madh në Serbi.
Besoj se kësaj strategjie tani i ka ardhur fundi. Bashkimi Evropian dhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare tashmë do ecin përpara në cështjen e Kosovës. Ka qenë pikërisht statusi i Kosovës cështja për të cilën Koshtunica më së shumti ka përdorur kërcënimin për ardhjen në pushtet të radikalëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas këtyre zgjedhjeve kur e shihni shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga institucionet vendore?

SABINE FREIZER
Është e vështirë të thuhet një datë e saktë. Ajo që ka më shumë rëndësi për shpalljen e pavarësisë është që të kemi një proces të mirëmenaxhuar. Merr rëndësi fakti që Prishtina ta shpallë pavarësinë kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë gati për këtë. Ka ende disa gjëra që duhen bërë përpara se Prishtina të mund të shpallë pavarësinë në mënyrë të kordinuar.
Gjëja e parë është që Bashkimi Evropian të miratojë plan veprimin për dërgimin e misionit në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se dërgimi i misionit të BE-së do ndodhë para shpalljes së pavarësisë?

SABINE FREIZER
Ajo që shpresoj kur them se ky proces duhet të jetë i mirëmenaxhuar është që vendimi për dërgimin e misionit të merret para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë mënyrë baza ligjore për këtë mision do jetë gati dhe misioni do të dërgohet shumë shpejt pas shpalljes së pavarësisë nga institucionet vendore.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke iu rikthyer zgjedhjeve presidenciale në Serbi, pamë Tadicin të luante me kartën e Moskës para zgjedhjeve. A do vazhdojë të luajë Boris Tadici mes Moskës dhe Brukselit?

SABINE FREIZER
Është shumë e vështirë t'i japësh përgjigje në këtë moment. Tadici, si pjesa tjetër e klasës politike në Serbi, e ka bërë shumë të qartë se është kundër pavarësisë së Kosovës.
Tani na duhet të presim dhe të shohim se si do veprojë Tadici pas shpalljes së pavarësisë dhe cfarë roli do luajë Rusia.
Moska e ka bërë të qartë se do vazhdojë të mbështesë Beogradin kundër pavarësisë së Kosovës pavarësisht se kush është në pushtet. Rusia vazhdon të fitojë ndikim politik dhe ekonomik në Serbi dhe nuk pres që kjo të ndoryshojë pas këtij mandati të dytë të Tadicit.
Në të njëjtën kohë pritet që dhe Bashkimi Evropian të luajë një rol më të madh në Serbi me nënshkrimin me Beogradin të marrëveshjes politike në ditët që vijnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pamë pjesëmarrje të lartë në të dyja raundet e zgjedhjeve presidenciale serbe. Njëherësh shqiptarët në Luginën e Preshevës thuajse i bojkotuan këto zgjedhje. Cfarë do të thotë kjo për të ardhmen e Serbisë?

SABINE FREIZER
Është për të ardhur keq se pakica shqiptare që gjendet në Luginën e Preshevës i bojkotoi këto zgjedhje. Por patëm dhe shenja pozitive sa i përket marrdhënieve ndëretnike. Pakica hungareze në Vojvodinë morri pjesë masivisht në këto votime.
Edhe nga këto zgjedhje bëhet e qartë se Lugina e Preshevës mbetet një zonë shumë e pasigurt. I mbetet Beogradit të bëjë më shumë në mënyrë që pakica shqiptare të ndihet pjesë e Serbisë, jo vetëm nga pikëpamja politike, por dhe ekonomike. Në këtë kuptim Beogradi duhet të mbështesë më shumë integrimin ekonomik dhe të luftojë papunësinë në Luginën e Preshevës.
Ajo që shpresoj është se pas këtyre zgjedhjeve të ketë përpjekje për bashkimin e Serbisë, jo vetëm të serbëve, por dhe të pakicave.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO

XS
SM
MD
LG