Ndërlidhjet

logo-print

KRASNIQI: PARLAMENTI DO TA SHPALLË PAVARËSINË E KOSOVËS GJATË MUAJIT SHKURT


Zijadin Gashi

Parlamenti i Kosovës, në koordinim me Uashingtonin dhe Bashkimin Evropian, do ta shpallë pavarësinë gjatë muajit shkurt, ka thënë sot kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të partive opozitare thonë se Kosova është gati për ta shpallur pavarësinë e saj. Njëherësh, ata përshëndesin fitoren e Boris Tadiqit në Serbi, duke shpresuar se edhe Beogradi zyrtar dhe populli serb po përcaktohet të shikojë të ardhmen e vet kah perspektiva e përbashkët evropiane dhe jo kah kthimi prapa. Por, zyrtarët në Prishtinë e përjashtojnë mundësinë që fitorja e Tadiqit të ndikojë në shtyrje të tjera të marrjes së vendimit për statusin e Kosovës. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha sot se përshëndet çdo lëvizje pozitive në Serbi, por ai u shpreh i bindur se Kosova do ta deklarojë pavarësinë gjatë këtij muaji. “Parlamenti i Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me vendet e Bashkimit Evropian, me administratën ndërkombëtare dhe në koordinim të plotë me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do ta shpallë pavarësinë e Kosovës brenda këtij muaji. Ne jemi të bindur për këtë”, tha Krasniqi. Ndërkohë, edhe kryeministri Hashim Thaçi tha se Kosova që nga sot është e gatshme ta deklarojë pavarësinë e saj dhe, sipas tij, ky deklarim do të ndodhë shumë shpejt, por do të jetë i koordinuar me ndërkombëtarët. Të gjitha përgatitjet për deklarimin e pavarësisë, sipas Thaçit, kanë përfunduar apo janë në përfundim e sipër. “Kosova është gati që sot dhe të gjitha përgatitjet që i janë dashur, i ka kryer. Të gjitha përgatitjet në kuptimin edhe politik, edhe diplomatik, edhe në raport të përfundimit të të gjitha procedurave të nevojshme. Do të kemi takime shtesë të konsultave për mënyrën më të shpejtë, më funksionale e më të përgjegjshme të shpalljes, por edhe të njohjes sa më cilësore e numerike. Prandaj, mendoj se gjithçka është e përfunduar sa i përket Kosovës, por gjithçka do të jetë e koordinuar me Uashingtonin dhe Brukselin’, tha Hashim Thaçi. Edhe opozita në Parlament pret që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës t’i mbajnë zotimet dhe të iniciojnë shpalljen e pavarësisë gjatë muajit shkurt. Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se mund të priten edhe sugjerime nga një pjesë e ndërkombëtarëve për shtyrje të marrjes së vendimit për pavarësinë, por, sipas tij, tashmë nuk bëhet fjalë për shtyrje të gjata, por disa ditëshe. “Zgjedhja e Tadiqit ndoshta mund të krijojë disa konsiderata, që për disa ditë të ketë shtyrje të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Por, sidoqoftë, unë nuk mendoj se mund ta zgjasë më shumë e as mund ta shpejtoj, përveç asaj që në njëfarë mënyrë është thënë tashmë në opinion se nga dita e sotme e tutje çështja e deklarimit të pavarësisë duhet të shkojë në bashkërenditje me Brukselin dhe Uashingtonin. Dhe, unë vazhdoj të besoj që më nuk do të ketë shtyrje përtej muajit shkurt”, theksoi Ibrahim Gashi. Në anën tjetër, Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb, beson se fitorja e Tadiqit nuk ndryshon asgjë në raportet e Serbisë me Kosovën. Sipas tij, kushdo që të fitojë në Beograd, qëndrimi ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj është i qartë, se Beogradi nuk e mbështet Kosovën e pavarur. “Sa i përket perëndimit, ato vende që kanë vendosur ta mbështesin Kosovën e pavarur, do të vazhdojnë këtë qasje. Po ashtu, edhe shqiptarët nëse kanë vendosur ta shpallin pavarësinë, këtë edhe do ta bëjnë, kështu që nuk shoh ndonjë ndryshim, përderisa serbët do të vazhdojnë ta kundërshtojnë Kosovën e pavarur”, thotë Joviq. Sidoqoftë, me përfundimin e zgjedhjeve në Serbi, në Prishtinë konsiderohet se bashkësia ndërkombëtare nuk do të paraqesë më kërkesa tjera për institucionet që të zvarrisin marrjen e vendimit për statusin e Kosovës. Bazuar në deklaratat e liderëve kosovarë, deklarimi i pavarësisë tash është vetëm çështje ditësh.
XS
SM
MD
LG