Ndërlidhjet

logo-print

WP: Teoria domino e Kosovës


"Washington Post"

Kosova, gjatë këtij muaji, do të bëhet shteti i gjashtë që ka lindur nga gërmadhat e ish-Jugosllavisë, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e mëdha evropiane planifikojnë të mirëpresin deklarimin e pavarësisë, duke e vlerësuar atë si mirënjohje për urtinë, durimin dhe preferencat shtetërore të kosovarëve. Nën mbikëqyrjen e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Ballkani është bërë vend i qetë dhe një Kosovë e pavarur është copëza e fundit në këtë proces dhe asnjë epilog tjetër nuk do të kishte kuptim praktik, moral ose juridik.
Pas fushatës së pastrimit etnik të Sllobodan Millosheviqit dhe intervenimit të NATO-s në vitin '99, çështja e pavarësisë së Kosovës nuk shtrohet nëse, por kur? Megjithatë, muajt e ardhshëm nuk janë pa rrezik. Rreziku më i madh vjen nga enklavat serbe përreth qytetit të Mitrovicës, sepse disa politikanë serbë atje, të mbështetur nga Beogradi, sinjalizojnë shkëputjen nga Kosova. Por, pikërisht kjo është vija e kuqe për Qeverinë e Kosovës dhe NATO-n dhe nëse ajo kalohet, ne do të shohim domino efektin e frikshëm në rajon dhe përtej tij. Krijesat më të brishta janë Bosnja dhe Maqedonia. Të inkurajuar nga Beogradi dhe me gjasë nga paratë ruse, politikanët serbë në Bosnjë, vitin e kaluar, kërcënuan se do të ndjekin shembullin e Kosovës, duke deklaruar pavarësinë e Republikës Serbe, ndërsa shqiptarët në Maqedoni, që në vitin 2001 rrokën armët, nuk janë aq agresivë, por mund të bëhen nëse në Ballkan gjërat sërish tensionohen. Zgjedhjet presidenciale në Serbi mund të dërgojnë mesazh mashtrues në Bruksel dhe Uashington për aspektet e sigurisë në Kosovë, sepse fituesi i tyre, Boris Tadiq, ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe ka hezituar rreth dorëzimit të kriminelëve të luftës, Mlladiq dhe Karaxhiq. Këtë qëndrim nuk do ta ndryshojë as oferta e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në BE. Beogradi ka qenë aq i interesuar për mbështetjen ruse rreth Kosovës sa që i ka dhënë Gazpromit, kompaninë nacionale të gazit. Rusia mund të luajë sërish në këtë letër, duke e cilësuar Kosovën presedan për "konfliktet e ngrira" në fqinjësi të saj. Por, dikush duhet ta rikujtojë Moskën se ky parim pastaj mund të zbatohet edhe në republikat e saj me minoritete etnike, duke filluar nga Çeçenia.
Kosova mund të shërbejë si një rast unik demokratik dhe legjitim në rrugën drejt vetëvendosjes. Në këtë mënyrë, Kosova mund të përfundojë si një presedan i dobishëm.

XS
SM
MD
LG