Ndërlidhjet

Sa do ta ndihmojë EULEX integrimin e Kosovës në BE?




Ekspertët e së drejtës evropiane vlerësojnë se vendosja e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë është shumë i rëndësishëm. Ata thonë se zëvendësimi i misionit të UNMIK-ut më një mision të BE-se do ta ndihmojë Kosovën në aspektin politik e ekonomik si dhe në atë për integrim në strukturat euroatlantike. Bardhyl Hasanpapaj thotë se misioni i Bashkimit Evropian ndër të tjera do ta ndihmojë Kosovën për t’u integruar në BE.

“Në vazhdën e këtyre aktiviteteve të Bashkimit Evropian, të gjithë këta hapa të koordinuar do të thonë shumë për Kosovën. Kuptohet siç kanë deklaruar edhe institucionet e Kosovës, ky mision është i mirëseardhur në Kosovë dhe ky do të ndihmojë shumë të gjitha proceset qofshin politike ekonomike dhe të tjera, jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë rajonin. Dhe në marrëdhëniet që Serbia do të ketë me Kosovën në marrëdhëniet bilaterale që tash më janë duke u diskutuar dhe negociuar si me marrëveshjen e stabilizim-asociimit ashtu edhe me mundësitë politike që BE, po i ofron Serbisë si koncesion për tolerimin e saj në këtë proces tashmë të pashmangshëm të Kosovës”, ka thënë Hasanpapaj.

Sipas ekspertit Hasanpapaj, ministrat e jashtëm të BE-së pritet që ne takimin e radhës të marrin një vendim për datën e dërgimit të misionit të ri në Kosovë, por, siç thotë ai përcaktimi i datës mund të shtyhet nëse Serbia nuk e nënshkruan marrëveshjen e stabilizim- asocimit me Bashkimin Evropian.

“Gjasat janë që mund të ndodh që kjo të shtyhet dhe të mos miratohet të premten edhe formalisht edhe pse mund të miratohet një plan i veprimit apo një plan operacional siç e quajnë ata, ku do të dalin me disa afate më të qarta kohore. Kjo tregon se vet Bashkimi Evropian nuk është i qartë se në cilën datë saktësisht dhe kjo marrëveshje nuk është arritur akoma, pra në parim janë marrë vesh që ky mision do të vijë në Kosovë, por, datë tash më nuk dihet saktësisht. Megjithatë, kjo nuk ka ndonjë ndikim edhe aq të madh sepse kjo varet edhe në marrëdhëniet, që i përmenda edhe më herët bilaterale me Serbinë. Pra, nëse Serbia dhe 27 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, merren vesh që të nënshkruajnë marrëveshjen e stabilizim-asociimit kjo mund të shtyjë vendimin për misionin në Kosovë. Por, në rast se 27 shtetet anëtare ose Serbia, refuzon të nënshkruajë këtë marrëveshje atëherë mund të ndodhë që të premten edhe të miratohet data e dislokimit të këtij misioni” ka thënë Hasanpapaj.

Kurse, Qerim Qerimi, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universiteti të Prishtinës thotë se vendimi për vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë mund të merret shpejt.
“Afati kohor për vendosjen e misioni do të jetë relativisht i afërt. Më saktësisht, kjo pritet në takimin e radhës të ministrave të jashtëm, që do të mbahet me 18 shkurt. Pra, ka një pajtueshmëri të vendeve të Bashkimit Evropian që të vazhdohet me dërgimin e misionit. Ajo që deri tash nuk është bërë e qartë dhe nuk është saktësuar-është koha e vendosjes së këtij misioni” tha Qerimi.

Zoti Qerimi, mendon se janë dy mundësi për vendosjen e misionit në Kosovë. Sipas tij, e para mund të jetë para pavarësisë dhe e dyta pas. “Dhe këtu ka dy alternativa, e para që misioni të vendoset përpara shpalljes së pavarësisë dhe e dyta që të bëhet pas kësaj. Mirëpo, duket më tepër se vendimi për dërgimin e misionit të behet përpara shpalljes ne kuptimin e asaj, që edhe disa vende që hezitojnë ta njohin shpalljen e pavarësisë, është fjala për vendet e BE-së, që të këtë mundësi ta miratojnë këtë vendim për dërgimin e misionit”, tha Qerimi.

Bashkimi Evropian edhe formalisht u dakordua dje të dërgojë misionin civil dhe policor në Kosovë, por nuk caktoi ndonjë datë për vendosjen e misionit. Misioni do të ketë rreth 1.800 policë dhe zyrtarë të drejtësisë dhe do të quhet EULEX. Ky misioni do t’i kushtojë BE-së 205 milionë Euro vetëm në 16 muajt e parë. BE është pajtuar që ta emërojë për të dërguar të vet në Kosovë diplomatin holandez Peter Faith.
XS
SM
MD
LG