Ndërlidhjet

DANIEL SERWER: ÇËSHTJE KRYESORE ËSHTË AJO E SOVRANITETIT TË KOSOVËS


"Mendoj se zgjedhjet presidenciale në Serbi nuk do ta ndryshojnë finalen...Ato do ta ndryshojnë kohën, pasi njerëzit ndoshta do të lëvizin disa ditë apo një javë më vonë se sa që do të vepronin sikur të ndodhte ndryshe. Por, mendoj se përfundimi do të jetë i njejtë: sovranitet i mbikëqyrur për Kosovën", thotë Daniel Serwer, nga Instituti i SHBA-ve për Paqe me seli në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Tadiq është rizgjedhur president i Serbsië. Ai arriti sukses kundër kandidatit nacionalist dhe pro rus, Tomisllav Nikoliq. Si e vlerësoni ju fitoren e Boris Tadiqit?

DANIEL SERWER
Ishte një fitore shumë e ngushtë, por një fitore e rëndësishme, që sugjeron se shumica në Serbi dëshiron të lëvizë drejt Bashkimit Evropian. Mendoj se është veçanërisht e rëndësishme, se dalja në zgjedhje ishte shumë e lartë, që është poashtu një shenjë për entuziazmin për perspektivën që ai e paraqiti. Kjo perspektivë e tij është në kundërshtim të fuqishëm me atë të rivalit të tij, që ishte më shumë pro rus e më pak pro evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë fushatës së tij, zoti Tadiq, siç e thatë edhe ju, ishte në favor të drejtimit evropian për Serbinë, ndërsa rivali i tij shprehej si pro rus i fuqishëm. Sipas jush, në çfarë drejtimi do të shkojë Serbia?

DANIEL SERWER
Është vështirë të thuhet. Qartazi shihet se presidenti dëshiron të shkoj në një drejtim, ndërsa frikësohem se zoti Koshtunica me qeverinë e tij, kanë një drejtim tjetër. Ata vetë duhet ta gjejnë zgjidhjen e tyre për këtë problem.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet e Kosovës thonë se ato së shpejti do ta shpallin deklaratën e pavarësisë, në koordinim me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara. Si Boris Tadiqi ashtu edhe Tomisllav Bikoliqi fuqishëm e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Çfarë reagimesh mund të priten nga Serbia?

DANIEL SERWER
Nuk e dij. Sigurisht ajo që dëshiroj të shohë është që zoti Tadiq të mendoj thellë se çka është e mirë për Serbinë. Serbia do të përfitonte nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që planin e Ahtisaarit do ta bënte një përkushtim të Këshillit të Sigurimit e jo vetëm përkushtim të Prishtinës. Mendoj se për serbët e Kosovës, që do të mbroheshin nga plani i Ahtisaarit, do të ishte më mirë që kjo të ndodhte me përkushtimin e Këshillit të Sigurimit. Nëse presidenti do të arrijë në këtë konkludim, atëherë ai duhet ta bindë qeverinë e Serbisë, që të kërkoj nga Rusia që të mos e përdorë veton në Këshillin e Sigurimit. Mendoj se kjo do të ishte një përfundim i preferuar, për ata që nisen në këtë drejtim. Por, duke vlerësuar se zoti Tadiq nuk do ta bëjë këtë, mendoj se zgjedhjet presidenciale nuk do ta ndryshojnë finalen...Ato do ta ndryshojnë kohën, pasi njerëzit ndoshta do të lëvizin disa ditë apo një javë më vonë se sa që do të vepronin sikur të ndodhte ndryshe. Por, mendoj se përfundimi do të jetë i njejtë: sovranitet i mbikëqyrur. Sipas mendimit tim, çështja nuk është te pavarësia. Unë pajtohem me zotin Rugova, që thoshte se Kosova është e pavarur për një kohë dhe askush në Serbi nuk pret seriozisht që përsëri t'i qeverisin shqiptarët në Kosovë. Çështje kryesore është ajo e sovranitetit dhe kjo do të thotë se nëse Kosova është sovrane, forcat e sigurisë së Serbisë kurrë nuk mund të hyjnë në mënyrë legjitime në territorin e Kosovës. Kjo për mua është çështje vitale.

RADIO EVROPA E LIRË
A është kjo që thuani realiste për mundësinë e hyrjes së forcave serbe në Kosovë?

DANIEL SERWER
E vetmja gjë që i parandalon ata sot është NATO-ja, që kuptohet është e pranishme në Kosovë në të gjitha enklavat serbe dhe në veri. Sipas pikëpamjes sime, ajo që është vitale është që të krijohen shumë qartë rregullat e lojës ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mendoj se të vetmet rregulla të mundshme në këtë pikë, janë ato për shtetin sovran në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Tash, pas fitores së Boris Tadiqit ka ide që Serbia do të ketë krizë qeveritare, pasi kryeministri Koshtunica nuk do ta ndjek rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian. Sipas jush, a është kjo e mundshme dhe a është e mundshme që kjo përsëri do të ndikoj në shtyrjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës?

DANIEL SERWER
Supozoj se është e mundshme dhe supozoj se disa vende evropiane, nëse ndodhë krizë qeveritare në Serbi, do të argumentojnë për shtyrje të mëtejshme. Por, realisht nuk shohë ndonjë mënyrë tjetër, pa zgjedhje të reja, për ta riformuluar qeverinë. Pra, zgjedhjet e reja janë një mundësi reale dhe imagjinoj se veçanërisht zoti Koshtunica do të donte tu shmangej, pasi me gjasë partia e tij do të humbte. Unë mendoj se vendimi për statusin e Kosovës nuk duhet të shtyhet, për këtë krizë eventuale qeveritare në Serbi. Por, siç thashë, ka të atillë që do të argumentojnë për shtyrje. Nga ana tjetër është gabim të vazhdohet me përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet serbe me shtyrje të mëtejme. Sa më gjatë që Kosova të jetë çështje e hapur, mund të pritet që nacionalistët serbë të dalin mjaft mirë në zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
T'i kthehemi përsëri Kosovës dhe planit për shpalljen e pavarësisë. Nga pikëpamja juaj, kur do të ndodhë kjo?

DANIEL SERWER
Unë vërtetë nuk e dij saktësisht se kur kjo do të ndodhë, por shpresoj se do të ndodhë sa më shpejtë.

Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG