Ndërlidhjet

logo-print

Si e vlerësojnë ekspertët ekonomikë ngrirjen e projektit "Kosova C"?



Ekspertë për çështje ekonomike japin mendime të kundërta rreth vendimit të Ministrisë së Energjisë, për ngrirjen e projektit për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova C’. Disa prej tyre thonë se projekti ka nevojë për rishqyrtim, të tjerët ndërkaq mendojnë se zvarritja e këtij projekti do të ndikojë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Qeveria e re e Kosovës ka ngrirë këtë projekt me qëllim të rishqyrtimit të tij dhe të bëhen ndryshime aty ku, sipas tyre, është e arsyeshme.

Ndryshe, projekti ‘Kosova C’ është projekti më i madh kapital deri më tani në Kosovë. Por, në kohën kur kanë filluar përgatitjet në këtë projekt, Ministria e Energjisë dhe Minierave është udhëhequr nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, e cila në zgjedhjet e vitit të kaluar ka fituar shumicën e votave, ka qenë në opozitë.

Blerim Rexha, zëvendësministër i Energjisë dhe Minierave, tha se projekti është ngrirë, në mënyrë që të rishqyrtohet edhe një herë i tërë procesi. Sipas tij, Qeveria e re, në shqyrtimin e këtij projekti do të fokusohet në ndikimet e termocentralit në ambient dhe në debatet me qytetarët që jetojnë në ato zona, ku do të ndërtohet termocentrali. “Ai është ngrirë derisa t’i shqyrtojmë të gjitha faktet, krejt procesin. Mbi të gjitha, kjo qeveri do të vendosë firmën mbi këtë projekt, çka qeveria e kaluar nuk ka bërë mjaft; është ndikimi në ambient, bisedat me popullatën që është e alokuar në ato pjesë. Prandaj, kjo është një punë që ka mbetur pa u bërë”, thotë Rexha.

Edhe Musa Limani, udhëheqës i Institutit Ekonomik në Kosovë, pohon se vendimi i qeverisë për rishqyrtimin e projektit është vendim i duhur dhe, sipas tij, ky projekt duhet të rishikohet në mënyrë të detajizuar. Limani thotë se ndryshmi i parë që duhet të bëhet në këtë projekt, janë kapacitet prodhuese, pasi, sipas tij, Kosova nuk ka nevojë për 2100 megavat orë energji. ‘‘Në qoftë se ne e ngrisim një kapacitet prej 2100 megavat, ne duhet ta shpërngulim Kosovën, pasi që një kapacitet i tillë, duke i bashkangjitur edhe këto kapacitete ekzistuese, e ndot ambientin e Kosovës dhe faktikisht ne duhet të shpërngulim një pjesë të madhe të popullatës prej këtu, pasi që ambienti do të jetë i papërshtatshëm për jetën e popullatës”, tha Limani.

Ngrirja apo zvarritja e projektit ‘Kosova C’ do të thotë ngrirje e zhvillimit ekonomik, thonë ekspertë tjerë të ekonomisë. Agim Shaihini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se me gjithë analizat e nevojshme, zbatimi i këtij projekti duhet të fillojë sa më shpejt. Ndërtimi i këtij termocentrali do të nxisë zhvillimin ekonomik, thotë Shahini, duke shtuar se do ta rregullojë edhe imazhin e Kosovës, si destinacion për investime. “Sa më shpejt të fillohet që të hyjë në funksion dhe të fillojnë punët në ‘Kosova C’, Kosova do të jetë më afër investimeve dhe më afër një rritjeje të përgjithshme ekonomike. Gjithsesi, ndikimet do të jenë shumë të dukshme dhe në mënyrë direkte apo indirekte do të ketë rritje ekonomike”, tha Shahini.

Energjia elektrike është shumë e rëndësishme për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në Kosovë, thotë edhe Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara, GAP. Ahmeti pohon se Qeveria e Kosovës duhet të punojë sa më shpejt në zhvillimin e projektit ‘Kosova C’, mirëpo, në të njëjtën kohë, thotë ai, duhet të ketë shumë kujdes për detajet e këtij projekti. “Është shumë e rëndësishme që ky projekt të zhvillohet, natyrisht sa më shpejt që është e mundur. Mirëpo, gjithmonë duhet të jemi të kujdesshëm se në çfarë projektesh po hyjmë, qoftë në aspektin e ambientit, apo në aspektin financiar në marrëveshje me kompanitë. Mirëpo, prapëseprapë, Qeveria, nëse ka vendosur që ta ndalojë, duhet të gjejë mënyra që sa më shpejt të vazhdojë projekti ‘Kosova C’”, theksoi Ahmeti.

Ndërtimi i termocentralit ‘Kosova C’ është projekti më i madh kapital deri më tani në Kosovë, që kap shifrën deri në 3.5 miliardë dollarë. Ministria e Energjisë tashmë ka bërë publike kompanitë kualifikuese për garën e mëtutjeshme në ndërtimin e termocentralit ‘Kosova C’ dhe për rehabilitimin e njësive të vjetra. Kompania fituese, e cila është dashur të shpallet në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, pas vendimit të Qeverisë, do të shpallet në fund të këtij viti. Megjithatë, ky projekt, sipas Strategjisë për Zhvillimin Energjetik të Kosovës, është dashur të fillojë të zbatohet në vitin 2009 dhe të përfundojë në vitin 2013. Pas vendimit të fundit të Qeverisë, nuk dihet nëse ka ndryshuar edhe data e zbatimit të kësaj strategjie.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG