Ndërlidhjet

FLEN: SHPRESOJMË SE MANDATI I OSBE-SË DO TË ZGJATET PAVARËSISHT STATUSIT


Arton Konushevci

Zyrtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë shpresojnë që mandati i institucionit të tyre do të vazhdojë, pavarësisht zgjidhjes së statusit të Kosovës. Elli Flen, zëdhënëse e OSBE-së, thotë se në Kosovë, misioni i tyre ka shumë punë për të bërë. “OSBE-ja në Kosovë aktualisht ka mandat mujor. Në fund të çdo muaji, mandati i OSBE-së automatikisht vazhdohet, nëse asnjë nga vendet anëtare të OSBE-së nuk e kundërshton këtë zgjatje të mandatit. Ne, në mision, po vazhdojmë të punojmë normalisht, sepse ne e kemi këtë mandat për momentin dhe po vazhdojmë me punën tonë të rëndësishme”, tha zonja Flen. Ajo ka shtuar se misioni i OSBE-se në Kosovë nuk mban asnjë anë rreth statusit përfundimtar të Kosovës dhe, sipas saj, puna e tyre ka të bëjë me monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe me sundimin e ligjit. “Ajo çka ne bëjmë është që të monitorojmë dhe t’i asistojmë autoritetet lokale në veçanti, në respektimin e të drejtave të njeriut, në respektimin e sundimit të ligjit, si dhe në çështjet e qeverisjes së mirë. Kjo punë është së tepërmi e rëndësishme, pa marrë parasysh se cili do të jetë statusi politik i Kosovës në të ardhmen”, theksoi zonja Flen. Fushat, në të cilat momentalisht është i angazhuar misioni OSBE-së, përfshijnë përmirësimin e praktikave qeverisëse komunale që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e mirë, me theks të veçantë në të drejtat e pakicave. Kryetari i Këshillit Ekzekutiv i Partisë së Pavarur Liberale Serbe, Petar Miletiq, vlerëson se misionet ndërkombëtare, të cilat janë instaluar në Kosovë pas vitit 1999, duhet të mbesin ende. “Ne, si përfaqësues të bashkësisë serbe, jemi të brengosur kur ndonjëri nga misionet ndërkombëtare, të instaluara në Kosovë pas vitit 1999, largohet nga Kosova, pasi që ato janë garantuese të realizimit të të drejtave tona e në veçanti kur bëhet fjalë për misionin e OSBE-së, që ka për mandat zhvillimin dhe demokratizimin e institucioneve dhe realizimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Mu për këtë, mendoj se misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian duhet të mbetet në Kosovë”, tha Miletiq. Mandati i misionit të OSBE-së buron nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 dhe vendimi i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së.
XS
SM
MD
LG