Ndërlidhjet

KOSOVARËT: S’KA MË ASNJË PENGESË PËR SHPALLJEN E PAVARËSISË


Albana Isufi

Politikanët kosovarë mendojnë se më nuk ka ndonjë zhvillim politik brenda apo jashtë Kosovës, që duhet pritur para të shpallet pavarësia e Kosovës. Ajo që duhet tani, sipas deputetëve kosovarë është guximi dhe gatishmëria e institucioneve për të ndërmarrë hapin e shpalljes. Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së Ramë Buja thotë se të gjitha pengesat për deklarimin e pavarësisë tashmë janë hequr.
"Pengesa më nuk ka. Të gjitha problemet nëse mund të quhen probleme janë të institucioneve të Kosovës, sepse unë më nuk shoh ndonjë pengesë tjetër për t’u realizuar ajo që ne e quajmë shpallje e pavarësisë nga institucionet e Kosovës", tha Buja. Në anën tjetër, homologu i Bujës nga LDK Eqrem Kryeziu mendon se institucionet kanë nevojë edhe për pak kohë për të koordinuar shpalljen me faktorin ndërkombëtar.
"S’ma merr mendja që ka më pengesa, përpos ky koordinimi që po thonë me qendrat e vendosjes për datën e shpalljes së pavarësisë. Tjetër gjë nuk ma merr mendja që ka", thotë Kryeziu.
Por, opozitari Ibrahim Makolli nga Aleanca Kosova e re, mendon se liderëve të institucioneve aktualisht po u mungon guximi për të caktuar datën e shpalljes së pavarësisë.
"Tash vjen në shprehje përkushtimi, qëndrueshmëria dhe guximi i institucioneve të Kosovës, në radhë të parë i Kuvendit të Kosovës për ta deklaruar pavarësinë, ashtu edhe sic është paraparë. Konsideroj se absolutisht nuk ka asnjë faktor, i cili do të ndikonte me shtyrjen e mëtutjeshme të këtij deklarimi", thotë Makolli.
Nga ana tjetër, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini konsideron se tash është faza finale, para së cilës më nuk qëndron asnjë pengesë.
"Mendoj se kemi arritur në fazën përfundimtare, të gjithë faktorët relevantë në botë, SHBA, vendet e BE-së janë të pajtimit se është arritur momenti kritik. Gjithmonë do të ketë nevojë ndoshta edhe për një rregullim të vogël të situatës, por mendoj se koha tashmë ka ardhur që Kosova ta shpallë pavarësinë. Nëse janë në pyetje disa ditë, këto nuk e pengojnë realisht shpalljen", tha Gjini.
Liderët e institucioneve të Kosovës thonë se kanë mbetur disa aspekte procedurale për t’u kryer para se të shpallet pavarësia. Ramë Buja mendon se muaji shkurt do të jetë vendimtar. Çdo shtyrje tjetër, sipas tij do të sjellë komplikime tjera.
"Unë besoj se vërëtet do të ndodhë brenda muajit shkurt, sepse po them edhe njëherë se nëse zgjatet akoma më shumë koha e shpalljes së pavarësisë do të ketë konotacione negative, sepse ju e dini nuk kishim kundër shtete të caktuara, kishim një qëndrim indiferent, ndërsa atsh kanë filluar të dalin një-dy-tre e shtete tjera, kështu që po e zgjatëm kohën mbase mund të na problematizohet puna", tha Buja.
Në anën tjetër, Ardian Gjini mendon se i vetmi takim që ndoshta do të pritet para se të shpallet pavarësia mund të jetë ai i 18 shkurtit i ministrave të jashtëm të BE-së.
"Me siguri se atëherë do të merren vendime edhe për misionin e ri, i cili do të vendoset në Kosovë, cështja se a do të shpallet pavarësia pas apo më herët, është një cështje që po diskutohet ende", thotë Gjini.
Sidoqoftë, deputetët nga i gjithë spektri politik thonë se janë më se të gatshëm që të bëhen pjesë e aktit historik të shpalljes së pavarësisë. Ata thonë se dinamizimi i procesit të pavarësimit varet nga zhvillimet në Kosovë, e jo më nga ato në rajon apo botë.


XS
SM
MD
LG