Ndërlidhjet

A mund EULEX t'i anulojë vendimet e Kuvendit të Kosovës?



Misioni i ri Bashkimit Evropian i koduar me emrin EULEX, nuk mund të anulojë vendimet e Kuvendit të Kosovës dhe nuk do të mund te bëjë shkarkimet e zyrtarëve të lartë në Kosovë por, misioni do të këtë mundësi të jap sugjerime dhe vërejtje kur vërtetohet se ka lëshime në sferën e sundimit të ligjit dhe të gjyqësorit, thonë përfaqësuesit e Institucioneve të Kosovës.

Arsim Bajrami, ministër i Shërbimeve Publike thotë se Kosova do ketë mekanizmat e vetë që do të vendosin për këtë çështje.
“Ne do ta kemi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës tani, dhe ajo gjykatë do të jetë kompetente për të anuluar aktet kundërthënëse mes veti. Gjithashtu, misioni do të këtë mundësi edhe të vëzhgimit të punës së zyrtarëve të lartë, të funksionarëve të lartë të Kosovës, me mundësi të ndërhyrjeve në raste të caktuara, kur mendohet se po shkelet pakoja e Ahtisaarit apo koncepti, që ai ka parashikuar” , thotë Bajrami.

Sipas Bajramit, edhe çështja e shkarkimeve edhe e emërimeve të zyrtarëve të larë në Kosovë, do të përcaktohet nga Kushtetuta e re të Kosovës. “Nuk thuhet shprehimisht kjo e drejtë, sepse shkarkimi i zyrtarëve të lartë bëhet tani në procedura kushtetuese. Por, natyrisht do të ketë mundësi të ndërhyrjeve dhe dhënies së vërejtjeve dhe sugjerimeve që patjetër do të kishin edhe refleksione ndërkombëtare. Çështja e shkarkimeve dhe emërimeve të zyrtarëve të lartë tani përcaktohet në mënyrë shprehimore me Kushtetutën e Republikës se Kosovës, e cila në fakt do të paraqesë edhe një akt më të lartë kushtetues në bazë të cilës do të funksionojë i terë sistemi kushtetues i Kosovës”, thotë Bajrami.

Ministri Bajrami shton se dallimi ne mes te administrimit të UNMIK-ut, dhe misionit, që do të vijë nga Bashkimi Evropian është substancial. “Mund të them se dallimi është substancial sepse në kohën e UNMIK-ut kemi pas dualizëm qeverisës kemi pas qeverisjen e UNMIK-ut dhe të institucioneve të Kosovës dhe pushteti ka qenë i ndarë në dysh, për aq më tepër pushtet kryesore kanë qenë në duar të UNMIK-ut, deri sa institucionet kanë pasur disa pushtete të tjera. Nuk mund të bëhet ndonjë ngjashmëri midis këtyre dy misioneve, për aq më tepër nuk mund të bëhet edhe ngjashmëri edhe me misionet e tjera ndërkombëtare që janë në vendet e tjera të rajonit”, tha Bajrami.

Nga ana tjetër, edhe Avdullah Robaj, eksperti për çështje kushtetuese thotë se misioni i ri BE-se që pritet të vijë në Kosovë , ka dallim shumë të madh me atë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili aktualisht administron Kosovën. Sipas zoti Robaj, misioni i quajtur EULEX-se i cili do të veprojë në Kosovë, mund të jetë shembull edhe për vende tjera.
“Pra, nëse dëshironi të bëni një krahasim në mes të misionin te OKB-se, i ashtuquajtur UNMIK, dhe tani të misionit të Bashkimit Evropian, kanë dallime përmbajtësore, shumë të mëdha. Derisa misioni i UNMIK-ut ka pasur për qellim dhe ka qenë i ndërtuar në tri faza, domethënë ndërtimin e institucioneve të para dhe menaxhimin e institucioneve të para dhe menaxhimin e krizës së dalë nga lufta e Kosovës, misioni i BE-se i koduar EULEX-së ka për qëllim ta ndërtojë një shtet të ri, ku në këtë shtet nuk do të kishte krim, ku në këtë shtet nuk do të kishte korrupsion dhe se ky shtet do të të ishte ndoshta shembull për shtetet e rajoni” thotë Robaj.

EULEX do te përbëhet nga një staf prej më shume se 1800 personash, që do jenë përgjegjës për fushën e drejtësisë dhe policisë.
XS
SM
MD
LG