Ndërlidhjet

Pond: Fundi i lojës


Elizabeth POND, autore e librit "Fundi i Lojës në Ballkan"

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pond, titulli i librit tuaj "Fundi i Lojës në Ballkan" i përshtatet zhvillimeve aktuale në Kosovë. A është fundi i lojës?

ELIZABETH POND
Mendoj se po. Mendoj se është fundi i lojës në Serbi, në Kosovë, por edhe në Ballkan në përgjithësi. Zgjedhjet e fundit presidenciale në Serbi shënuan fundin e lojës atje, kurse shpallja e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, do ta shënojë fundin e lojës në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Koha e shpalljes së pavarësisë vazhdon të jetë temë diskutimesh. Edhe pse Prishtina pohon se ajo do të ndodhë gjatë këtij muaji, a shihni ndonjë rrezik që mund ta shtyjë edhe më shpalljen e pavarësisë?

ELIZABETH POND
Ndoshta deri në fillim të muajit mars, por nuk e shoh se mund të shkojë përtej. Sekuencat tashmë dihen, Bashkimi Evropian duhet të ketë kohë të mjaftueshme për ta dërguar misionin e tij në Kosovë, në mënyrë që Rumania dhe të tjerët do të mund t'i bashkoheshin këtij misioni. Kjo është çështja bazë e cila duhet të ndodhë aktualisht. Pastaj mund të shpallet pavarësia dhe pas kësaj vjen etapa e njohjes së kësaj shpalljeje, duke u pasuar me detyrimet e Kuvendit për ta përfunduar legjislaturën që do të garantojë të drejtat e pakicave kombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
A shihni ndonjë ndikim të zgjedhjeve në Serbi në dinamikën e përcaktimit të statusit politik?

ELIZABETH POND
Mendoj se ajo çfarë zgjedhjet në Serbi kanë dëshmuar tregon për zvogëlimin e rrezikut të dhunës, edhe pse nuk jam e sigurt se deri në ç'masë do të mund të promovonin radikalët dhunën, po të fitonte Tomislav Nikoliq. Aktualisht, mendoj se kjo çështje nuk paraqet ndonjë shqetësim. Për mendimin tim, humbësi më i madh në zgjedhjet presidenciale në Serbi është kryeministri aktual Vojisllav Koshtunica. Kjo për faktin se ishte ai që në masë të madhe ka favorizuar, në mënyrë dogmatike madje, nacionalizmin e Serbisë së shekullit të 19-të si identitet serb dhe jo identitetin bashkëkohor dhe evropian të shekullit të 21-të. Votuesit e kanë kundërshtuar këtë ide me një dallim prej 3 për qind. Dhe kjo mund të interpretohet si shenjë trimërimi për rajonin në përgjithësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, kur flitet për ndikimin që shpallja e pavarësisë mund të ketë, ka shqetësime për reagimin e serbëve të Kosovës…

ELIZABETH POND
Po. Në një afat më të gjatë, padyshim ekziston shpresa se serbët e Kosovës do të mund t'i shohin përfitimet që ata mund t'i gëzojnë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Këtu fjalën e kam për përfitimet ekonomike, por edhe përfitimet tjera, që mund të jenë më të rëndësishme se përfitimet që aktualisht i gëzojnë nga Beogradi. Megjithatë, mendoj se për një gjë të këtillë do të duhet një kohë e gjatë, por gjithashtu mendoj se pikërisht në këtë drejtim gjërat do të ecin përpara.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pond, Moska aktualisht është duke luajtur një rol të rëndësishëm në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës. Çfarë përgjigje mund t'i japë Perëndimi veprimeve aktuale ruse në raport me Kosovën?

ELIZABETH POND
Mendoj se kjo përgjigje tashmë i është dhënë. Nuk jam e sigurt nëse duhet bërë diçka më shumë. Për mua, nuk ka qenë edhe aq i befasishëm kundërshtimi rus ndaj pavarësisë së Kosovës. Ka qenë më shumë fakti se kur Bashkimi Evropian vendosi ta përkrahë pavarësinë e Kosovës, jo më shumë se para disa javësh, rusët u përgjigjën jo me ato kërcënimet që i shqiptonte Koshtunica në rast të shpalljes së pavarësisë. Rusët po thoshin se do të bënin gjithë atë që është e mundur dhe të siguronin se Kosova e pavarur të mos bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara. Në parim, kjo ishte shumë më pak nga ajo me çfarë kërcënohej Koshtunica, prandaj mendoj se do të ketë në fund një përshtatje pragmatike nga ana e rusëve mbi atë çfarë po ndodhë aktualisht.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Perëndimi i ka keqinterpretuar në vazhdimësi synimet reale të Rusisë në Ballkan?

ELIZABETH POND
Jo, mendoj se ajo çfarë mbase do të ndodhë tani ka të bëjë me zhvendosjen e garës apo rivalitetit në çështjen e përgjithshme të gazsjellësve, në mënyrë specifike midis projektit rus "Rryma e Jugut" përballë projektit "Nabucco" të Bashkimit Evropian. Dhe në këtë kuadër, mendoj se kjo do të jetë pak më e lehtë për t'u zgjidhur në krahasim me rivalitetin politik që ka ekzistuar deri më tash.
XS
SM
MD
LG