Ndërlidhjet

THAÇI: KEMI KONFIRMIMIN E RRETH 100 SHTETEVE QË DO TA NJOHIN KOSOVËN E PAVARUR


Zijadin Gashi

Kosova ka konfirmimin e rreth 100 shteteve botërore, që janë të gatshme ta njohin pavarësinë e saj, ka thënë sot kryeministri Hashim Thaçi. Kryeministri i Kosovës i ka bërë këto komente pas një takimi që zhvilloi me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ku është biseduar për hapat e përbashkëta të Qeverisë së tij dhe administratës ndërkombëtare, në këtë fazë të marrjes së vendimit për statusin e Kosovës. Kryeministri Thaçi tha se janë bërë të gjitha përgatitjet që Kosova ta deklarojë pavarësinë e saj, por ai as sot nuk ka kumtuar se në çfarë afati kohor mund të merret vendimi nga ana e institucioneve të Kosovës. “Kemi konfirmimin e rreth 100 shteteve të botës, se janë të gatshme ta njohin pavarësinë menjëherë pas shpalljes. Do të thotë, tash duhet t’i kushtojmë rëndësi vetëm njohjes ndërkombëtare. Do ta kemi njohjen e fuqishme, njohjen masive dhe njohjen e konsoliduar”, tha Hashim Thaçi. Përkundër disa dilemave që shprehen në analiza e opinione të ndryshme lidhur me sfidat, me të cilat Kosova mund të ballafaqohet në fazën e marrjes së vendimit për statusin, kryeministri Thaçi tha se nuk parasheh probleme. Sipas tij, ka kaluar koha kur Kosova është trazuar nga jashtë. “Frika dhe kërcënimet për Kosovën dhe popullin e Kosovës kanë përfunduar para 10 vjetësh, më 10 qershor të vitit 1999”, u shpreh kryeministri kosovar. Duke iu referuar sigurisë në Kosovë në momentin e marrjes së vendimit për statusin dhe ditët pasuese, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tha se strukturat paralele serbe në Kosovë shtrijnë aktivitetet e tyre në fushën e arsimit dhe shëndetësisë. Por, sa i përket sigurisë, ai u shpreh i bindur se në këtë fushë, autoritetet kompetente janë dhe do të mbeten vetëm KFOR-i dhe policia vendore e ajo ndërkombëtare. “Kur janë në pyetje strukturat administrative, UNMIK-u është autoriteti kryesor dhe bashkë me institucionet e Kosovës do të shikojmë nga afër se çfarë do të ndodhë në lidhje me mundësinë potenciale të krijimit të strukturave paralele administrative”, tha Ruecker. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, kryeministri Hashim Thaçi tha se pritet që në Kosovë të fillojë edhe misioni i Bashkimit Evropian, i cili do të jetë i mirëpritur nga autoritetet vendore. “Misioni i ri ndërkombëtar është i mirëpritur dhe ka qenë i ftuar prej institucioneve të Kosovës. Do të kemi bashkëpunim shumë të ngushtë, sepse do të jetë një bashkëpunim për interesin e qytetarëve të vendit, për paqen e stabilitetin në rajon, e do ta kemi edhe praninë e NATO-s. Institucionet legjitime të Kosovës do ta kryejnë autoritetin e vet të rëndësishëm në të udhëhequrit e vendit, ndërsa autoriteti i ri ndërkombëtar do të jetë mbikëqyrës dhe këshillëdhënës”, tha Thaçi. Ndryshe, koordinimi i punëve në fazën e statusit, si dhe bartja e përgjegjësive nga UNMIK-u tek autoritetet kosovare, kanë qenë tema të diskutuara edhe në takimin që Ruecker zhvilloi me presidentin Fatmir Sejdiu. Pas atij takimi, nuk janë bërë prononcime për media, por, sipas njoftimeve nga Zyra e Presidentit, thuhet se Kosova, bashkë me deklarimin e pavarësisë, do të marrë mbi vete zotimet për zbatimin e planit të Ahtisaarit dhe akomodimin e pakicave sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.


XS
SM
MD
LG