Ndërlidhjet

KRASNIQI:”SHPALLJA E PAVARËSISË STABILIZON EDHE KRIZËN NË SERBI”


Jakup KRASNIQI, kryetar i Kuvendit të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, çështja e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, keni deklaruar se do të ndodhë brenda këtij muaji. Mund të jepni më shumë detaje?

JAKUP KRASNIQI
Ne mendojmë se kjo çështje veç ka hyrë në rrugën ku nuk mund të ketë kthim prapa, për faktin se në dhjetor të vitit të kaluar, në Këshillin e Sigurimit është thënë se nuk do të ketë më bisedime për Kosovën. Bashkimi Evropian, mund të them se është duke biseduar seriozisht për përgatitjen e misionit që do të jetë mbikëqyrës në Kosovë, për një periudhë. Ne e dimë se ky mision do të ketë përgjegjësi për sigurinë e Kosovës, për zhvillimin e sigurisë në Kosovë, do të ketë përgjegjësi për ristrukturimin e sistemit të drejtësisë, që mendoj se janë segmente mjaft të rëndësishme. Por, natyrisht, Bashkimi Evropian do të ketë një rol edhe si donator në mbështetjen e institucioneve të Kosovës në vitet e ardhshme. Pastaj, edhe një çështje tjetër që duhet ta shohim është se shtyrja e problemit ose e mosnjohjes ndërkombëtare të pavarësisë, nuk është më zgjidhje. Vendimi duhet të merret dhe vendimi do të ishte sukses jo vetëm për institucionet e Kosovës, por do të ishte një sukses i madh për administratën ndërkombëtare, për BE-në, për SHBA-të, që gjatë këtyre viteve kanë investuar shumë në Kosovë. Janë të gjitha këto rrethana që na çojnë në atë që ky muaj është muaj që duhet t’i përcaktojë zhvillimet e reja në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të kenë zhvillimet aktuale në Serbi, kriza qeveritare atje, ndonjë ndikim në përcaktimin e dinamikës së shpalljes së pavarësisë?

JAKUP KRASNIQI
Mendojmë se vetëm përshpejtimi i shpalljes së pavarësisë dhe i njohjes ndërkombëtare të saj është ajo që do të stabilizojë edhe krizën në Serbi. Moszgjidhja dhe shtyrja e statusit politik të Kosovës edhe gjatë këtyre viteve, jam i bindur që e ka penguar edhe zhvillimin e demokracisë në Serbi. Jam i bindur se pa definimin dhe pa qartësimin e statusit të Kosovës, do të thotë njohjen ndërkombëtare të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, jo vetëm që nuk do të ketë zhvillim të duhur në Kosovë, jo vetëm që nuk do të ketë zhvillim të demokracisë në Kosovë, por mendoj se para së gjithash edhe demokracia në Serbi do të jetë tepër e brishtë dhe Serbia do të merret më tepër me çështje që nuk i takojnë asaj dhe faktikisht do të mbetet larg zhvillimeve jo vetëm të demokracisë, por edhe të zhvillimeve tjera. Me një fjalë, definimi i statusit politik të Kosovës do ta ndihmonte edhe Serbinë, por do të ndihmonte edhe shumë procese tjera integruese drejt BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri ku ka arritur Kuvendi i Kosovës me përgatitjet e nevojshme sa i përket shpalljes së pavarësisë?

JAKUP KRASNIQI
Mund të them se Kuvendi i Kosovës është i përgatitur. I ka rrumbullakuar të gjitha trupat e vet të punës, duke përfshirë edhe komisionet parlamentare. Ka mbajtur seanca të rregullta dhe mendoj se kanë qenë mjaft të suksesshme. Kuvendi i Kosovës është duke u përgatitur që për disa ligje dhe për disa çështje të rëndësishme, siç është kushtetuta dhe simbolet, të përdorë një procedurë të përshpejtuar për t’i kryer obligimet e veta karshi qytetarëve, por edhe obligimet që ka marrë nga dokumenti i presidentit Ahtisaari. Me një fjalë, Kuvendi i Kosovës është i gatshëm t’i kryejë përgjegjësitë që i ka në raport me qytetarët, por edhe në raport me komunitetin ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mendoni t’i akomodoni kërkesat e serbëve të Kosovës në këtë periudhë, veçanërisht të atyre që janë të përfshirë në Parlament? Këta të fundit kanë deklaruar se do të tërhiqen nga institucionet nëse shpallet pavarësia...

JAKUP KRASNIQI
Akomodimi më i mirë i serbëve jo vetëm që janë në institucione, por i serbëve në përgjithësi, është dokumenti i Ahtisaarit, i cili ka krijuar privilegje dhe standarde të reja për pakica. Deputetët që kanë ardhur në Parlament, ne i kemi pritur, ua kemi dhënë hapësirën e mjaftueshme. Ata, në një formë, kanë qenë të bindur se ky vit do të jetë vit i pavarësisë dhe i definimit të statusit politik të Kosovës. Mendoj se kjo nuk ka qenë e paditur për ta. Nëse ka ndonjë pakënaqësi nga ndonjë deputet që është vërejtur gjatë këtyre ditëve, më tepër është për shkak të jostabilitetit të tyre në raport me proceset apo ndonjë pakënaqësi tjetër që nuk janë në ekzekutiv. Por, mendoj se shumica e deputetëve serbë që janë në Kuvendin e Kosovës janë mirë të akomoduar, janë mirëpritur dhe kanë treguar gatishmëri për të qenë përkrah gjithë proceseve që janë duke u zhvilluar dhe përkrah shumicës në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, njëkohësisht, ka shqetësime edhe për format tjera të reagimit të serbëve në Kosovë kundër shpalljes së pavarësisë. A shihni ndonjë rrezik në këtë drejtim?

JAKUP KRASNIQI
Ne mendojmë se zgjidhja e statusit politik të Kosovës, shpallja e pavarësisë dhe njohja ndërkombëtare e kësaj pavarësie, është e mirë jo vetëm e shumicës së qytetarëve të Kosovës, por është e mirë edhe e qytetarëve serbë të Kosovës, të cilëve vërtet u garanton shumë të drejta dhe shumë liri. Mendoj se institucionet e Kosovës edhe tash, por edhe në të ardhmen, do të ofrojnë siguri të mjaftueshme për jetë të lirë, qarkullim të lirë, mandej edhe për një integrim në institucione, në jetën publike dhe shoqërore në Kosovë. Ne mendojmë se qytetarët serbë të Kosovës duhet të mendojnë kthjelltë. Faktikisht, shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës hap perspektiva të reja për të gjithë qytetarët e Kosovës. Jam i bindur se edhe serbët e kanë kuptuar se zgjidhja e problemit as të shumicës, as të pakicës, nuk është në konflikte. Do të thotë, zgjidhja e problemit është duke e lënë prapa historinë e dhimbshme, në rend të parë, të shumicës shqiptare, pastaj edhe të pakicave dhe është në interesin e të gjithëve që të krijojnë një vizion të ri për jetën e tyre dhe për të ardhmen e tyre, në bashkëjetesë, në paqe, duke u integruar në jetën politike dhe institucionale në Kosovë. Do të thotë, është në interesin e serbëve dhe mendoj se duhet ta shfrytëzojnë këtë ofertë serioze që u është bërë edhe nga faktori shqiptar, por edhe nga faktori ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni Bashkimin Evropian përballë procesit që po zhvillohet aktualisht në Kosovë?

JAKUP KRASNIQI
Mendoj se BE-ja ka pasur një rol përcaktues edhe në zhvillimet e deritashme. Tani, pasi që BE-ja do të marrë përgjegjësi të reja dhe përgjegjësitë kryesore për të mbikëqyrur funksionimin e institucioneve demokratike në Kosovë, për të bërë një mbikëqyrje mbi shtetin e Kosovës, sigurisht që merr obligime për t’i ndihmuar proceset politike, por edhe zhvillimore në Kosovë, ne jemi të bindur se BE-ja do të jetë një nga donatorët më të fuqishëm për të ndihmuar Kosovën dhe institucionet e saj, për t’i mundur pakënaqësitë sociale që mund të dalin. Mendojmë së BE-ja do të kontribuojë shumë në integrimin e të gjithëve në Kosovë.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG