Ndërlidhjet

O. IVANOVIQ: PAVARËSIA - VETËM NJË AKT DEKLARATIV DHE ASGJË MË SHUMË


Intervistë me politikanin serb, Oliver Ivanoviq

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Ivanoviq, sipas liderëve të institucioneve kosovare pavarësia e Kosovës është çështje ditësh. Ndërsa, thuhet se kjo fundjavë mund te jetë e fundit pa pavarësi. Si i shihni ju këto zhvillime?

OLIVER IVANOVIQ
Nuk do të isha shumë i sigurt se është vikendi i fundit, meqë deri tani shumë herë kanë paralajmëruar shpalljen, dhe mund të ndodhë që edhe kësaj herë kjo të shtyhet. Por, nëse ndodh, mendoj se ky do të jetë një akt deklarativ dhe asgjë më shumë dhe ai në vetvete nuk nënkupton shumë nëse nuk njihet nga të gjitha vendet ne Evropë dhe ne Kombet e Bashkuara. Sic është tani situata, shumë shtete do të jenë shumë të rezervuara ndaj këtij akti dhe Serbia këtë nuk do të pranojë, e pa Serbinë, ky akt nuk do të ketë legjitimitet të plotë ligjor.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse mendoni kështu?

OLIVER IVANOVIQ
Sepse, që të shpallësh pavarësinë është shumë lehtë, secili mund ta shpallë. Por, njohja e kësaj pavarësie është një proces i gjatë dhe ajo që është më e rëndësishmja vendet që janë të njohura ndërkombëtarisht dhe që janë pjesë e OKB-së, nuk munden aq lehtë që të marrin pjesë të territorit dhe në atë pjesë të formojnë një shtet të ri. Do të thotë OKB-ja gjithsesi se duhet të respektojë parimet e saj dhe statutin e saj dhe ai nuk e parashikon këtë mundësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, kryeministri Thaci ka thënë se tash kanë marrë garanci se të paktën 100 shtete do ta njohin pavarësinë e Kosovës?

OLIVER IVANOVIQ
Po, njësoj mendoj, se të japësh premtimin se do të njihet pavarësia është e lehtë. Por kur të ballafaqohen me konsekuencat dhe rreziqet që bart ai precedent atëherë frikësohem se ky numër i shteteve do të jetë shumë më i vogël.

RADIO EVROPA E LIRË
Liderët serbë janë deklaruar për reagime të ndryshme në rast të shpalljes së pavarësisë. Po si do të vepronit si një nga politikanët serbë?

OLIVER IVANOVIQ
Nuk jam në situatë që të reagojë, por në cdo rast, si të gjithë serbët e kundërshtoj këtë pavarësi. Ndryshe nuk mund të marrë ndonjë vendim tjetër, pasi nuk jam as në Kuvendin e Kosovës e as në ndonjë Kuvend serb. Mendoj se është e mundshme, që ky asociacioni i serbëve të marrë vendim për të mos njohur pavarësinë, ky do të jetë në shikim të parë përfundimi dhe do t’i rrinë besnik rezolutës 12 44, e kjo rezolutë parasheh se Kosova është pjesë e Serbisë. Kjo nënkupton se të gjithë serbët që jetojnë këtu, jetojnë në një territor, që është pjesë e Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkësia e komunave serbe ka paralajmëruar formimin e parlamentit serb, që do të funksiononte si strukturë paralele serbe në Kosovë. Si e shihni ju këtë trup?

OLIVER IVANOVIQ
Unë nuk mendoj se kjo do të sjellë shumë fat, pasi që ky është një reagim shumë normal i serbëve që janë të frustruar dhe të pakënaqur se si bashkësia ndërkombëtare po i vë kornizën Serbisë dhe mendoj se ky parlament paralel nuk do të sjellë kush e di se cka. Me rëndësi është të dihet se si do të reagojë Serbia, ndërsa serbët, që janë këtu është normale që kanë të drejtë të kenë vullnetin e tyre politik, kjo është rrugë legjitime.

RADIO EVROPA E LIRË
Po ashtu, është paralajmëruar një bojkotim i EULEX-it nga ana e serbëve të Kosovës. Mendoni se kjo është ide e mirë?

OLIVER IVANOVIQ
Jo. Mendoj se me Bashkimin Evropian, nëse nuk mundemi të ndikojmë në ardhjen e tyre, nuk mundemi t’i injorojmë, meqë neve në këtë situatë të vështirë, na është e domosdoshme ndihma e bashkësisë ndërkombëtare. Bashkimi Evropian është në Kosovë edhe si shtyllë e katërt e UNMIK-ut, këtu është misioni i OSBE-së, KFOR-i, NATO, pra janë të gjitha shtetet e BE-së, por në pyetje është forma. Është me rëndësi që Këshilli i Sigurimit të vlerësojë situatën dhe të sjellë një vendim dhe qëndrim të tij. Unë besoj se në Këshillin e Sigurimit sa i përket këtij misioni mund të ketë pajtim, por vetëm nëse ky mision do të jetë i ndarë nga çështja e statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga reagimet e komunitetit serb është thënë se do te jetë shkëputja e veriut të Kosovës. Ju në disa raste e keni kundërshtuar këtë ide. Po tani ç’mendim keni?

OLIVER IVANOVIQ
Mendoj se kjo nuk do të ndodhë, dhe do të ishte hap i gabuar, pasi që do të nënkuptonte se me këtë pranohet pavarësia e Kosovës. Kjo është çështja e parë. E dyta është se kjo do ta linte në një situatë shumë të keqe pjesën tjetër të serbëve. Kjo nuk do të zgjidhte problemin, por vetëm sa do të përkeqësonte konfliktin mes dy bashkësive etnike.

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Ivanoviq, ju thatë më herët se shpallja e pavarësisë do të jetë vetëm deklarative. Po cila do të jetë zgjidhja sipas jush?

OLIVER IVANOVIQ
Për mua statusi i Kosovës, statusit final do të zgjidhet, vetëm kur Kosova bashkë me Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor do të hyjnë në Bashkimin Evropian. Atëherë do të ishte një atmosferë më e përshtatshme për të marrë vendimin final, pasi Serbia do të kundërshtojë çështjen e pavarësisë deri në fund. E një territor i tillë kundërthënës nuk mund të hyjë në BE, kjo është e sigurt dhe Kosova do të mbetej si Qiproja veriore. Serbia në Bashkimin Evropian, ndërkaq Kosova do të mbetej jashtë saj, që do të ishte shumë keq në kuptimin ekonomik për ata që jetojnë këtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Sidoqoftë, z. Ivanoviq, sa është i informuar komuniteti serb nga politikanët serbë se shpallja e pavarësisë është duke u afruar?

OLIVER IVANOVIQ
Po, mendoj se nuk është ndonjë informim i mirë, pasi që shumica e serbëve nuk kanë sinjal televiziv dhe nuk marrin gazetat dhe nuk mund të jemi të kënaqur me informimin e tyre. Në anën tjetër, a janë të informuar sa duhet drejtpërdrejt? Fatkeqësisht, ministri për Kosovën, që ka detyrë të merret me Kosovën dhe njerëzit në Kosovë, nuk e bën këtë. Ai do të duhej të ishte shumë më shpesh këtu dhe të flasë me njerëz në secilën pjesë të Kosovës. Njerëzit duhet të kenë informacione te plota se çka do të bëjë Serbia me ta, në rast se Kosova e shpall pavarësinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Spektri politik në Kosovë është i ndarë, sa i përket integrimit në institucione. Kur pritet integrimi i plotë i komunitetit serb në institucionet e Kosovës apo do të vazhdohet më këto ndasi brenda vetë komunitetit serb?

OLIVER IVANOVIQ
Kjo është një çështje shumë e ndjeshme. Serbët kanë ndjenjën se nëse do të hynin në institucione do të cenonin pozicionin negociator, apo atë politik të Serbisë për çështjen e Kosovës. Pra, kjo është një përgjegjësi e madhe dhe ndahet nga pjesëmarrja në institucione. Mendoj se kjo do të zgjasë edhe për shumë kohë, ndoshta për disa vjet derisa serbët plotësisht të marrin pjesë në institucione.
Intervistoi: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG