Ndërlidhjet

FATI I STRUKTURAVE PARALELE SERBE PAS PAVARËSISË


Albana Isufi

Më 15 shkurt është paraparë krijimi i parlamentit serb, trup tjetër paralel serb, që do të funksionojë në Kosovë. Shumë përfaqësues serbë kanë deklaruar tashmë se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe në pjesët e banuara me shumicë serbë do të vazhdojnë së funksionuari strukturat paralele, ndërkaq bazë ligjore edhe më tej do të merret Rezoluta 1244. Por, Qeveria e Kosovës shpreson se kjo praktikë do të ndryshojë pas shpalljes së pavarësisë. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se pas pavarësimit, institucionet legjitime të Kosovës do të kenë shtrirje në tërë territorin.
“Ndonëse jemi të vetëdijshëm se nuk do të jenë të kënaqur me vendimet tona, një pjesë ndoshta e manipuluar e popullatës serbe nuk do të jenë të kënaqur, edhe disa mekanizma tjerë, ndoshta edhe Beogradi dhe ndonëse do të kemi vështirësi në këtë drejtim, do të përpiqemi që në mënyrën më të mirë të mundshme t’i realizojmë objektivat për ndërtimin e shtetit të Kosovës në tërë territorin e Kosovës. Kemi një mbështetje të madhe të faktorit ndërkombëtar dhe po ashtu një përkushtim të madh të institucioneve, në të cilat institucione janë përfaqësuese edhe pakicat dhe ne shpresojmë se edhe Beogradi nuk do të lejojë që të marrë vendime aventuriere të manipulimit të popullatës dhe izolimit të kësaj popullate”, tha ministri Pajaziti. Në anën tjetër, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës pohojnë se popullata serbe është e frikësuar nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe si rrjedhojë e kësaj po krijohen trupa tjerë paralele, për t’i shfrytëzuar si mekanizma mbrojtës të të drejtave të tyre. Megjithatë, Petar Miletiq, nga Partia Liberale Serbe, nuk është i sigurt se përmes strukturave paralele serbe do të mund të mbrohen në formën më të mirë të drejtat e serbëve. “Se sa është i mirë vendimi për formimin e parlamentit serb dhe se sa do të krijojë probleme dhe sa do të ketë ndonjë rëndësi në këto momente, është vështirë që të vlerësoj, pasi nuk e di se çfarë roli do të ketë ai kuvend. Ideja jonë që nga fillimi ka qenë që ne të përfshihemi në institucionet që i njeh e tërë bashkësia ndërkombëtare dhe brenda tyre të luftojmë për të drejtat tona. Fatkeqësisht, më duket se ne kemi hyrë shumë vonë në ato institucione dhe tash po bëjmë aq sa mund të bëjmë në një situatë të tillë. Nuk duhet që paraprakisht të paragjykojmë asnjë iniciativë, por mendoj se vendi më i mirë për luftën e serbëve për të drejtat e tyre është mu në institucionet Kosovës, pavarësisht se sa të pakënaqur jemi me ato që kanë bërë deri tash këto institucione”, thotë Miletiq. Pavarësisht se liberalët serbë promovojnë përfshirjen në institucionet kosovare, shumica dërrmuese e serbëve kundërshtojnë këtë. Strukturat paralele serbe vazhdojnë së funksionuari që pothuajse nëntë vjet dhe as institucionet ndërkombëtare e as ato vendore nuk kanë mundur t’i shpërbëjnë këto, me gjithë ofertat e ndryshme që i janë bërë komunitetit serb. Megjithatë, ministri Zenun Pajaziti është i bindur se oferta e tanishme e Qeverisë së Kosovës do t’i bëjë serbët që t’i ndryshojnë pikëpamjet. “Pavarësia e Kosovës nuk do të jetë një proklamim i thjeshtë; do të ndodhë me një deklaratë, por do të sjellë një ofertë të rëndësishme evropiane për qytetarët e Kosovës. Vendimi i statusit do të jetë një ofertë pro-perëndimore për qytetarët, që do të ketë objektiva të qarta të zhvillimit ekonomik, të investimeve të reja, të një qeverisjeje për të gjithë qytetarët e tjerë; do të jetë shumë e zorshme prej kujtdo qoftë që kjo ofertë të zëvendësohet me një ofertë tjetër, që nuk është pro-perëndimore, që sjell izolimin apo manipulimin e një pjese të qytetarëve. Prandaj, ne i besojmë kësaj oferte, besojmë se do të ecim mirë dhe besojmë se qytetarët serbë do ta kuptojnë drejt çdo ditë e më shumë këtë ofertë tonën”, thotë Pajaziti. Në anën tjetër, vetë komuniteti serb është i ndarë sa i përket veprimeve që duhet ndërmarrë pas shpalljes së pavarësisë. Përderisa disa politikanë mendojnë se serbët nuk duhet të lëshojnë institucionet dhe duhet të qëndrojnë, madje edhe në Kosovën e pavarur, të tjerët paralajmërojnë bojkotim si të institucioneve vendëse, ashtu edhe të atyre ndërkombëtare.


XS
SM
MD
LG