Ndërlidhjet

Tirana: Pavarësia e Kosovës – një realitet historik

  • Suela Musta

Presidentët e Shqipërisë dhe ai i Kosovës, Bamir Topi dhe Fatmir Sejdiu

Presidentët e Shqipërisë dhe ai i Kosovës, Bamir Topi dhe Fatmir Sejdiu

Kryetarët e partive dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë i bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje klasës politike të Kosovës në ditët e shpalljes së pavarësisë dhe pas këtij procesi. Kryeministri Berisha tha se pavarësia e Kosovës është një realitet historik, me të cilin Beogradi duhet të përshtatet për hir të së ardhmes evropiane të shqiptarëve dhe të serbëve.

Politika shqiptare vlerëson se shpallja e pavarësisë së Kosovës do të sjellë stabilitetin politik, të sigurisë, ekonomik, social etj, jo vetëm të këtij vendi, por për gjithë rajonin. Deputeti Ilir Meta mendon se akti historik i pavarësisë do ta afirmojë Kosovën si një shtet me standarde demokratike evropiane.
- Mendoj se do të jetë një moment shumë i rëndësishëm, jo thjesht i testimeve përkatëse, por i marrjes së përgjegjësive, në radhë të parë nga vetë lidershipi i Kosovës për të ndërtuar shtet evropian, shtet që të jetë shembull për bashkëjetesën në rajonin e Ballkanit, tha zoti Meta.

Për ishkryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majkon, pavarësia është një proces i natyrshëm që mbyll fazën e tranzicioneve dhe ndarjeve në Ballkan:
- Një ngjarje që nuk është duke ardhur si një precedent apo siç themi ne rrufe në qiell të hapur, por si një ngjarje që po vjen me normalitet, për më tepër si një ngjarje gjysmë e lodhur, nëse mund të thuhet këshu, sepse ishte e pritshme që nga 99-ta e këtej që kjo ngjarje të ndodhë. Tanimë, Ballkani është pas mbylljes së procesit të ndarjes së ishJugosllavisë në një proces integrimi. Jemi ndarë për t'u ribashkuar nën drejtimin e Brukselit.

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, thotë se me pavarësinë e Kosovës, marrëdhëniet mes dy vendeve do të jenë të një bashkëpunimi më të fortë:
- Është një moment që bën të mundur të finalizohet me një sukses një përpjekje prej dekadash, ku ka pasur vuajtje, mizori, spastrime etnike, dhimbje të jashtëzakonshme. Krijohet një vend i ri, i cili do të hyjë në një proces, atë proces të cilin Shqipëria e kalon prej 17 vjetësh. Do të kemi një vend të ri fqinjë, me të cilin do të kemi marrëdhënie bashkëpunimi të jashtëzakonshme.

Ndërkohë, kryetarët e partive dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë i bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje klasës politike të Kosovës në ditët e shpalljes së pavarësisë dhe pas këtij procesi. Kryeministri Berisha tha se pavarësia e Kosovës është një realitet historik, me të cilin Beogradi duhet të përshtatet për hir të së ardhmes evropiane të shqiptarëve dhe të serbëve.
XS
SM
MD
LG