Ndërlidhjet

Si raportojnë gazetat amerikane për zgjedhjet

  • Andrew Tully

E përditshmja amerikane NYT

E përditshmja amerikane NYT

Gazetat amerikane mbështesin kandidatë të caktuar presidencial, por kjo nuk e pengon raportimin e paanshëm. Kufiri mes editorialit dhe lajmit është kyçi i suksesit.

Nëse një gazetë është në shërbim të publikut atëherë ajo jo vetëm informon për zhvillimet politike apo fushatat zgjedhore, por ndan me lexuesit edhe mendimin e botuesit se kush nga kandidatët apo partitë do t'i shërbente më mirë vendit.
Natyrisht mbështetja për një kandidat të caktuar bëhet pas një procesi të thellë analize, ku janë sjellë mbi tryezë pikat e forta dhe të dobëta të çdo kandidati apo partie.

Pyetja shtrohet a është kjo gazetari e baraspeshuar?

Mark Feldshtejn, profesor në Univeristetin George Washington në kryeqytetin amerikan thotë se kjo mund të jetë fare mirë gazetari e baraspeshuar. Kushti bazë është që të ketë një mur të qartë ndarës mes qëndrimit editorial të gazetës dhe raportimit për ngjarje që kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore dhe kandidatin e caktuar.

"Është një mur ndarës që duhet të jetë i hekurt mes qëndrimit editorial të redaksisë dhe asaj pjese të gazetës që raporton lajmin. Për këtë arsye në faqet ku botohen editorialet sheh qëndrime të ndryshme, ndërsa raportimi i lajmeve është i paanshëm. Kjo është pjesa torike, por edhe si zbatohet në një shkallë të madhe në praktikë", thotë Feldshtejn. Ai sjell si shembull tipik atë të Wall Street Journal. Kjo gazetë sipas profesorit nga Universiteti George Washington ka një politikë të fuqishme që ndan pjesën e editorialeve apo komenteve nga raportimi i lajmit.

Gazeta në pjesën e komenteve pasqyron qëndrime tepër konservative, por pjesa e lajmeve është objektive dhe e paanshme. Madje nuk mungojnë as rastet kur pjesa e lajmit raporton dhe hulumton keqbërjet edhe nga persona apo grupe që mbështeten në pjesën e editorialeve.

Por natyrisht në momentin kur një gazetë mbështet një kandidat të caktuar, sic është rasti i gazetave që kanë mbështetur kandidat të caktuar presidencial ka dhe rreziqe. Një nga këto rreziqe është perceptimi i lexuesve, të cilët edhe pjesën e lajmeve për shkak të mbështetjes për një kandidat të caktuar tashmë e shohin me rezerva. Një tjetër rrezik është nëse lexuesit nuk e marrin seriozisht mbështetjen e gazetës së tyre të preferuar për një kandidat të caktuar. Në këtë kontekst profesori Fidelshtejn thotë se tek amerikanët ndikon më shumë mbështetja që një kandidati i japin personalitete të artit, politikës, apo nga fusha të tjera, se sa mbështetja që i jep gazeta e tyre e preferuar.
"Mendoj se ka një avantazh të lehtë kandidati që mbështetet nga një gazetë e caktuar, por kjo nuk shoqërohet me ndonjë peshë të madhe. Ndoshta mbështetja nga politikanë të njohur sic janë Kenedi-t është më e rëndësishme", thotë Fidelshtejn.
Megjithatë tradita është e tillë dhe gazetat do vazhdojnë të mbështesin kandidatë të caktuar, pavarësisht se sa pak mund të ndikojë një gjë e tillë tek lexuesit.

XS
SM
MD
LG