Ndërlidhjet

Deletroz: Rusia do të jetë pragmatike rreth Kosovës


Intervistë
Intervistë

Alain DELETROZ, zëvendëspresident i GNK-së, thotë se Rusia do ketë një qasje pragmatike në terren, të kombinuar me një gjuhë të ashpër në nivel të minsitrit të jashtëm.



RADIO EVROPA E LIRË
Z. Deletroz, shqiptarët dhe pakicat jo serbe në Kosovë kanë filluar përgatitjet për festimin e pavarësisë, e cila pritet të shpallet këtë javë. A do të ndodhë në këtë afat kohor dhe a besoni se është koha për festime?

ALAIN DELETROZ
Kam dëgjuar fjalë, që vijnë nga Prishtina se po përgatiten për shpalljen e pavarësisë në ditët dhe javët që vijnë. Personalisht nuk kam informacione se kjo do të ndodhë këtë fundjavë. Ajo që është e sigurt është se shpallja e pavarësisë do ndodhë në javët që vijnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cfarë ju bën të mendoni se nuk do ndodhë këtë fundjavë?

ALAIN DELETROZ
Ashtu siç e thashë fjalët për këtë fundjavë vijnë nga një rreth shumë i ngushtë në Prishtinë, derisa nuk ka asnjë deklarim publik. Ajo që pres të ndodh me siguri këtë fundjavë është që Qeveria e Kosovës të bëjë publike deklaratën e synimit të shpalljes së pavarësisë, ku mund të jepet dhe një datë e shpalljes.
Sa i përket Ballkanit besoj se Kosova është pjesa e fundit e konfliktit në ish Jugosllavi. Zgjidhja e vetme aktualisht është pavarësia e Kosovës. Gjatë muajit të parë, pas fillimit të procesit të shpalljes së pavarësisë, do kemi shprehjen e pakënaqësisë nga Beogradi, por shpresoj që çdokush do ruajë gjakftohtësinë dhe ky proces tranzicioni të kalojë qetësisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi ka kërkuar nga serbët e Kosovës të qëndrojnë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Edhe Prishtina zyrtare i ka bërë thirrje pakicës serbe të mbetet dhe të integrohet në Kosovën shtet. A shihni ndonjë gjë të përbashkët në këto dy apele?

ALAIN DELETROZ
Mendoj se për Prishtinën dhe pjesën tjetër të Evropës ideja e një shteti të pastër etnikisht është ide plotësisht e papranueshme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Është shumë e rëndësishme për të gjithë që serbët që jetojnë në enklavat në jug të Kosovës dhe në veri të Mitrovicës ta ndjejnë se mund të jetojnë dhe të përparojnë në këtë shtet. Kjo është themelore për pavarësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se serbët e Kosovës do jenë në gjendje të marrin vetë një vendim pa ndikimin e Beogradit?

ALAIN DELETROZ
Serbët e Kosovës kanë treguar deri tani interes të madh për këshillat që vijnë nga Beogradi. Shpresoj që kjo do ndryshojë në muajt që vijnë. Ajo që pres të shoh në të ardhmen e afërt është që Beogradi të mësohet dhe ta pranojë idenë e Kosovës së pavarur. Për më tepër që gjithë rajoni po shikon gjithnjë e më shumë drejt të ardhmes dhe integrimit evropian.
Kjo duhet të jetë e vërtetë dhe për Serbinë. Kur ta kemi lënë pas krahëve problemin e Kosovës shpresoj që energjitë të fokusohen në integrimin evropian dhe jo në ndarjet e së kaluarës.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbia me mbështetjen e Rusisë ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit. Cilat janë gjasat që ky takim të ndodhë para shpalljes së pavarësisë apo deklaratës së qëllimit dhe çfarë mund të pritet nga një takim i tillë?

ALAIN DELETROZ
Mendoj se nuk mund të presim ndonjë gjë nga Këshilli i Sigurimit, kur dihet se Rusia ka hedhur poshtë të gjitha propozim rezolutat që qarkulluan verën e kaluar.
Nëse Rusia do përpiqet të sjellë ndonjë propozim rezolutë kundër pavarësisë së Kosovës atëherë ajo do kishte veton e menjëhershme nga së paku tre vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit.
Ajo cfarë mund të bëjë Rusia është të mbeldhë një takim të jashtëzakonshëm, që do mbetet në nivelin e debatit.
Në këto kushte është Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara që duhet të marrë një qëndrim për të njohur ndryshimin e situatës në terren dhe të nxjerrë përfundime për misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se kreu i Kombeve të Bashkuara do marrë ndonjë qëndrim shpejt?

ALAIN DELETROZ
Ai nuk mund të bëjë asgjë për momentin, për shkak të kundërshtimit të Rusisë.
Ajo që kuptoj unë me rolin e Sekretarit të Përgjithshëm është se pas shpalljes së pavarësisë, njohjes së saj nga një numër i rëndësishëm i shteteve dhe nëse do kemi vendosjen e misionit të BE-së në terren, Kreu i Kombeve të Bashkuara do jetë i detyruar të pranojë ndryshimin e situatës në terren.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia ka përmendur së fundi se duhet njohur pavarësia e pjesës turke të Qipros në rast të njohjes së shtetit të Kosovës. Njëherësh Moska ka shtuar se nuk do nxitojë të njohë pavarësinë e Abkazisë apo Osetisë Jugore. Si i lexoni këto deklarata?

ALAIN DELETROZ
E kam të vështirë t'i kuptojë deklaratat e tilla. Nëse Rusia mbron ligjin ndërkombëtar, ashtu siç thotë në rastin e kundërshtimit të pavarësisë së Kosovës, atëherë duhet të jetë kështu për të gjitha pjesët e tjetëra të botës. Pikërisht me këtë qëndrim Rusia rrezikon të krijojë përplasje dhe krijimin e konflikteve të reja në Ballkan.
Njëherësh ngaqë thirret në ligjin ndërkombëtar Rusia nuk duhet të njohë as Osetinë Jugore, Abkazinë, Transnjistrinë e me rradhë. Nëse Rusia synon të njohë këto rajone si shtete të pavaruara atëherë nuk e kuptoj pse kërkon një pëprlasje të tillë në Ballkan. E kam të vështirë ta kuptojë logjikën e deklaratave të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Në afat të afërt dhe të mesëm cili do jetë reagimi rus në Ballkan pas pavarësisë së Kosovës?

ALAIN DELETROZ
Mendoj se reagimi i parë do jetë një retorikë e ashpër. Pres që kjo të bëhet nga ministri i jashtëm Lavrov. E derisa do kemi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shumica e vendeve evropiane, do kemi daljen e Rusisë për të bërë publike pakënaqësinë dhe kundërshtimin e ashpër me këto hapa.
Nga pikëpamja praktike besoj se Rusia do ruajë qasjen pragmatike në rajon. Kemi parë Gazpromin të marrë kontrata të fuqishme në Serbi. Kemi parë Putinin të presë me nderet më të mëdha presidentin Tadic, madje gjatë fushatës zgjedhore. Dihet se kandidati tjetër Nikoliq, që bënte thirrje për vendosjen e bazave ruse në Serbi u prit në nivele shumë më të ulëta në Rusi.
Është e qartë se për Gazpromin dhe njerëzit që janë në pushtet në Rusi Serbia nuk duhet të jetë një pikë e vdekur. Ata i duan tubat e Gazpromit të venë më tej se Serbia dhe në këtë rast nuk e duan izolimin e Serbisë nga Evropa.
Në fund besoj se do kemi një qasje shumë pragmatike në terren të kombinuar me një gjuhë shumë të ashpër deklarative në nivel të minsitrit të jashtëm.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të themi se Rusia nuk mund ta dëmtojë në realitet shtetin e ri të Kosovës?

ALAIN DELETROZ
Nuk besoj. Do ta dëmtojë në kuptimin që Rusia do bllokojë njohjen e shtetit të Kosovës në zonën e vetë të ndikimit dhe do bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe OSBE. Këto padyshim e godasin Kosovën.
Por Rusia tashmë e ka dëmtuar Kosovën, pasi i ka bllokuar të gjitha rrugët për ta çuar përpara çështjen e Kosovës përmes Këshillit të Sigurimit, çfarë do kishte larguar të gjitha barrierat ligjore.
XS
SM
MD
LG