Ndërlidhjet

Mërgimtarët vërshojnë Kosovën në prag të pavarësisë


Mërgimtarët vizitojnë Kosovën
Mërgimtarët vizitojnë Kosovën

Mërgimtarë të shumtë po vizitojnë Kosovën në prag të shpalljes së pavarësisë së saj, ndërkohë që janë bërë përgatitje të ndryshme për ta festuar atë.


Hamzë Lladrovci ka arritur sot në Kosovë, nga Belgjika me qëllimin e vetëm- të jetë i pranishëm në çastet kur institucionet të shpallin pavarësinë e Kosovës. “Qëllimi i vetëm është shpallja e pavarësisë, që ta festojmë në Kosovë dhe asgjë tjetër. Thënë sinqerisht unë është dashur të rri edhe dy javë në Evropë, se kam pasur punë, por i kam ndërprerë të gjitha, vetëm që të vij dhe festoj në Kosovë. Besoj se do të jetë dicka e papërshkrueshme, se kjo ditë është e shenjtë për ne, pritet që një kohë shumë të gjatë dhe do ta festojmë së bashku”, thotë Lladrovci.
Ngjashëm si Lladrovci, Aeroportin e Prishtinës janë duke e vërshuar qindra mërgimtarë nga shtetet e Evropës Perëndimore, kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, të cilët nuk duan që t’iu ikë çasti për të cilin thonë se e kanë ëndërruar tërë jetën, jo vetëm ata, por edhe brezat e mëhershëm- lindja e shtetit të Kosovës. Njoftimet se më 17 shkurt do të shpallet pavarësia, e kanë shtyrë edhe Nysret Haxhidemën nga Shtutgarti i Gjermanisë, që ta marrë pushimin më herët, në mënyrë që të jetë i pranishëm, në atë që ai e quan festën më të madhe të shqiptarëve.
”Normalisht e kam pasur pushimin më vonë, por puna e pavarësisë e mora tash në këtë kohë. Do të dalë të festoj, këtë ditë e kemi pritur qe sa vite qe sa shekuj”, shprehet Haxhidema.
Muhamet Topalli, i cili punon si kuzhinier në Gjermani thotë se mezi pret ditën kur edhe do të shpallet pavarësia. Ai është i bindur se pas pavarësisë do t’i ndryshohet edhe trajtimi në vendin ku jeton përkohësisht, meqë të paktën tani e tutje në rast nevoje do të ketë një adresë për t’iu drejtuar- ambasadës, apo ministrisë së jashtme të Kosovës.
“Sigurisht se ndjehem shumë mire, e kemi pritur këtë ditë me shekuj”, thotë Topalli, teksa bart valixhet drejt parkingut të Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës.
Azemine Hoxha një grua në të 60-tat, thotë se do të dalë dhe festojë, meqë sipas saj, kjo do të jetë ditë e madhe për të gjithë shqiptarët.
“Do të festojë si është më së miri, këtë e kemi pritur, dhe mezi po e presim”, thotë Azemine Hoxha.
Zyrtarë të Aeroportit të Prishtinës thonë se fluksi i pasagjerëve është rritur për 26 për qind. Zëdhënësi i Aeroportit Skënder Bucolli, thotë se është rritur edhe numri i fluturimeve.
“Zakonisht muaji shkurt sa i përket numrit të udhëtarëve është mjaft i plogësht. Nuk ka udhëtarë shumë, por, këtë vit ky muaj ka shënuar një ngritje shumë të madhe prej 26 për qind. Kjo ngritje prej 26 për qind dhe ngritja e fluturimeve prej 6 për qind sigurisht se është në prag të festimit të pavarësisë së Kosovës”, thotë Bucolli.
Në anën tjetër, vetë kryeministri i Kosovës Hashim Thaci u ka kërkuar kompanive ajrore kosovare, që të mos ngrisin çmimet e biletave dhe t’u lehtësojnë udhëtimin qindra mërgimtarëve, që duan të jenë të pranishëm në Kosovë në kohën e shpalljes së pavarësisë.
”Qytetarëve të Kosovë që jetojnë në diasporë dhe që janë duke shtuar interesimin që të jenë prezent në ditët e shpalljes se pavarësisë, në ditët e festës së madhe, në ditët e festës dinjitoze të vendit dhe t’u lehtësohet ardhja e tyre. Në asnjë rrethanë të mos ketë ngritje te çmimeve te biletave, por thjesht të ketë një përkujdesje dhe një lehtësim për udhëtimin e tyre”, tha kryeministri Thaci.
Ndryshe, jo vetëm kosovarët që jetojnë jashtë vendit kanë vërshuar Kosovën. Tafil Krasniqi është një nga shumë qytetarë të Shqipërisë që tashmë gjenden në Kosovë dhe arsye për këtë është- pritja e pavarësisë.
“Kam ardhur në Kosovë me gëzim të madh dhe me padurim e pres pavarësinë e Kosovës, sikur me lind pasi kam gjakun në Kosovë, për mua është njësoj si Kosova si Shqipëria dhe për mua gëzim më të madh nuk ka se sa me pa Kosovën e pavarur”, tha Krasniqi.
Në Kosovë tashmë kanë filluar përgatitje të ndryshme se si do të festohet pavarësia, e cila pritet të shpallet këtë të diel. Qeveria e Kosovës ka formuar një grup të veçantë për të aranzhuar aktivitetet publike për nder të pavarësisë, për të cilat aktivitete po ashtu janë ndarë një milionë euro.
XS
SM
MD
LG