Ndërlidhjet

NYT: Tani vjen Kosova


Roger Cohen, NYT

Evropa do të ketë një shtet të ri të dielën, Kosovën. Kjo i jep fund 17 viteve të përgjakshme të luftërave në ish- Jugosllavi. Ky është një rast për të festuar.
Them se duhet festuar, me gjithë faktin se Serbia do kundërshtojë vendimin, të cilin kryeministri Koshtunica e cilësoi si krijimin e "këtij shteti sajesë në territorin serb". Edhe arusha ruse do të hungërojë, çfarë do bëjë që tensionet të ngrihen për pak kohë mbi Ballkan. Juristët do fillojnë të përplasen për precedentin.
E vërteta është se pavarësia e Kosovës është e justifikuar, unike në llojin e vet dhe e pashmangshme. Nuk ka rrugë tjetër. Serbia e humbi lojën e nacionalizmit në Kosovë shumë kohë më parë. Dallimet janë të paafrueshme dhe vonesat vetë sa do të dëmtonin rajonin.
Këtë të dielë, burime të besueshme më kanë thënë se Kosova do ta shpallë pavarësinë, kurse në fillim të javës tjetër, fuqitë e mëdha, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën, Britaninë dhe Gjermaninë do ta njohin shtetin e ri.
Ministrat e jashtëm në takimin e së hënës mund të bien dakord në një paltformë të përbashkët, e cila do të thotë se kushtet për pranimin e shtetit të ri janë përmbushur. Një shumicë e qartë e 27 vendeve anëtare të BE-së pritet ta njohin shpejt Kosovën e pavarur.
Qiproja, me pjesën e vet të pushtuar në veri, do kryesojë vendet që nuk do ta njohin Kosovën. Disa nga vendet e tjera të BE-së që janë dyshuese për shtetin e ri janë Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Bullgaria.
Nëse BE-ja do fliste me një zë, do të ishte diçka e këndshme, por mbështetja në shkallë të gjerë është e mjaftueshme për Kosovën e pavarur. Kjo mbështetje në rradhë të parë i dedikohet punës së ambasadorit gjerman në Britani, Wolfgang Ischinger. Ajo që është më e rëndësishmja, është se BE-ja dhe SHBA-të do ecin me një hap, çfarë nuk ka ndodhur shpesh kohëve të fundit.
"Kjo ka qenë një detyrë e përbashkët që tregon se ne dhe Evropa duhet të punojmë së bashku", tha Frank Wisner, ish-ambasadori amerikan në Indi, i cili punoi ngushtë me Ischingerin gjatë vitit të fundit për të sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër. "Nuk ka pasur asnjëherë ndonjë përpjekje nga ndokush në Beograd, t'i zgjaste dorën shqiptarëve të Kosovës", thotë Wisner.
Zgjatja e dorës për shqiptarët e Kosovës nuk ka qenë diçka tipike serbe gjatë dekadave të fundit. Sllobodan Millosheviqi, diktatori serb, e hapi rrugën e përgjakshme të nacionalizmit serb më 24 prill 1987, kur gjatë qëndrimit në Kosovë deklaroi se të parët e serbëve do të fyheshin, nëse shqiptarët bënin ç'donin. Heqja e autonomisë së Kosovës nga Millosheviqi ishte element thelbësor në politikën e tij për kthimin e Jugosllavisë në Serbosllavi.
Revolta kundër tij i solli pavarësinë ish-republikave jugosllave nga Kroacia tek Maqedonia. Serbët mund të hidhen përpjetë dhe të bërtasin, por Kosova është pjesa e fundit e një shteti të vdekur që pashmangshëm duhet të shkëputet.
Shqiptarët që përbëjnë 95% të popullsisë 2.1 milionëshe të Kosovës nuk mund të pajtohen me një Serbi që i shtypi, i rrahu, i dëboi dhe i vrau deri sa ndërhyri NATO-ja në vitin 1999. Beogradi nuk është Bern dhe një Prishtinë brenda Serbisë do të ishte qyteti i sherrit.
Serbët protestojnë duke iu mabjtur verbërisht asaj se Ushtria Çlirmitare e Kosovës nuk ishte ëngjëll. Kur ende nuk kishte përfunduar gjenocidi serb kundër myslimanëve boshnjakë në vitin 1992 pamë daljen në skenë të ushtrisë boshnjake. Kështu ndodh, persekutoje një popull me mundime të pafundme dhe ata do të bashkohen, ngrihen, do të luftojnë dhe do shkojnë në rrugën e tyre.
Çfarë do bëjë Serbia tani? Vojisllav Koshtunica, kryeministri nacionalist, tha se nuk do lejojë që një shtet i tillë të ekzistojë për asnjë minutë.
Kjo ka qenë trumbeta serbe që nga miratimi i Rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit të KB-ve, e cila e bën të qartë se OKB-ja do të mbikëqyrë dhe NATO-ja do të mbrojë Kosovën deri në zgjidhjen përfundimtare. Beogradi asnjëherë nuk ishte i interesuar për zgjidhjen.
Pres që Serbia të shkaktojë trazira modeste, por nuk do të shkojë deri tek dhuna dhe ndalimi i energjisë elektrike. Ndoshta një pjesë e 120 mijë serbëve në Kosovë mund të dalin në rrugë. Serbët në veri të Kosovës mund të nxiten për ndarje. Por, zgjedhja së fundi e presidentit pro perëndimor, Boris Tadiq, do jetë një faktor vetpërmbajtjeje. Po kështu, SHBA-të dhe evropianët do të ushtrojnë presion mbi shqiptarët. Kryeminsitri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë gjeste bashkëpunimi dhe kjo është pozitive.
Rusia do kërkojë takim të Këshillit të Sigurimit, ku do mund të bërtasë e kërcënojë. Por, problemi është se Rusia ka mbështetur kalin e gabuar. Evropa ka të drejtë të tregojë se nuk do përkulet përballë presioneve ruse. Pa diskutim se Serbia dëshiron të lëvizë drejt anëtarësimit në BE.
Kosova nuk është as Transnjestria, as Abkazia apo Osetia Jugore. Kosova është pjesa e mbetur e një shteti që nuk ekziston, Jugosllavisë. Kosova ka qenë për tetë vjet nën administrimin ndërkombëtar me një status pezull, e pamundur për të mbetur brenda Serbisë. Millosheviqi luajti me topin e nacionalizmit dhe humbi.
Në afat të gjatë, besoj se kjo zgjidhje do jetë pozitive për Serbinë. Në vend që të humbasë kohë me betejat mesjetare dhe simbolizmin humbje-fitore dhe me kulturën helmuese të viktimizimit, Serbia do të fillojë të shohë përpara, drejt Perëndimit në vend të Lindjes.
XS
SM
MD
LG