Ndërlidhjet

Koshtunica: Pavarësia të anulohet në minutat e para


Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica

Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica

Qeveria e Serbisë do të shqyrtojë edhe një herë planin e veprimit të saj, ndërkaq një takim ka mbajtur edhe Këshilli për Siguri Kombëtare.


Serbia ka marrë vendim që ta zhvleftësojë pavarësinë e Kosovës "që në minutat e para të saj". Kryeministri Vojisllav Koshtunica, ka thënë se pavarësia e Kosovës do të shkatërrohet para se ajo të shpallet.
- Nuk do të lejojmë asnjë moment ekzistimin e një krijese të tillë dhe ajo duhet të shkatërrohet që në atë moment kur nën drejtimin e terroristëve të gjykuar të shpallet ajo. Serbia e vendosur përballet para presioneve ndërkombëtare dhe nuk do të dorëzohet para dhunës dhe nuk do të bëhet pjesë e shkeljes së rregullave të Kombeve të Bashkuara dhe rezolutës 1244. Pavarësisht nga shpalla e njëanshme dhe njohjeve, këtë të drejtë nuk mund të na e merrë askush sepse as nuk jemi pajtuar dhe nuk kemi dhënë asnjë nënshkrim për pavarësinë e Kosovës, ka thënë kryeministri Koshtunica.

Qeveria e Serbisë do të shqyrtoj edhe një herë planin e veprimit të saj. Ndërkaq, një takim e ka mbajtur edhe Këshilli për Siguri Kombëtare. Por, mediat po ashtu nuk kanë lënë anash mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme brenda Serbisë, krahas protestave të mundshme.

Analistët thonë se nuk mund të pritet dhunë.

- Unë nuk besoj se ekziston opsion që do të përdorej ushtria. Përveç nëse euforia eskalon apo zgjërohen idetë për të përhapur këtë sindrom të Kosovës dhe të zgjërohet kriza në jug të Serbisë ose eventualisht në rast se Mitrovica të jetë nën kontroll të ndonjë force dhe kjo mund të sjellë një krizë të re apo diçka që do të ngjante me një 17 mars, thotë analisti Lubodrag Stojadinoviq.

Profesori i Unitervistetit të Beogradit, Jovo Bakiq, thotë se gjithcka mund të ndodh brenda Serbisë.

- Ne që jetojmë në këto hapësira e dimë që çdo budallallëk është i mundur. Pra ne asgjë nuk mund të na befasoj. Në këtë aspekt është e mundur të deklarohet edhe një gjendje e jashtëzakonshme. Por, ajo nuk do të mund të ndryshonte asgjë pasi gjendja e jashtëzakonshme bëhet kur ekziston ndonjë kërcënim, që mund të ndalohet. Këtu nuk mund të bëhet asgjë dhe është shumë e pakuptimtë, shprehet zoti Bakiq.

Sipas tij as kriza në qeveri nuk është tejkaluar sepse problemi që përçan nuk është Kosova (për të cilën politika serbe pajtohet plotësisht), por integrimi i Serbisë në Bashkimin Evropian. "Megjithatë, mund të ketë protesta, por nuk besoj se do të ketë pasoja të mëdha", thekson Bakiq.

Ndërkaq Dushan Llaziq, nga Fondi për Marrëdhënie Ndërkombëtare, thotë se zërat për gjendje të jashtëzakonshme janë spekulime në opinion.

- Kjo do të ishte në dëm të Serbisë si shtet dhe nuk do të ishte në shërbim të qytetarëve. Gjendja e jashtëzakonshme sjellë shumë gjëra të këqija, shumë probleme dhe mendoj se janë spekulime që janë duke u paraqitur herë pas here, por që nuk kanë bazë reale, mendon zoti Llaziq.
XS
SM
MD
LG