Ndërlidhjet

"TMK: Popullata të mos bie pre e provokimeve"


EPOKA E RE
Ish-ministri i Energjisë dhe Minierave të Kosovës Ethem Çeku, një ditë pas publikimit të emrit të tij në një listë të gjatë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në një intervistë për Epokën e re ka thënë se ‘për hatër të pavarësisë do t’i mbajë mbi shpinë çdo fyerje dhe sharje’. Edhe pse nuk ka ndonjë obligim në KEK Çeku i është kundërpërgjigjur kryeministrit Thaçi. “Unë kampion për punë, Hashimi për mospunë”. Ai po ashtu ka shprehur skepticizëm se në KEK mund të ketë sabotime sic ka deklaruar ditë më parë kryeministri Thaçi. Çeku ka kritikuar politikën që është duke e ndjekur qeveria Thaçi në lidhje me furnizimin me energji elektrike vetëm në vendet urbane.

INFOPRESS
Në ndërkohë, që data e shpalljes së pavarësisë vjen e afrohet, përgatitjet për ta festuar këtë ditë në mënyrë sa më dinjitoze bëhen gjithnjë e më intensive. Ka ditë që në Kosovë kanë filluar të vijnë edhe bashkatdhetarët që jetojnë jashtë, me qëllim që dita e pavarësisë t’i gjejë në Kosovë. Ardhja në Kosovë do të jetë e mundshme vetëm deri të premten, kur sipas burimeve të gazetës do të mbyllen kufijtë e Kosovës për të qëndruar të mbyllur deri pas shpalljes së pavarësisë. Një gjë të tillë do të bëhet me qëllim të ruajtjes së qetësisë në vend dhe ndalim i fluksit të njerëzve që mund të hyjnë në Kosovë.

LAJM
Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ka bazë juridike që të anulojë pavarësinë e Kosovës apo të bëjë thirrje për mosnjohjen kolektive të pavarësisë. Njohja e një shteti, sipas Iliriana Islamit, profesoreshë e së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, është e drejtë ekskluzive e qeverive të shteteve sovrane, e jo e OKB-së apo e Këshillit të Sigurimit, prandaj, Serbia mund vetëm të protestojë pranë këtij organi, por praktikisht nuk mund të bëjë asgjë.

KOSOVA SOT
Në një takim të mbajtur të mërkurën në mes të Komisionit për hartimin e kushtetutës së Kosovës dhe shoqërisë civile u tha se draft-kushtetuta e Kosovës do të bëhet publike vetëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Këto komente i ka bërë zëvendëskryeministri i Kosovës, që njëherazi është edhe anëtar në Komisionin për hartimin e kushtetutës Ramë Manaj. Sipas Manajt, kushtetuta e Kosovës i ka përfshirë të gjitha shqetësimet dhe kërkesat e qytetarëve dhe siç pritet që në fazat tjera të gjitha debatet qytetarë të merren për bazë gjatë miratimit të kushtetutës së re të Kosovës.

NACIONAL
Komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës Sylejman Selimi dhe udhëheqësit e shoqatave të dala nga lufta u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, që ditën e pavarësisë ta festojnë në mënyrë dinjitoze.
“Arsyeja e takimit tonë sot është, sepse presim pavarësinë e Kosovës shumë shpejt, nga institucionet e Kosovës, dhe presim që t’i koordinojmë detyrat, punët dhe veprimet tona. Bashkërisht duam që ta presim këtë ditë me dinjitet, por edhe të japim një mesazh te qytetarët e Kosovës, që kjo ditë të festohet në mënyrë sa më të qetë, dhe të mos bien pre e provokimeve të ndryshme”, tha gjeneral Sylejman Selimi.

BOTA SOT
Shpallja e pavarësisë së Kosovës është përcjellë edhe me një sërë angazhimesh të spektrave të institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare në fushën e sigurisë. Gjatë këtyre ditëve janë publikuar një sërë ekspertizash që kanë të bëjnë me ecurinë e rrjedhave politike dhe të sigurisë në fazën përfundimtare të zgjidhjes së statusit final të vendit tonë, i cili këto ditë do të hyjë në një fazë të re të historisë së saj, duke promovuar profilin e një shteti të pavarur dhe demokratik, bazuar në rangun më të lartë të demokracisë universale.

EXPRESS
Ura mbi lumin Ibër do të mbyllet, do të armatosen rreth 1000 punëtorët e UDB-së, policët serbë të SHPK-së do t’i përfillin urdhërat e Beogradit. Një burim i gazetës “Express” në pjesën veriore të Mitrovicës tregon për planin serb, që do të implementohet kur të shpallet pavarësia. Ai tregon se gjëja e parë që do të bëjnë rreth një mijë punonjësit e MUP-it në atë pjesë, është që ta bllokojnë urën mbi lumin Ibër. Sipas tij, të gjithë janë në gjendje gatishmërie dhe shumica e tyre janë edhe të armatosur, ndërsa disa të tjerë do të armatosen në ditët që vijnë. Ai tregon se të premten, më 15 shkurt, pritet të mblidhen të gjithë kryetarët e komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Mitrovicës.

KOHA DITORE
Shefi i Misionit të OKB-së, Joachim Ruecker, i ka thënë personelit të UNMIK-ut se në ditën e pavarësisë, nuk guxojnë të festojnë. Së paku jo në kapacitetin zyrtar, qofshin ata nëpunës kosovarë apo ndërkombëtarë. “Sa i përket shpalljes së pavarësisë, më lejoni t’ju them se UNMIK-u nuk ka pozitë të veten. Nëse kjo ndodh, atëherë do të pyes New Yorkun për udhëzime. Andaj, më duhet t’ju kërkoj të përmbaheni nga pjesëmarrja në çfarëdo ngjarjeje festimi në suaza të cilësisë suaj zyrtare”, shkruan Ruecker në letrën e tij dërguar të mërkurën, të cilën e posedon gazeta.

ZËRI
Me të afruar të fundjavës më të rëndësishme në historinë e re të Kosovës që prej përfundimit të luftës në Kosovë, më 9 qershor 1999, duket që në qarqet e larta evropiane (në ato amerikane, gjithçka ka qenë gati tash e sa kohë), ende nuk është vendosur se cila do të ishte dita kur Kuvendi i Kosovës do ta shpallë pavarësinë.





XS
SM
MD
LG