Ndërlidhjet

Serbët e Kosovës shpresojnë të mos ketë dhunë


Banorët serbë nga pjesët qendrore të Kosovës besojnë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndikojë me asgjë që do t’i detyronte ata t’i lëshojnë shtëpitë dhe vendbanimet e tyre, siç paralajmërojnë disa qarqe të caktuara politike.

Ndërsa institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare në vazhdimësi dërgojnë mesazhe se nuk ka nevojë për panik dhe shqetësim, te serbët megjithatë ka një shqetësim, sa më shumë që afrohet dita e shpalljes së pavarësisë. Një shqetësim më vete kanë edhe rreth 100 banorë serbë nga Graci i Vjetër i Komunës së Lipjanit.

Lubica Zhiviq, rreth 80 vjeç, jeton me dy rejat dhe shtatë nipat e mbesat. Ajo thotë se gjatë vitit 1999 i janë vrarë të dy djemtë dhe tash shpreson që të paktën të mbetet në shtëpinë e saj dhe të mos detyrohet ta lëshoj atë. Zhiviq rrëfen se si banorët e fshatit janë mobilizuar që në rast të shpërthimit të trazirave eventuale në Kosovë, të largohen për në Serbi, ndërkaq për familjen e saj, ajo thotë se nuk ka ku të largohet.

“Nëse ndodh që të largohen të gjithë, ne nuk e dimë se kah do t’ia mbajmë. Nuk kemi transport e as burra në shtëpi që të na ndihmojnë”, thotë e shqetësuar Lubica Zhiviq.

E shqetësuar për fatin e familjes së saj shprehet edhe Tadija Miliqeviq, mbi 70 vjeç, nga Graçanica. Ajo nuk e fsheh se në rrethin ku jeton ka një shqetësim, por, sipas saj, askush nuk e ka lëshuar fshatin.

“Kemi pak shpresa që njerëzit, megjithatë, të tregohen të mençur dhe të ndërmarrin diçka që të vazhdojmë të jetojmë së bashku”, thotë Miliqeviq.
“Nëse pavarësia duhet të ndodhë, në rregull, por ne duhet të jetojmë në shtëpitë tona”, thotë kjo qytetare.

Shpresat se nuk do të ndodhë ndonjë përkeqësim i gjendjes së sigurisë, serbët i mbajnë te KFOR-i. Për dallim nga vitet e mëparshme kur shpreheshin me rezerva ndaj forcës paqeruajtëse, tani serbët besojnë se KFOR-i mund t’u dalë atyre në mbrojtje, nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Bogban Nikoliq, nga Gushterica, thotë se pavarësia në fakt nuk është asgjë e re, por shqetësimi i tij kryesor është siguria për të dhe fëmijët e tij.

“Kjo nuk do të na befasojë shumë. Do të shohim se si do të sillet bashkësia ndërkombëtare dhe krejt varet nga Amerika dhe Evropa”, thotë Nikoliq, duke shpresuar që e tëra të përmbyllet pa viktima dhe pa dhunë.
Statusi i Kosovës, sipas tij, vendoset nga jashtë dhe jo nga kosovarët.
“Krejt kjo varet nga vendet tjera, nga perëndimi dhe Rusia. Ne vetëm mund të mashtrohemi, ngase kjo dirigjohet nga të tjerët”, thotë Nikoliq.

Kurse Stamenko Milenkoviq, nga Ferizaji, thotë se nuk planifikon që të largohet, pavarësisht statusit të Kosovës.

“Nuk është mirë për ne, por ç’të bëjmë. Këtu kemi jetuar për 50 vjet dhe nuk kemi ku tjetër”, thotë Milenkoviq. Edhe ai shpreson që të mos ketë dhunë, kurse për statusin thotë se banorët serbë duhet të pajtohen me të.

Ndërsa rritja e shqetësimeve nga banorët serbë vërehet, sidomos te ata që jetojnë në pjesën qendrore të Kosovës, strukturat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë përsërisin çdo ditë se nuk ka nevojë për frikë nga përmbyllja e statusit të Kosovës. Këto struktura thonë se janë të gatshme të veprojnë ndaj të priturave dhe të papriturave, përderisa kryeministri Hashim Thaçi dje u bëri thirrje qytetarëve që të mos e kuptojnë festën e pavarësisë si kremtë ndaj dikujt. Ai thotë se Kosova e pavarur do të jetë një shtëpi për të gjithë, me mundësi të barabarta edhe për pakicat.
XS
SM
MD
LG