Ndërlidhjet

Kosova protektorat

  • Brian Whitmore

Daniel Serwer dhe James Lion në Radion Evropa e Lirë

Daniel Serwer dhe James Lion në Radion Evropa e Lirë

Misioni i BE-së do zgjasë disa dekada. Na duhet të pyesim sa gjatë qëndruan në Evropë dhe në Gjermaninë e pas LDB-së forcat aleate. Këtë lloj angazhimi duhet ta shohim edhe në Ballkan", tha Lion.


Me flamur të ri, me himn të ri dhe mbështetjen e pjesës më të madhe të Perëndimit duket se do jetë fillimi i Kosovës si shtet. Por, kur Kosova të bëhet shteti më i ri i Evropës , statusi i shumëpritur do shoqërohet me një numër kushtesh.
Analistët, që janë njohës të mirë të situatës, thonë se vazhdimi i paqartësisë për statusin e Kosovës nuk ndikon pozitivisht në qëndrueshmërinë e pjesës tjetër të rajonit.
Daniel Serwer, zëvendëspresident i Qendrës për Paqe në rajonet e pas konflikteve, në Institutin e Paqes në SHBA, shpjegon:
"Kosova nuk do jetë anëtare e Asamblesë së Përgjithshme, çfarë do të thotë se nuk do ketë anëtarësi në klubin e vendeve sovrane. Mendoj se kjo është për të ardhur keq. Për sa kohë të ketë paqartësi mbi çështjen e sovranitetit të Kosovës, atëherë ekziston mundësia e paqëndrueshmërisë rajonale."
Kontrolli që ka Beogradi mbi vendbanimet me shumicë serbe në veri të Kosovës, çfarë pritet të vazhdojë dhe pas pavarësisë, do të thotë se udhëheqësit shqiptarë të Kosovës nuk do kenë kontroll real mbi gjithë territorin.
Ish-diplomati amerikan i karrierës, Daniel Serwer, thekson se armiqësitë me të cilat Kosova e pavarur do të përballet pas shpalljes së pavarësisë, do ta bëjnë atë të varur nga ndihma e huaj.
"Është diçka shumë negative ta fillosh historinë tënde si shtet pa njohjen nga fqinji më i madh, që është njëherësh dhe kërcënimi më i madh për sigurinë. Elementi më i rëndësishëm është se në sytë e Serbisë, çështja e Kosovës është ende e hapur. Kjo do vazhdojë të forcojë forcat nacionaliste në Serbi. Në Kosovë, kjo do të thotë se do kenë nevojë për perëndimin më shumë, sesa duam ne dhe më shumë se ç'është e shëndetshme për vetë ata. Në këtë kuptim, ne po e fusim veten në një angazhim afatgjatë", tha Serwer.
Në thelb, Kosova do kthehet nga protektorati i KB-ve në protektorat të BE-së.
Tim Judah, korrespondent i javores "Economist", thotë se suksesi i misionit evropian në Kosovë do jetë jetik për vetë Brukselin.
"Shikoni hartën dhe vendndodhjen e Kosovës. Nuk është në skaj të Evropës, por në brendësi të territorit të NATO-s dhe BE-së. Ka gjasa për të pasur sukses. Natyrisht, jeta do jetë e vështirë dhe ka mundësi për trazira. Por, bëhet fjalë për një territor që rrethohet nga 27 vendet anëtare të BE-së, me 500 milionë qytetarë evropianë, ndaj nuk duhet lejuar dështimi", tha Judah.
Ato që nuk janë ende të qarta, janë kohëzgjatja dhe fuqia e misionit të BE-së.
James Lion, ekspert për Grupin Ndërkombëtar të Krizave, mendon se misioni i BE-së do të zgjasë për një kohë të gjatë.
"Ajo që duhet pasur parasysh është fakti se misioni do zgjasë disa dekada. Nëse bashkësia ndërkombëtare mendon se do jetë mision më afatshkurtër, në fakt ata po tallen me veten. Na duhet të pyesim sa gjatë qëndruan në Evropë dhe në Gjermaninë e pas LDB-së forcat aleate. Këtë lloj angazhimi duhet ta shohim edhe në Ballkan", theksoi Lion.
Analisti britanik, Tim Judah, thekson se decentralizimi mbetet element kyç në Kosovën e pavarur.
"Thelbi i gjërave është decentralizimi. Procesi i decentralizimit parasheh që zonat e populluara me serbë do kenë një shkallë autonomie, që u krijon lidhje të posaçme me njëra-tjetrën, por edhe me Beogradin", tha Judah.
Ekspertët bien në një mendje se mundësia për jostabilitet ekziston, për aq kohë sa statusi i Kosovës të jetë një çështje e hapur për Serbinë.
Por ashtu, siç thotë dhe Lion, Serbia herët a vonë do përballet me realitetin.
"Statusi i Kosovës do jetë një çështje e hapur për Serbinë, por do të vijë një moment i katarsisit. Pavarësisht se sa traumatike është kjo çështje, besoj se thellë serbët e kuptojnë se Kosova është humbur në vitin 1999 nga Millosheviqi."
XS
SM
MD
LG