Ndërlidhjet

Moore: Pavarësi pa eufori


Patrick Moore, analist i Radios Evropa e Lirë

Patrick Moore, analist i Radios Evropa e Lirë

"Lini anash euforinë dhe ruani dinjitetin në kuadër të limiteve për hir të atyre që vdiqen dhe që nuk do ta shohin këtë ditë", ka porositur Patrick Moore, analist i Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë, sipas të gjitha gjasave, në Evropë do të lindë një shtet i ri – Kosova. "Nju Jork Times", të enjten, vuri në pah se "pavarësia e Kosovës është e justifikuar, unike dhe e pashmangshme"...!

PATRICK MOORE
Gjithsesi që është e justifikuar. Serbia e humbi atë me luftë dhe ky territor do të bëhet i pavarur mbi bazën e së drejtës për vetëvendosje dhe pushtetit të shumicës. Ky ka qenë parimi kryesor i procesit të dekolonizimit të mbikëqyrur nga Kombet e Bashkuara nga Lufta e Dytë Botërore. Por, nuk mund të them se është rast unik, sepse në botë ka shumë raste kontestuese territoriale. Ajo që është e sigurt, është fakti se pavarësia e Kosovës është kaptina e fundit në procesin e dezintegrimit të Jugosllavisë dhe gjithsesi e pashmangshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, thotë se ai "nuk do ta lejojë këtë krijesë të ekzistojë as për disa minuta"...!

PATRICK MOORE
Kjo është një talljeje dhe ai e di këtë. Çfarë mund të bëjë ai? Mund të flasë çfarë të dojë, mund të bëjë zhurmë, por asgjë praktike. Ai mund të bëjë probleme me furnizimin me ujë dhe energji, por nëse këtë e bën, ata do të lënë pa ujë dhe energji edhe serbët në veri dhe gjetiu. Kjo nuk duket intelegjente. Mundësia tjetër është bllokimi i rrugëve dhe tregtisë. Por, nga historia e tyre, serbët e dinë se nëse bëjnë një gjë të tillë, do të dëmtojnë vetveten, sepse do të aftësojnë Kosovën të bëjë tregti me Maqedoninë dhe Shqipërinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia nuk mund ta ndalë pavarësinë e Kosovës, por Moska mund të bllokojë pranimin në Kombet e Bashkuara...!

PATRICK MOORE
Ani çka! E rëndësishme është që Kosova të njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe të anëtarësohet në institucionet financiare ndërkombëtare. Bashkimi Evropian gjithashtu, për të kompensuar këto probleme që do të shkaktohen nga qëndrimi i Rusisë, mund të bëjë disa aranzhmane shtesë me Kosovën, ta zëmë në planin agrar e të ngjashme.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Bashkimin Evropian ende ka zëra që thonë se çështjen, përkatësisht njohjen e pavarësisë së Kosovës, duhet shtyrë për disa javë. A mendoni se periudha e zgjatur transitore ndërmjet deklarimit të pavarësisë dhe njohjes mund të sjellë rreziqe?

PATRICK MOORE
Kjo mund të jetë shumë e rrezikshme, por nuk besoj se do të ndodhë. Brenda Bashkimit Evropian ka elemente që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës për shkaqe të ndryshme, por nuk besoj se ata janë të fortë dhe dominues.

RADIO EVROPA E LIRË
Të themi se Kosova ka shpallur pavarësinë dhe ka pasuar njohje nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve me ndikim të Bashkimit Evropian. Por, në fuqi ende do të mbetet Rezoluta 1244 që thotë se Kosova është pjesë e Jugosllavisë. A nuk ju duket kjo kontradiktore?

PATRICK MOORE
Vojisllav Koshtunica shpesh tregon se si mund të manipulohen aspektet juridike të çështjes dhe kjo nuk impresionon askënd. Ban Ki Moon ka thënë se Kosova është çështje e Bashkimit Evropian dhe besoj se ai do ta mbajë fjalën dhe do t'i japë fund këtij lloj diskutimi me sofizma.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, edhe një pyetje – a keni ndonjë mesazh për kosovarët në këtë çast?

PATRICK MOORE
Kosovarët shumë shpejt do të kenë festë të madhe dhe më vjen keq që nuk do të jem atje. Por, nuk duhet harruar se në çdo kremtë, nëse nuk jemi të matur të nesërmen ose më gjatë, mund të ballafaqohemi me probleme. Pra, lini anash euforinë dhe ruani dinjitetin në kuadër të limiteve, për hir të atyre që vdiqen dhe që nuk do ta shohin këtë ditë. Shumë kujt do t'i duhet kokë e ftohtë dhe gjakftohtësi për t'u ballafaquar me problemet që do të vijnë. I pari ka të bëjë me ndarjen efektive të Kosovës për shkak të veriut, se pjesa veriore është e shkëputur, është realitet dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë, ashtu siç serbët duhet ta kuptojnë se Kosova ka shkuar. Kur flasim për veriun, unë do të pyesja shqiptarët e Kosovës – a duan vërtet të kenë aq shumë serbë të palumtur si pjesë të shtetit të tyre? Pavarësisht çfarë do të vendosin, ata nuk bën të lejojnë që veriu t'u bëhet obsesion, siç ishte Kosova për Serbinë. Kosova e lirë ka aq shumë për të bërë, sa që nuk do të duhej të humbaste kohë në çështjet territoriale. Çështja tjetër që më brengos është Bashkimi Evropian. Në njërën anë BE-ja duhet të sjellë ndihmë dhe shpresë, por njëkohësisht sjell edhe logjikën e sekrecionit dhe byrokracinë koloniale. BE-ja nuk është institucion i zgjedhur në rrugë demokratike. Druaj se BE-ja mund të detyrojë kosovarët që të kufizojnë ose të heqin praninë e Shteteve të Bashkuara atje. Nuk besoj se kosovarët ndonjëherë vullnetarisht do të pajtohen me tërheqjen e forcave amerikane. Por, nuk duhet harruar se ka elemente të fuqishme brenda Bashkimit Evropian, që dëshirojnë largimin e Shteteve të Bashkuara nga Evropa, pos kur atyre u duhet ndihma amerikane për t'i mbrojtur. Disa, veçanërisht në vendet anëtare më të vjetra të Bashkimit Evropian, e shohin BE-në në anën e kundërt të Shteteve të Bashkuara. Ata ekzistojnë dhe janë në pozicione të fuqishme politike, ekonomike, ushtarke dhe mediale. Druaj se disa nga këta evroperëndimorë me disponim anti-amerikan do të dërgohen në Kosovë.
XS
SM
MD
LG