Ndërlidhjet

KOSOVA HYN NË 2006 ME BESIMIN SE DO JETË VITI I PAVARËSISË


Prishtina ka zhurmuar në mesnatën e ndërrimit të viteve, ndërkohë që kremtimi i festës së Vitit të Ri e ka përcjellë gjithë ditën e djeshme dhe orët e para të vitit 2006, me ç’ rast në qendër të qytetit, autoritetet komunale kanë organizuar një koncert që ka zgjatur deri kah ora 2 pasmesnate.
Zyrtarët e policisë thanë se nata e mbrëmshme ka kaluar pa incidente të rënda dhe secili e ka kremtuar festën në mënyrën e vetë. Refki Morina, zëdhënës i Shërbimit Policor të Kosovës tha sot për "Evropën e Lirë" se nata e mbrëmshme ka qenë e qetë në aspektin e sigurisë:
"Ndërrimi i motmoteve ka kaluar i qetë. Ka pasur fishekzjarre dhe mjete piroteknike që janë hedhur, mirëpo fatmirësisht nuk kemi të lënduar në gjithë territorin e Kosovës që do të vlente të përmendej. Në tërësi marrë, në këtë 24 orësh kanë qenë të arrestuar 7 persona të arrestuar dhe 80 persona të ndaluar. Të arrestuarit kanë qenë për vepra të ndryshme penale dhe kundërvajtjeje."
Zëdhënësi i policisë Refki Morina tha se policia gjatë gjithë natës së mbrëmshme ka mbajtur patrullat e rregullta për të siguruar qetësinë e qytetarëve gjatë festimit të Vitit të Ri. Ai tha se fatmirësisht nuk ka pasur aksidente me pasoja fatale në gjithë Kosovën:
"Sa u përket aksidenteve në këtë ndërrim motmotesh nuk kemi pasur asnjë aksident me të vdekur, por ka pasur 14 aksidente me të lënduar, por të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë dhe 43 aksidente me dëme materiale."
Shumica e qytetarëve të Kosovës natën e mbrëmshme e kanë kaluar në shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra kryeqytetas numërimin e fundvitit e kanë pritur para Teatrit Kombëtar, bashkë me yje të estradës dhe me udhëheqës të komunës.
Televizionet nacionale, pos programit festiv kanë transmetuar edhe urimet tradicionale të udhëheqësve të institucioneve dhe të partive politike drejtuar qytetarëve, kur mbizotëronte dëshira që 2006-ta të jetë vit i përmbylljes së procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës, që sipas tyre duhet të jetë pavarësia.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG