Ndërlidhjet

PAPUNËSIA, PROBLEMI KYÇ PËR BANORËT SERBË TË LIPJANIT


Qyteza e Lipjanit që ndodhet në Kosovën qëndrore, në vitet e pasluftës ka përjetuar ndryshime pozitive dhe kartolina eventuale e saj do të mund të përmbante fotografi të ndërtesave dhe rrugëve të reja, të qendrave tregtare mjaft moderne për një qytezë aq të vogël. Kjo do të ishte pamje adekuate për qendrën e qytetit, ndërkohë që lagjja e banuar nga serbët duket krejt ndryshe. Përparimi i vetëm i arritur në atë lagjje është heqja e telave gjëmbore që KFOR-i kishte vendosur menjëherë pas ardhjes. Heqja, tani është shenjë se siguria është përmirësuar dhe se serbët nuk ndihen të rrezikuar. E gjithë infrastruktura ekonomike e këtij vendbanimi janë disa shitore ushqimore në objekte të vjetra. Nëpër rafte ka shumë pak mallra. Është ftohtë sikurse jashtë, për shkak se nuk ka rrymë, pasi serbët nuk e paguajnë atë. Zorica Petkoviç pret blerësit në dyqanin e saj:
"Njerëzit nuk kanë para. Po e shihni që është zbrazët. Malli na mbetet në dyqan. Mjaft nga ne kemi hapur shitore, duke shpresuar se do të fitojmë diçka, por vështirë", tha zonja Petkoviq, duke treguar se ajo merr një rrogë, mirëpo djali dhe e reja e saj që kanë një djalë nuk punojnë askund.
Papunësia është e madhe dhe banorët thonë se ky është problemi i tyre më i madh. Disa punojnë në arsim, disa në komunë dhe disa të tjerë në policinë e Kosovës, ndërsa numri më i madh jeton nga ndihmat humanitare. Në afërsi të Kishës, 19 vjeçari Djordje Çukenoviç përpiqet të meremetojë një derë. Thotë se jeton pasi duhet të jetohet:
"Jetoj nga puna private që bëjë. Punë nuk ka, vështirë gjendet, vetëm ata që kanë gjetur punë në institucione, shëndetësi dhe arsim", thotë Cukenoviq.
Edhe pse shqiptarët dhe serbët jetojnë të ndarë, Lipjani është mjedisi i vetëm urban përveç Mitrovicës ku jetojnë më shumë se një mijë serbë. Në këtë qytezë kaherë nuk ka pasur incidente. Serbët lëvizin lirisht, por edhe jetojnë të tërhequr dhe të shqetësuar për sigurinë e tyre. Në Shërbimin Policor të Kosovës punojnë edhe serbë. Nikola Janjiq, 80 vjeç thotë se frika ekziston:
"Ja se si jetojnë, nga shtëpia deri këtu, të mërkurën dhe të shtunën. Shkohet edhe ditët e tjera, mirëpo me frikë", thotë plaku Janjiq.
Ndërkohë që frika dhe papunësia janë problemet kryesore të serbëve të Lipjanit zyrtarët komunalë flasin për gjendjen e përgjithshme në këtë mjedis etnikisht të përzier. Nënkryetari i komunës Borivoje Viginjeviq thotë se përmirësimi i vetëm është se nuk ka sulme të drejtpërdrejta kundër serbëve:
"Në dy vjetët e fundit nuk ka pasur sulme, por gjithçka tjetër këtu është e vështirë dhe njerëzit përpiqen kush si di e si mundet për të mbijetuar, thote nënkryetari i komunës Viginjeviq.
Në ndërtesën e madhe të komunëes përveç zotit Viginjeviq ka edhe nëpunës të tjerë serbë. Me këtë bëhet përpjekje për integrimin e serbëve në të gjitha strukturat e qytetit. Para luftës në këtë qytet kanë jetuar më shumë se 6 mijë serbë:
"Njerëzit janë shumë të gatshëm për t’u kthyer, por nuk punohet seriozisht për këtë, pasi nuk ka asnjë projekt konkret zyrtar", thotë Viginjeviq.
Banorët thonë se autoritetet kosovare duhet të nguten nëse duan që serbët të integrohen dhe që jeta e tyre të normalizohet, pasi shumë serbë tashmë i kanë humbur shpresat dhe kërkojnë që autoritetet të sigurojnë kushte për kthimin, në mënyrë që një ditë të mos mbeten teë vetmuar.

Rrahman Paçarrizi
XS
SM
MD
LG