Ndërlidhjet

FEHMI MUJOTA: NË KOSOVË NUK PO NDODHË DECENTRALIZIMI POR NJË KUSHTËZIM NË KUPTIMIN ETNIK


"Ne jetësisht jemi të interesuar që të ketë decentralizim, por atëherë kur Kosova të ketë Kushtetutën e vetë dhe kur çdo gjë të jetë e normuar me ligjet, që nuk i kemi akoma. Po ndodhë një zvarritje e ligjeve, që rregullojnë këto fusha", thotë Fehmi Mujota, drejtor i departamentit të pushtetit lokal në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Shpeshherë PDK, por edhe ju si drejtor i Departamentit të Pushtetit Lokal në Kabinetin për Qeverisje të Mirë keni kritikuar planin e qeverisë për decentralizimin. Megjithatë, ka qenë PDK, përkatësisht qeveria Rexhepi, që ka nisur këtë proces. Ku qëndrojnë tani dallimet?

FEHMI MUJOTA
Dallimi mund të them se ekziston në koncept, sepse decentralizimi si parim është i pranuar dhe do të duhej të ndodhë jo vetëm në Kosovë, por edhe çdokund në secilën shoqëri. Por, problemi ka qenë se kur, pse dhe si të ndodhë. Në tri pyetje thelbësore, që tani shtrohen, del një dallim i qartë, sepse ka pasur një kuptim jo të njëjtë për të gjitha palët në Kosovë, në kuptimin etnik dhe jo për të gjitha subjektet politike në kuptimin plural. Prandaj, debati i zhvilluar në Kuvendin e Kosovës ka qartësuar një pozicion, që si proces është i domosdoshëm, i nevojshëm dhe jemi të gatshëm, që të hyjmë në atë duke qenë në përcjellje të vazhdueshme me infrastrukturën ligjore, por jo të ndodhë në mënyrën se si filloi të zbatohet nga qeveria pas qeverisë Rexhepi, d.m.th. të filloi të ndodhë një devijim i procesit të decentralizimit dhe reformimit të pushtetit lokal, dhe thënë më saktë, është një keqkuptim i vetë nocionit. Në fakt, decentralizimi nuk po ndodhë në Kosovë. Në Kosovë tani për tani po ndodhë një kushtëzim politik për statusin e Kosovës, që ka shumicën e premisave etnike, një kushtëzim në kuptimin etnik të përmbushjes së kërkesave të nacionalitetit serb. Aq më parë, që institucionet tona do ta pranojnë një fakt të tillë, do ta bëjnë të hapur për opinionin, do të jetë edhe më lehtë për procesin e negocimit, në të cilin tani është Kosova në një zhvillim të caktuar.

RADIO EVROPA E LIRË
PDK-ja pat kërkuar më herët, që decentralizimi duhet të ndodhë pas përcaktimit të statusit politik. Megjithatë, ky proces me kërkesën e Bashkësisë ndërkombëtare po ndodh tani, dhe në janar pritet një takim mes ministrit Haziri dhe homologut të tij serb, Lonçar. Si i vlerësoni ju këto zhvillime?

FEHMI MUJOTA
Procesi që filloi qeveria aktuale për ne dhe për qytetarët e Kosovës shihet se ka përfunduar me sukses të dobët ose pa sukses. Dhe vetëm formimi i grupit negociator dhe ai i grupit politik brenda këtij grupi, ka shpëtuar qeverinë nga dështimi. Tani do të përqendrohet e gjithë energjia në fazën tjetër - çfarë të bëjmë në grupin negociator, çfarë platforme të paraqesim para të dërguarit të OKB-së, Marti Ahtisari dhe natyrisht në përpjekjet, që po bëhen për bisedimet e drejtpërdrejta. Mendoj që në emër të Departamentit të Pushtetit Lokal ne përsëri duhet të qëndrojmë me një qëndrim konstant. Ne jetësisht jemi të interesuar që të ketë decentralizim, por atëherë kur Kosova të ketë Kushtetutën e vetë dhe kur çdo gjë të jetë e normuar me ligjet që nuk i kemi akoma. Po ndodh një zvarritje e ligjeve, që rregullojnë këto fusha . Do të thotë ne kemi një pozicion që delegacioni i Kosovës mund të nxjerrë një platformë ose dokument, për të cilin sa jam i informuar po punohet në një grup punues, por nuk i di detajet e tij. Megjithatë, dokumentet do të jenë të tilla, që do të prezantohen në mes të dy delegacioneve, nëse ndodhë ai takim, që për mendimin tim nuk do të duhej të ndodhte takim i drejtpërdrejtë mes ministrave Haziri dhe Lonçar, sepse do të ketë përsëri pozicion të ngurtë dhe nuk do të ketë ecje në këtë drejtim dhe do të përsërisim, do të thosha, hapin e njëjtë. Duhet bërë të ditur opinionit se në këtë rast kërkesa serbe nuk është për respektimin e Kartës për Vetëqeverisje Lokale, por është për një kushtëzim etnik, për zgjidhje të tjera për të cilat PDK-ja i ka nxjerrë me kohë para opinionit, se kërkohet një ndarje etnike dhe krijimi i rripave etnikë në Kosovë, se kërkohet një autonomi territoriale brenda Kosovës dhe përpiqet të bëhet një jofunksionalizim i shtetit të ardhshëm të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju ngritët shqetësimin rreth ndarjes etnike. Si mund të ndodhë decentralizimi dhe të evitohet ndarja etnike?

FEHMI MUJOTA
Nuk është vlerë mbyllja, nuk është vlerë enklavizimi, nuk është vlerë joshkëmbimi kulturor, ekonomik. Dhe ajo që po kërkon etniteti serb në këtë rast është po kjo që po përmendi tani. Për Kosovën oferta duhet të jetë hapja, për të gjithë qytetarët e vet pa dallim etnie dhe kudo që të jetojnë. Prandaj, ne vetëm duhet të respektojmë parimet bazë të dokumenteve të pranuara ndërkombëtarisht. Të sanksionojmë këto gjëra me kushtetutën e Kosovës, të nxjerrim ligje që bëjnë mbrojtjen dhe funksionalizmin e këtyre vlerave. Delegacioni i Kosovës e ka mundësinë e nxjerrjes së letrës së reciprocitetit. Ne jemi të interesuar jetësisht, që të respektojmë të gjitha vlerat ashtu siç do të respektojmë që shtetet tjera në fqinjësi me Kosovën të bëjnë të njëjtën gjë. Baza e reciprocitetit e shton përgjegjësinë edhe të të tjerëve ndaj Kosovës. Me këtë do të ketë edhe bashkësia ndërkombëtare një qëndrim shumë më të fortë në kuptimin pozitiv edhe për Kosovën por edhe për të tjerët. Nuk besoj se është mirë që ne të përqendrohemi vetëm në atë se çfarë bën Kosova për të tjerët dhe jo çfarë bëjnë të tjerët për Kosovën, sepse do të vihemi në një rrafsh jo të barabartë të negocimit. Megjithatë, Kosova është në peshore dhe ne duhet të japim prova tona demokratike. Ne mund të ofrojmë të gjitha ato kushte për të cilat do të pranonte secili shtet në Evropë t’i bëjë.
Intervistoi: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG