Ndërlidhjet

logo-print

ORSALIA KALANTZOPOULOS: POTENCIALE KRYESORE TË KOSOVËS PËR ZHVILLIM JANË MINERALET DHE BUJQËSIA


"Afro një vit më parë bëmë një studim mbi potencialet e zhvillimit të Kosovës. Ishte e qartë se pasuria minerale, së bashku me bujqësinë janë potencialet kryesore për zhvillim. Së bashku me BE-në Banka Botërore bëri dhe një studim për burimet energjitike në Evropën Juglindore, që është një rajon i cili ka nevojë për sasira më të mëdha të energjisë elektrike. Burimet e linjitit të Kosovës erdhën në krye të listës, si mundësia më e lirë për prodhimin e energjisë dhe furnizimin të Evropës", thotë, pos tjerash, drejtoresha e bankës Botërore për Evropën Juglindore, Orsalia Kalantzopoulos.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është gjendja ekonomike në Kosovë bazuar në analizat e Bankës Botërore?

ORSALIA KALANTZOPOULOS
Kosova është një nga vendet më të varfëra në Evropën Juglindore, me të ardhura për frymë vetëm 1200 euro për banor. Kjo është një shifër më e ulët se e vendeve të tjera të Evropës Juglindore dhe shumë më pak se ajo e vendeve të Evropës Perëndimore. Por megjithatë të ardhurat për frymë sot janë më të larta se në vitin 1999 apo gjatë viteve të shtypjes së Millosheviçit. Kosova është ende një vend i varfër, por gjërat janë përmirësuar gjatë viteve të fundit. Megjithatë sfidat siç është papunësia e lartë, për të cilën ndonëse nuk ka shifra të sakta është rreth 40%, dhe prek më shumë të rinjtë, treguesit e zhvillimit njerëzor siç janë shërbimet e ofruara për qytetarët mbeten në nivel të ulët. Por nga ana tjetër kemi një forcë pune të re, dinamike, e cila kur ka dalë jashtë Kosovës ka dëshmuar një shpirt biznesi të fuqishëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se Kosova është një vend i varfër, por çfarë mund të thuhet për pasuritë natyrore dhe burimet ekonomike të Kosovës?

ORSALIA KALANTZOPOULOS
Afro një vit më parë bëmë një studim mbi potencialet e zhvillimit të Kosovës. Ishte e qartë se pasuria minerale, së bashku me bujqësinë janë potencialet kryesore për zhvillim. Së bashku me BE-në Banka Botërore bëri dhe një studim për burimet energjitike në Evropën Juglindore, që është një rajon i cili ka nevojë për sasira më të mëdha të energjisë elektrike. Burimet e linjitit të Kosovës erdhën në krye të listës, si mundësia më e lirë për prodhimin e energjisë dhe furnizimin të Evropës. Nëse Kosova përdor në mënyrën e duhur pasuritë e saj të shumta natyrore, dhe i investon të ardhurat nga këto burime në arsim dhe shëndetësi, atëherë Kosova mund të shndërrohet në një vend që di ta mbajë veten dhe të zhvillohet duke siguruar jetesë të mirë për banorët e saj. Por për të ardhur deri këtu duhet të jemi shumë të kujdesshëm në shumë fronte.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do t'i sugjeronit institucioneve të Kosovës për të drejtuar si duhet ekonominë vendore, por njëherësh a mund të na shpjegoni si ndikon statusi i papërcaktuar i Kosovës në zhvillimin e saj ekonomik?

ORSALIA KALANTZOPOULOS
Statusi është një pikëpyetje e madhe, pasi investuesit privatë të cilët shohin përfitimin e tyre në çdo investim shohin një rrezik më të lartë investimi në Kosovën me status të papërcaktuar. Por gjendja është stabilizuar dhe diskutimet për statusin kanë filluar. Jam e sigurt se do të arrihet një zgjidhje në këtë drejtim çfarë do të lejojë një prani më të madhe të sektorit privat në ekonomi. Sektori privat është i qartë në atë se ka mundësi në Kosovë dhe ata do përpiqen t'i përdorin mundësitë që ofron Kosova. Rreziku kryesor për autoritetet kosovare është që të jenë në gjendje të arrijnë baraspeshën e duhur rreth asaj që do jetë përfitimi i sektorit privat dhe çfarë do të përfitojë shoqëria, çfarë do të shkojë në favor të popullisë. Këtu kemi parasysh përmirësimin e sistemit arsimor, shëndetësor infrastrukturës e me rradhë. Autoritetet do kenë nevojë në këto kushte për shumë mbështetje nga kosovarët jashtë, por dhe nga bashkësia ndërkombëtare në mënyrë që të sigurojnë marrëveshjet që janë më të mira për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët papunësinë e lartë dhe shpirtin ndërmarrës të kosovarëve. A keni ndonjë plan konkret për zvogëlimin e varfëris ënë Kosovë duke mundësuar sjelljen e kapitalit të diasporës apo në forma të tjera?

ORSALIA KALANTZOPOULOS
Së pari dua të them se papunësia nuk është diçka që ndodh vetvetiu, por është rezultat i faktit se mundësitë për sektortin privat mungojnë. Fakti që Kosova perceptohet si shoqëri me shkallë të lartë rreziku për investim është problem. Duhet të krijohet një gjendje politike që i ofron sektorit privat mundësi investimi, të cilat do sjellin vende pune. Ndonëse jo të gjitha investimet sjellin të njëjtën shkallë punësimi. Kështu investimet në bujqësi do sjellin vende të shumta pune, kurse investimet në energjitikë nuk sjellin shumë vende pune. Por nga ana tjetër investimet në këtë fushë do sjellin furnizimin e nevojshëm të tregut me energji, që është e domosdoshme për çdo investim. Shumë nga problemet janë të lidhura me njëra tjetrën dhe rezultati përfundimtar është papunësi e lartë në një shoqëri të re me familje të mëdha. Në këtë kuadër duhen rritur dhe investimet në arsim që ata të jenë më konkurrues në tregun e punës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të themi se për sa kohë nuk është i zgjidhur statusi papunësia do jetë e lartë?

ORSALIA KALANTZOPOULOS
Ka një lidhje mes statusit dhe papunësisë, por papunësia në Kosovë nuk është e lartë vetëm për shkak të statusit. Siç ju thashë dhe më lart fakti që nuk ka furnizim të rregullt me energji, që nuk paguhet rregullisht energjia elektrike nga konsumatorët, fakti që shërbimet telefonike janë shumë të shtrenjta dhe që në përgjithësi infrastruktura nuk është e zhvilluar, vështirësojnë ardhjen e investitorëve. Statusi është elementi kyç, por nuk është i vetmi. Ka shumë elemente të tjera që duhen bashkërenduar për të ardhur tek rritja ekonomike.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse shikojmë tregun e punësnë Kosovë kemi të bëjmë me një fuqi punëtore të re në moshë. Cilat janë vlerësimet e Bankës Botërore lidhur me kualifikimin e fuqisë punëtore në Kosovë?

ORSALIA KALANTZOPOULOS
Nuk kam shumë informacione, por e dimë qartësisht se tregu i punës në Kosovë do jetë shumë më konkurues nëse përmirësohen standardet në arsim.

Shkalla e analfabetizimit në Kosovë është e lartë, në një nivel të tillë që nuk pritet të gjendet për një vend në qendër të Evropës. Pra kemi nevojë për një aftësim dhe arsimim më të mirë të fuqisë punëtore. Siç e thashë dhe më lart duhet të sigurojmë se taksat e paguara nga sektori i pasur i mineraleve duhet të shkojnë në sektorin e arsimit dhe shërbimeve të tjera në favor të qytetarit, në vend se të shkojnë në projekte faraonike që nuk i shërbejnë drejtpërsëdrejti popullsisë.

RADIO EVROPA E LIRË
E derisa jemi në fillim të vitit 2006 cilat janë projektet konkrete të Bankës Botërore në Kosovë?

ORSALIA KALANTZOPOULOS
Aktualisht përpjekjet tona kryesore janë përqëndruar në dy tre fusha kyçe. Njëra është të krijojmë kapacitete brenda qeverisë për të menaxhuar si duhet ekonominë. Një tjetër drejtim është sektori i energjisë dhe mineraleve. Po punojmë të sigurojmë se ky sektor po zhvillohet si duhet në afat të shkurtër dhe të hartojmë planet e duhura të zhvillimit në afat të gjatë. Duhet të sigurojmë se këto sektorë po zhvillohen duke respektuar nevojat ekonomike, financiare, sociale dhe të mjedisit në Kosovë. I theksoj fort këto të fundit se ka shumë punë për t'u bërë për të ardhmen, por dhe për të vënë në vend disa nga problemet e së kaluarës.
Intervistoi: Iliriana Bajo
XS
SM
MD
LG