Ndërlidhjet

logo-print

BANORËT ROMË REFUZOJNË TË LËSHOJNË KAMPET NË VERI TË MITROVICËS


Albana Isufi, Prishtinë

Romët, që jetojnë në tre kampe në veri të Kosovës, kanë refuzuar sot kërkesën e UNMIK-ut, institucioneve qëndrore dhe lokale për t’u vendosur në një kamp të ri. Banorëve të këtyre kampeve u është gjetur sasi e konsiderueshme e plumbit në gjak. Kështu që institucionet u kanë ofruar atyre një zgjidhje të përkohshme për t’u vendosur në një ish- bazë ushtarake franceze, që po ashtu gjendet në veri të Mitrovicës. Por, përfaqësuesi i romëve në veri të Kosovës, Skënder Gushani, ka thënë se largimi nuk është zgjidhje pasi kampi i Osterodit, apo ish baza ushtarake franceze gjendet afër kampit aktual.
“Largësia e kampit që është i kontaminuar me plumb me kampin që duan të na dërgojnë nuk është më shumë se 50 metra. D.m.th është njëlloj i kontaminuar sikurse edhe këtu”, thotë Gushani.
Megjithatë, zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë përfunduar se sasia e plumbit në kampin e Osterodit është shumë e vogël dhe cilësia e ajrit është më e mirë nga ajo e kampit të Zhitkovcit. Edhe zëdhënësi i UNMIK-ut Gorgy Kakuk, thotë se kampi i ri ka kushte shumë më të mira, sesa kampet në të cilat banojnë aktualisht pjesëtarët e përkatësisë rome.
“Kontaminimi nuk është më i madh se në vendet e tjera të Mitrovicës, dhe kampi i Osterodit nuk është aq afër kampit aktual, siç thotë përfaqësuesi i kampit të romëve”, tha Kakuk, duke shtuar se UNMIK-u po kryen komunikime intensive me banorët e kampit për t’i bindur ata që të largohen.
Por, Sebiha Bajrami, banore e kampit të Llugës nuk e sheh si zgjidhje vendosjen në kampin e Osterodit.
“Kam thënë që nga dita e parë kur nisën të punojnë se ne nuk pranojmë të shkojmë atje. Më parë do pranonim të shkonim në vendbanimet ku kemi jetuar më parë, sesa ketu. Kjo nuk është kurrfarë zgjidhje për ne. Ata duan të na bartin nga kampi në kamp. Dhe ne jemi ngopur tashmë me këtë”, tha zonja Bajrami.
Por, zëdhënësi i UNMIK-ut Gorgy Kakuk, thotë se qëllimi është që banorët romë, ashkali dhe egjiptas të kampeve në veri të zhvendosen nga vendbanimet aktuale me vetëdëshirë.
“Nuk është largim me forcë, është rivendosje që iu është ofruar romëve që të vendosen në ish kampin francez, i cili i ka kushtet shumë më të mira”, thote Kakuk.
Mirëpo, banorët romë duan zgjidhje të përhershme, kjo do të ishte rindërtimi i shtëpive në Mëhallën e Romëve në jug të Mitrovicës, vendbanim ku ata kanë jetuar para konfliktit të vitit 1999. Qeveria tashmë ka filluar të ndërtojë objektet e banimit në këtë vend, me të cilat banorët nuk janë të kënaqur, pasi vazhdojnë të kërkojnë rindërtimin e shtëpive siç i kanë pasur para luftës. Në kampet në veri të Mitrovicës jetojnë rreth 600 persona të përkatësisë rome, ashkalinj dhe egjiptase.
XS
SM
MD
LG