Ndërlidhjet

BEQAJ: OEK DO KONTRIBUOJË NË VLERËSIMIN E DËMEVE TË SHKAKTUAR NGA SERBIA KOSOVËS


Besim Beqaj, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Beqaj, është përmendur disa herë se mungesa e një strategjie zhvillimore ka qenë pengesë serioze në aspektin e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Prandaj rrjedhimisht nga kjo cilat sipas jush janë implikimet e mungesës së kësaj strategjie në njërën anë dhe cilat do të ishin përparësitë, kushtimisht thënë, që do t'i krijonte një strategji e tillë në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës?

BESIM BEQAJ
Mungesa e kësaj strategjie i ka implikimet shumë të mëdha, për shkak se ne sot kemi një Kosovë ku biznesi më shumë zhvillohet në një mënyrë euforike. Nuk dihet se cilat janë sektorët më të rëndësishëm apo më të parëndësishmet në të cilat është mirë të investohet dhe në të cilat nuk është mirë të investohet. I jemi lënë një stuhie zhvillimore, e cila vlerësohet vetëm nga biznesi. Nuk dua të them se biznesmenët duhet të orientohen apo t'u tregohet atyre se çfarë të bëjnë, mirëpo të kenë një përkushtim, të kenë një orientim që shteti ka një orientim zhvillimor. Prandaj edhe ata duhet që të orientohen drejt atij orientimi, sikurse do ta kishte dhe shteti. Gjithashtu shpresoj që edhe qeveria do të jetë në nivel, në sensin e asaj që të trajtojë biznesin si diçka, që krijon dhe gjeneron të hyra si dhe krijon punësim. Dhe vetë fakti i krijimit të punësimit dhe të gjitha elementet e tjera janë elementet e vetëqëndrueshmërisë ekonomike. Nuk mendoj që zhvillimi ekonomik mund të bëhet ad hoc, ajo është mëse e ditur. Zhvillimi duhet të bëhet në faza të gjata dhe me qëndrueshmëri shumë të qartë ekonomike.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërsa bisedimet për statusin pritet të intensifikohen këtë muaj dhe muajin e ardhshëm, sa konsideroni se Kosova në anën tjetër mund të sigurojë, ose të ketë një bazë ose një vetëqëndrueshmëri ekonomike, duke patur parasysh ambicjet e institucioneve vendore për një Kosovë të mëvetësishme?

BESIM BEQAJ
Sigurisht që Kosova ka potencial të shkëlqyeshëm për të qenë e vetëqëndrueshme në aspektin ekonomik. Qoftë në aspektin nëse flasim për burimet materiale apo për burimet njerëzore. Burimet materiale duke filluar nga minierat e deri tek elemente të tjera të cilat dihet mjaft mirë që Kosova i ka dhe ato duhet të shfrytëzohen dhe të nxirren të përpunohen dhe si të tilla të plasohen në tregjet ndërkombëtare. Por edhe për aspektin njeri, Kosova dihet që e ka popullsinë më të re në Evropë, prandaj është një segment, në të cilin me pak investime mund të ecë shumë mirë në hap me të tjerët.

RADIO EVROPA E LIRË
Studimet e ndryshme ndërkombëtare kanë sjellë si përfundim që pasuritë natyrore të Kosovës, mund të jenë bazë e vetëqëndrueshmërisë ekonomike. Mirëpo sa në fakt Kosova ka kapacitetin që t'i riaktivizojë menjëherë ato ndërmarrje për shfrytëzimin e këtyre burimeve dhe pasurive?

BESIM BEQAJ
Ju e dini që Kosova është një vend i njohur për nga minierat në rajon, duke filluar që nga thëngjilli si pasuri nëntokësore me rëndësi të posaçme për Kosovën. Një studim i cili është bërë para dy vitesh nga një institucion kanadez në fushën e energjetikës, ka dalë që Kosova bashkë me Rumaninë i kanë potencialet më të mira në rajon, për prodhimin e energjisë elektrike termoenergjisë. Gjithashtu ne kemi edhe miniera të tjera, të cilat janë në shfrytëzim dhe të cilat ne kemi rastin e privatizimit të Ferronikelit, i cili do të jetë një shtytës i madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Të gjitha këto janë elemente të cilat mund ta ndryshojnë shumë shpejt fotografinë ekonomike të Kosovës. Ajo çfarë ne duhet të bëjmë është që ne të hapim sa më shumë perspektiva që investitorët e huaj të vijnë në Kosovë dhe të sjellin kapital të freskët. Për momentin Kosovës i mungon kapitali i freskët. Me këtë kapital, i cili sillet nëpër sistemin bankar të Kosovës dhe me këtë fuqi financiare të ndërmarrjeve tona, është shumë vështirë që të riaktivizohen komplekse shumë të mëdha, për shkak se ato kërkojnë investime të mëdha. Mirëpo, mundësia e hapjes së tregut kosovar ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare dhe kjo bëhet vetëm atëhere kur ka vizion të qartë dhe strategji zhvillimore të qartë, atëhere është e mundshme. Prandaj kjo do të ishte një rrugë të cilën praktikisht duhet ta përcjellë edhe biznesi kosovar, por edhe qeveria dhe ne si shoqatë apo asociacionet e biznesit me të cilat merremi, që t'i bëjmë të gjitha këto komplekse së bashku dhe t'i krijojmë mundësi që ndërmarrjet tona, nëse nuk kanë mundësi që të investojnë vetë, të gjejnë partnerë dhe në bazë të "joint ventures" dhe investimeve të përbashkëta, të hyjnë dhe të bëjnë shfrytëzimin e pasurive të cilat i kemi për fat të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë cili konsideroni se do të jetë roli i Odës Ekonomike të Kosovës që ju drejtoni dhe në çfarë aspektesh mendoni se do të orientohet angazhimi juaj, respektivisht i Odës Ekonomike të Kosovës në fazën e ardhshme?

BESIM BEQAJ
Në grupin për ekonominë, në grupin teknik, unë jam i deleguar nga Oda Ekonomike si anëtar i këtij grupi. Sigurisht që ne do të japim maksimumin tonë me idetë tona me analizat tona, të cilat janë bërë më herët dhe të cilat do të bëhen, sa i përket raporteve të zhvillimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke filluar këtu nga dëmet të cilat janë shkaktuar, duke filluar këtu nga kontributi që ekonomia e Kosovës i ka dhënë ekonomisë së ish-Jugosllavisë. Mendimi im është se ky grup do të merret më shumë me çështjen e ndarjes dhe nëse ajo nuk flitet si ndarje, që të kemi të qartë se kush çfarë obligimesh ka. Në këtë sens është shumë e rëndësishme që ne të dimë të kërkojmë dëmet të cilat i janë shkaktuar Kosovës, jo vetëm nga lufta, por edhe dëmet të cilat i janë shkaktuar Kosovës nga menaxhimi i keq 10 vjeçar, nëse flasim për periudhën 1989-1999, apo edhe për periudhat paraprake, kur ka në filluar integrime të dhunshme të ndërmarrjeve tona në ndërmarrjet e Serbisë. Pra ne kemi shumë gjëra për të analizuar dhe për të paraqitur në tryezën e bisedimeve, për shkak se të gjitha këto janë bërë nga një regjim dhe normalisht regjimet e tilla duhet të paguajnë për dëmet ekonomike që i kanë shkaktuar një vendi. Roli i Odës Ekonomike do të jetë që të gjitha ato interesa, të cilat janë cënuar për anëtarët e Odës Ekonomike, respektivisht për Kosovën, t'i prezantojnë në mënyrë të qartë, të theksuar mirë dhe të kërkojmë kompensime respektivisht të hapim edhe dyert e tjera, të cilat janë të nevojshme për biznesin kosovar.


Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG