Ndërlidhjet

ART VAZHDOI HEQJEN E ANTENAVE TË OPERATORËVE ILEGALË TË TELEFONISË MOBILE


Albana Isufi, Prishtinë

Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit ka vazhduar edhe sot në pjesë të ndryshme të Kosovës mbylljen e transmetuesve, që përdoreshin nga operatorët ilegalë të telefonisë mobile.
Kompania e telefonisë celulare të Serbisë Mobtel, është më e goditura nga ky veprim, pasi që deri tash ka mbuluar me shërbime 70 për qind të territorit. Ky operator është përdorur nga komuniteti serb në veri të Kosovës, por edhe në enklavat e tjera, pasi në këto vendbanime operatori i vetëm i ligjshëm Vala 900 nuk është përdorur asnjëherë.
Megjithatë, kryetari i ART-së Anton Berisha thotë veprimi i tyre është i bazuar në ligj dhe se nuk është i drejtuar vetëm kundër kompanisë Mobtel.
“Vendimi ka të bëjë me heqjen e infrastrukturës të operatorëve që nuk janë licensuar pranë ART-së. Nuk është një vendim i posaçëm për një operator të veçantë dhe aksioni përfshin të gjitha antenat të cilat komisioni has në to ose ka identifikuar përmes matjeve”.
Një komision i ART-së është duke larguar transmetuesit e operatorëve ilegalë nga rajoni i Prishtinës, Ferizajt, Gjilanit dhe Pejës. Mobtel tani ofron shërbimet vetëm në veriun e Kosovës.
Përfaqësuesi i Listës Serbë për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq thotë se këtu bëhet fjalë për një problem të madh politik.
“Ky pa dyshim është një problem i madh, sepse ky ka qenë i vetmi dhe komunikimi më i sigurt, që kemi pasur me qendrën e Kosovës, Gracanicën dhe Shtërpcën. Tash të gjitha këto rajone janë shkëputur dhe s’kemi kurrfarë komunikimi”, tha Ivanoviq.
Mirëpo, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen ka përkrahur sot vendimin e ART-së, duke e quajtur atë si veprim të bazuar në ligj. Jessen Petersen ka thënë se veprimi i ART-së nuk është drejtuar kundër ndonjë komuniteti të caktuar.
“Kjo është një përgjegjësi e transferuar dhe ata po veprojnë mbi baza ligjore. Është shumë me rëndësi të shihet se kjo çështje nuk është e drejtuar ndaj një komuniteti’, tha Jessen Petersen, duke shtuar se këtë gjë duhet ta kuptojnë serbët e Kosovës. Këta të fundit tashmë janë ankuar tek Jessen Petersen për vendimin e ART-së.
“Mendoj se është një hap i pa menduar para bisedimeve për statusin. Unë dje kam biseduar me Petersenin dhe e kam njoftuar me pasojat shumë të rrezikshme për një hap të tillë dhe i mbetet atij – UNMIK-ut , institucioneve të përkohshme të kuptojnë seriozitetin e situatës dhe të mos ndërmarrin masa të këtilla para fillimit të bisedimeve”, tha Oliver Ivanoviq.
Ndërkohë, kreu i ART-së Anton Berisha, thotë se do të dëgjojnë dhe shqyrtojnë kërkesat e komunitetit serb.
“Munden lirisht të na drejtohen dhe të shohim se cilat janë shqetësimet e tyre”.
Berisha thotë se ART ka qenë e vetëdijshme se kjo është një çështje shumë komplekse, që do mund të sjellë pasoja.
Megjithatë, Berisha lë të kuptojë se ndalimi i shërbimeve të Mobtelit në Kosovë nuk është punë e kryer, për shkak të pakënaqësive të serbëve.
“Nuk mund të themi prerazi , do të shohim për atë ne kemi propozuar në fillim grup punues se e kemi ditur se janë çështje shumë kompleksive dhe të ndërlidhura me më shumë palë”.

XS
SM
MD
LG