Ndërlidhjet

logo-print

PETERSEN: ËSHTË ABSOLUTISHT E QARTË SE NDARJA E KOSOVËS NUK ËSHTË NË AGJENDËN E BISEDIMEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Procesi i negociatave për statusin e Kosovës, nuk ka në agjendë ndarjen apo krijimin e korridoreve etnike brenda territorit të Kosovës, ka thënë sot shefi i administratës së UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci. Duke iu referuar kërkesave të vazhdueshme nga Beogradi për krijimin e entitetit serb në Kosovë, Jessen-Petersen tha se procesi i bisedimeve nuk është paramenduar që dikush të paraqesë kërkesa lidhur me ndarjen e Kosovës. Gjatë bisedimeve, secila palë i ka pozicionet e veta, por procesi nuk parasheh që dikush të paraqesë kërkesa, tha Petersen:
“Është absolutisht e qartë që ndarja e Kosovës nuk është në agjendën e bisedimeve”, tha Jessen-Petersen, duke sqaruar se ende, përveç komenteve në media, nuk i di detajet e kërkesave të Beogradit. Sidoqoftë Petersen parashikoi një dinamizim të procesit negociator dhe për këtë arsye ai sot ka filluar një raund të ri bisedimesh me udhëheqësit kosovarë, për t’u njoftuar me përgatitjet që po bëhen.
Ndërkohë që kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, tha se Delegacioni i Kosovës, përmes mekanizmave të vet, është duke u përgatitur për të gjitha fushat që do të jenë pjesë e negociatave. Ndërkaq duke u ndërlidhur në dinamikën e këtyre bisedimeve dhe implikimeve që mund t’i ketë në këtë proces shëndeti i presidentit Ibrahim Rugova, si udhëheqës i Delegacionit të Kosovës, Daci tha se edhe kjo çështje po shqyrtohet, por për momentin sipas tij, Rugova do të jetë në gjendje t’i prije punës së Delegacionit:
“Do të dinamizohet procesi sepse janë obligime shumë të mëdha. Kanë probleme grupet profesionale, të cilat e presin përgjigjen tonë në propozime dhe besoj që do ta dinamizojmë. Kemi ca informacione që gjendja shëndetësore e presidentit është në përmirësim të vazhdueshëm ose do të gjejmë modalitete të tjera që bashkarisht të konsultohemi, por do të dinamizohet”, tha Daci.
Kryeparlamentari kosovar Nexhat Daci, tha po ashtu se Prishtina ende nuk ka marrë ndonjë vendim se do të marrë pjesë apo jo në takimin me palën e Beogradit për decentralizimin, i paraparë të mbahet në Vjenë:
“Një parim do të jetë i qartë, ne nuk do ta izolojmë Kosovën prej bisedave ndërkombëtare. Ne e kemi refuzuar fundin e dhjetorit për takim në Vjenë, për ta përgatitur ministrin që ta ketë dokumentin tonë ose pakon e obligimeve të qeverisë dhe institucioneve tona. Do të thotë askush më nuk do të takohet me askënd pa përgatitje të plotë dhe pa u debatuar në Delegacionin e Kosovës, do të thotë në parim do të ketë takim atëherë kur të vlerësohet i nevojshëm nga bashkësia ndërkombëtare dhe ne nuk do të jemi palë që nuk do të bashkëpunojmë me bashkësinë ndërkombëtare, por të përgatitur”, theksoi Daci.
Po sot, ish-shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë, ambasadori John Menzis gjatë një vizite private që po i bën Kosovës, me ç’rast ai ka takuar dhe përfaqësuesit e lartë vendor, është shprehur optimist për të ardhmen e Kosovës si një vend i pavarur dhe i integruar në strukturat evropiane:
“Jam këtu t’i inkurajoj njerëzit që të vazhdojnë me vullnet të mirë dhe të jenë pjesë e një Evrope të lirë e të bashkuar dhe që të jenë pjesë e saj si një vend i pavarur, çka mendoj se është shpresa e aq shumë njerëzve këtu”, tha Menzis, duke u shprehur se këto aspirata nuk janë larg për t’u realizuar.



XS
SM
MD
LG